PS-PD, debate për kolaboracionistët
Replika të ashpra mes deputetëve Majko e Bumçi, për rolin e komunistëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit
Përfshirja e bashkëpunëtorëve të pushtuesve fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që gjatë regjimit komunist janë dënuar për tradhti ndaj vendit, në listën e kategorive që duhet të dëmshpërblehen si të dënuar politikë, ka shkaktuar reagimin e fortë të opozitës. Ajo e ka konsideruar këtë akt si një provokim që i bëhet të majtës në Shqipëri.
Ka qenë pikërisht ky ndryshim, shkaku për të cilin deputetët e majtë në Komisionin e Ligjeve të votonin kundër gjithë draftit të propozuar nga deputeti demokrat Astrit Bushati dhe të plotësuar me një sërë nenesh të tjera nga Ministria e Drejtësisë.
Duke folur në emër të deputetëve të grupit socialist, ish-Kryeministri, Pandeli Majko, ka deklaruar se është turp që në vitin 2009, Shqipëria të nderojë ata që ndihmuan dhe bashkëpunuan me pushtuesit për të vrarë disa të tjerë, që kishin dalë në luftë për të çliruar vendin nga okupacioni.
"Ka një arsye pse ka një të majtë, një të djathtë dhe një pjesë e këtyre arsyeve lidhet me ç'ka ndodhur para vitit 1944 dhe pas saj.
Është e palogjikshme që në 2009-ën, në një Parlament të Evropës, të diskutohet për dëmshpërblimin e kolaboracionistëve, ju lutem mos na provokoni", - tha Majko.
"Që herën e kaluar ua kemi dhënë votën për shtimin e nipërve e mbesave. Në asnjë rast mos kërkoni votë nga ne për të dëmshpërblyer kolaboracionistët.
Jemi dakord për të gjithë ata që janë të përndjekur pas regjimit komunist. Nuk mund të thoni që e majta është kundër, por mos kërkoni nga ne një gjë që nuk është bërë në asnjë vend të Evropës", - tha më tej Majko.
Por, një mendim krejt të kundërt kanë ndarë demokratët, të cilët, nëpërmjet deputetit Aldo Bumçi, janë shprehur se bashkëpunëtorët më të mëdhenj të fashizmit kanë qenë vetë komunistët. "Bashkëpunëtorët më të mëdhenj të nazizmit kanë qenë komunistët. Është fakt pakti i Hitlerit me Stalinin", - tha Bumçi.
Kjo ka provokuar një debat të ashpër në sallë, ku deputetët janë përfshirë edhe në ofendime mes tyre. Pavarësisht kontestimeve të opozitës, përfaqësuesit e shumicës qeverisëse kanë mundur ta kalojnë draftin pa asnjë ndryshim.