Të përndjekurit trokasin në PS
Aristir Lumezi
Përfaqësues të ish-të përndjekurve dhe të sindikatave të pavarura kaluan dje pragun e selisë rozë për të folur me Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën. Në qendër të takimit me socialistët kreu i sindikatave, Gëzim Kalaja dhe përfaqësuesi i ish-të përndjekurve, Sajmir Maloku, e përfaqësues të tjerë të sindikatave, kanë kërkuar mbështetje për pranimin e datës 20 shkurt si datën e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Ata u kanë kërkuar socialistëve të mbështesin ligjin e miratuar në Parlament nga Qeveria, që 20 shkurti, dita e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, të jetë edhe dita simbol i rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Si ndërmjetës mes Qeverisë dhe opozitës, përfaqësuesit e sindikatave dhe të ish-të përndjekurve u kanë kërkuar socialistëve që këtë ligj të miratuar nga shumica aktuale parlamentare, të mos e konsiderojnë si një meritë të Qeverisë apo të partive të djathta, por si një e drejtë që duhet respektuar në emër të të gjithë të përndjekurve, të cilët vuajtën dënimet gjatë regjimit komunizmit. Selia rozë pas takimit nuk shpërndau asnjë njoftim zyrtar në lidhje me kërkesat e përfaqësuesve të ish-të përndjekurve dhe të sindikatave të pavarura, të cilat në fillimet e demokracisë ishin protagoniste në ardhjen e pluralizmit shqiptar. Madje as edhe se çfarë socialistët premtuan në lidhje me pozicionin që ata duhet të mbajnë për këtë çështje delikate për ta, për shkak të prejardhjes së kësaj partie nga Partia e Punës. Kreu i sindikatave të pavarura, Gëzim Kalaja, pas takimit bëri të njohura kërkesat e tyre ndaj socialistëve. “Jemi këtu bashkë me përfaqësues të të përndjekurve politikë për datën 20 shkurt, për të përshkruar realitetin historik të kësaj date, sepse nuk jemi dakord me ligjin që ka miratuar Parlamenti shqiptar, ku përjashtohet kontributi i bashkimit të sindikatave të pavarura dhe forcave të tjera dhe popullit të Tiranës, se data 20 shkurt është data historike që ndan Shqipërinë nga e kaluara komuniste, rrëzimi i diktatorit”, tha Gëzim Kalaja, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura. Nga ana e tij, kryetari socialist është shprehur i gatshëm për të shkruar në mënyrë reale historinë e vendit. “Historia duhet shkruar realisht dhe meritat duhet t’u shkojnë atyre që kanë qenë protagonistë të historisë”, mësohet të jetë shprehur Rama gjatë takimit. Sipas Kalasë, 20 shkurti duhet parë si realitet historik, ndërsa kjo histori nuk duhet të personalizohet nga individë apo parti. Kalaja tha dje se kontributi për rrëzimin e komunizmit nuk duhet t’i përkasë asnjë organizate, grupimi apo partie. Rrëzimi i komunizmit ishte kontribut i bashkimit të sindikatave të pavarura që kishin nisur protesta të fuqishme në të gjithë vendin, kryesisht në miniera dhe i popullit të Tiranës, që u çua në këmbë dhe rrëzoi bustin e diktatorit”, u shpreh dje Kalaja.
Programi
Lëvizjet e ish-të përndjekurve dhe sindikatave të djathta u shfaqën në horizont sapo socialistët pranuan në kongresin e tyre të pesë ditëve më parë programin e ri politik, ku i hapet drita jeshile mbështetjes së ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, si kategori sociale tabu për socialistët. Në zbatim të tezës së tij “përtej të majtës dhe të djathtës”, Rama përmes programit të ri politik, i cili e përcakton PS-në një parti e majtë demokratike, i sheh të përndjekurit politikë si “aset i zhvillimit demokratik”. “Ne vlerësojmë sakrificat e të përndjekurve politikë dhe i konsiderojmë ata një aset të rëndësishëm të kohezionit të shoqërisë. Ne do të bashkëpunojmë me të përndjekurit politikë për kompensimin, përfshirjen dhe integrimin e tyre politik, ekonomik dhe shoqëror”, thuhet në një nga paragrafët e programit politik të socialistëve. Gjithashtu, dhe ish-pronarët shihen nga socialistët si potencial i zhvillimit të vendit. “Ne do të vëmë në vend padrejtësitë ndaj ish- pronarëve, duke bashkëpunuar me ta për të hartuar e zbatuar një kuadër ligjor, që do harmonizojë drejtësinë për ish-pronarët me drejtësinë sociale për kategoritë e tjera të popullsisë”, thuhet në programin e ri të PS.