E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, të shpërblehen profashistët

Komisioni i Ligjeve miraton 14 nenet e rinj, duke përfshirë në listë edhe pasardhësit e nivelit të dytë. Ndryshohet ligji i dëmshperblimit për të përndjekurit.


TIRANË- Të gjithë ata individë të dënuar nga regjimi komunist si bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, nuk do të shihen më si tradhtarë të vendit.

Madje, jo vetëm kaq, por ata do të nderohen për veprën e bërë dhe familjarët e tyre do të dëmshpërblehen për dënimin që kanë marrë paraardhësit.

Mazhoranca e djathtë ka vendosur dje në Komisionin e Ligjeve që të bëjë pjesë të listës së atyre personave që përfitojnë dëmshpërblim për vuajtjet që kanë hequr gjatë regjimit komunist, për shkak të veprimtarisë apo qëndrimeve politike, edhe të gjithë kolaboracionistët e pushtuesve fashistë, para nëntorit të vitit 1944.


Drafti

Komisioni i Ligjeve ka rimarrë edhe një herë në diskutim nismën ligjore të propozuar nga deputeti Astrit Bushati, për amendimin e ligjit "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist".

Ky ndryshim kishte si qëllim të tijin përfshirjen në kategorinë e personave që përfitojnë dëmshpërblim edhe për familjarët e të dënuarve që, për arsye dënimi, nuk kanë lënë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë.

Por, nisma, në ndryshim nga origjinali, dje ka ardhur e plotësuar dhe me një sërë ndryshimesh të tjera, të cilat vetë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ia vinte në dispozicion Komisionit të Ligjeve për miratim.


Por, pikërisht ky draft i ri, është bërë shkak për debate jo pak të forta mes përfaqësuese të shumicës dhe opozitës, pasi kjo e fundit kontestoi marrjen në shqyrtim të një drafti që nuk ishte më i deputeti Bushati.

Sipas deputetëve socialistë, është antiligjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën që një nismë e tillë, e hartuar pothuajse nga e para nga Ministria e Drejtësisë, t'i propozohej për miratim Komisionit të Ligjeve.

"Sot shoh se nuk kemi një nismë të z. Bushati, por një nismë të Ministrisë së Drejtësisë, që në bazë të Kushtetutës nuk e ka këtë të drejtë.

Në qoftë se do të ketë një nismë të Ministrisë së Drejtësisë, atëherë duhet të ndjekë rrugën procedurale të caktuar, duke kaluar fillimisht në Këshillin e Ministrave", - u shpreh Dervishi.

Pavarësisht këtij insistimi, mazhoranca, me shumicë votash, ka hedhur poshtë propozimin e socialistëve për të ndërprerë diskutimin dhe ka vijuar me shqyrtimin e ligjit në parim dhe nen për nen.


Ndryshimet


Pas debateve të gjata në parim, të cilat shpeshherë kanë kaluar edhe në fyerje personale mes deputetëve, komisioni ka miratuar pa asnjë ndryshim nismën e Ministrisë së Drejtësisë. Ky veprim është kryer edhe pse për të nuk ishte shprehur më parë Ministria e Financave, si përgjegjëse për faturën financiare.


Drafti i miratuar ka pasqyruar të drejtën e dëmshpërblimit financiar edhe për ato viktima të ekzekutuara për motive politike dhe që, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë mundur të lënë pasardhës.


Kështu, me ndryshimin që i bëhet nenit 8 të ligjit aktual, zgjerohet rrethi i familjarëve të viktimës, ku përveç paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish-të dënuarit politik, përfshihen fëmija apo fëmijët e vëllezërve dhe motrave.

Ndërkohë, nëpërmjet ndryshimit të nenit 2 të ligjit ekzistues, qeverisë i jepet kompetenca e plotë që të përcaktojë procedurën e shqyrtimit administrativ të kërkesave, si dhe masën e dëmshpërblimit për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq.

Gjithashtu, në këtë draft është rregulluar akti, me të cilin do të provohet internimi i ish-të dënuarve politikë në kampet me rrethim me tela me gjemba, duke zëvendësuar urdhrin e internimit me aktin administrativ apo me dokument zyrtar.


Një tjetër ndryshim është edhe ai që ka të bëjë me rregullimin që i bëhet nenit 5, ku në listën e veprave penale politike të përfshihen edhe kolaboracionistët e fashizmit, ndryshim që është bërë shkak edhe për votën kundër të opozitës.

Me anë të këtyre amendamenteve, shtyhet deri më 1 korrik afati i përcaktuar deri më tani për dorëzimin e dosjeve nga të interesuarit. Kjo duket se ka sjellë shtyrjen e gjithë procesit në tërësi, përfshi këtu edhe procesin e dëmshpërblimit financiar për ish- të dënuarit politikë.


 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›