E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit-Berishës:Duam 20 vende në Kuvend

Shoqata e ish- të përndjekurve zhvillon konventën e dytë. Kërkojnë dëmshpërblim dhe përfaqësim në qeveri


TIRANË- Në fund të mandatit katër vjeçar qeverisës, ish-të përndjekurit politik dalin me kërkesa konkrete ndaj kryeministrit Sali Berisha. Konventa e dytë e Shoqatës Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politik të Shqipërisë i ka kërkuar dje Berishës, që qeveria, që ai drejton të mbajë premtimin për dëmshpërblimin e kësaj kategorie.

Ata kanë kërkuar gjithashtu përfaqësim në qeveri dhe 20 vende në Kuvend, mandatin e ardhshëm. Në funksion të këtyre kërkesave, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Shoqate, Besim Ndregjoni, deklaroi se ish-të përndjekurit kanë kandidatura me potenciale të larta intelektuale.

"Konventa vendosi në unanimitet të plotë që t'i bëjë me dije Partisë Demokratike dhe Qeverise se në zgjedhjet e Qershorit 2009 në partneritet të plotë me Shoqatën Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, si i vetmi institucion politik ligjor moral i kësaj shtrese të ketë kandidaturat e saj për deputet në parlamentin e ardhshëm.

Kandidaturat tona janë potenciale akademike universitare me një moral dhe fisnikëri të lartë kombëtare dhe përfaqësojnë votuesit fisnik, pronarë dhe qëndrestarë të diktaturës komuniste, përfaqësojnë 350.000 votues të kësaj popullsie",- tha dje Ndregjoni, teksa po lexonte vendimin e Konventës së dytë të Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik.

Ndregjoni i ka kërkuar dje Kryeministrit Berisha, që në zbatim të Kushtetutës dhe statusit të përndjekurve politikë, të fillojë menjëherë dëmshpërblimi për vitet e vuajtjes gjatë regjimit komunist, të ish-të përndjekurve politik.

"I kërkojmë kryeministrit urgjentisht që në zbatim të Kushtetutës së Shqipërisë dhe statusit të të përndjekurve politikë, të fillojë menjëherë dëmshpërblimi i pafajësisë sonë. Dëmshpërblimi është kushtetues dhe detyrues për qeverinë.

Të rifillojë menjëherë rikthimi i të gjithë të përndjekurve politikë në qeverisjen e vendit të cilët në vitet '97-'98 janë pushuar nga puna vetëm për motive politike. I kujtojmë qeverisë se ne kemi kapacitete intelektuale, njerëzore për të qeverisur dhe për t'i dhënë shoqërisë zhvillime të barabarta me vendet demokratike Europiane",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›