E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia, në det të hapur

Ervin Bushati

Këtë herë Qeveria e ka blerë me para belanë; ndryshe nga e anasjellta, si është norma në Shqipëri. Kompania e kontraktuar dhe paguar nga Qeveria, për të analizuar kredibilitetin e financave publike në vend, i ka dhënë Qeverisë sonë notën B+. Kjo notë, në terma më të kuptueshëm është e barabartë me 17/100; ose e njëjtë me vlerësimin e dhënë për shtete si Kamboxhia, Sri Lanka, Nigeria Ghana, Mozambique etj. Gjykova që këto janë krahasimet më të thjeshta dhe domethënëse në këtë publikim serioz.
Pse ja bëri vetes këtë Qeveria? Sepse, si të gjithë ne, Qeverisë i duhen lekë: Sot më shumë se kurrë.
Duhet të kuptojmë që kjo është hera e parë që vendi ynë vlerësohet realisht për gjendjen ekonomike dhe shëndetin financiar të tij. Për të emëruar një eurobond me vlerë 400 milionë euro në tregjet financiare ndërkombëtare, duhet një vlerësim profesionist, nga një prej tre firmave me prestigjioze në botë që janë: Standards & Poor’s (S&P), Moody’s dhe Fitch. Vetëm me këtë vlerësim dhe në këtë mënyrë, një shtet sovran si i yni mund të dalë në tregjet kapitale në botë dhe të kërkojë të marrë para hua me interes.
Këto kompani bëjnë një studim të hollësishëm dhe në bazë të këtij vlerësimi, një investitor qoftë në Londër, Neë York a Hong Kong vendos: a ja vlen të investojë ose jo paratë e tij në një borxh të Qeverisë shqiptare, dhe nëse vendos sa interes duhet të marrë për këtë risk që po ndërmerr, duke investuar në një vend që nuk ka për ta parë ndonjëherë në jetën e tij. Pra me pak fjalë, S&P është busulla e tij orientuese dhe nota jonë B+ është ‘ylli polar’ në këtë udhëtim në det të hapur me rreziqet që deti mbart.
Ndaj është thelbësore të hapim sytë: për herë të parë ne na bëhet një analizë reale dhe e hollësishme e ekonomisë dhe financave tona publike. Deri më sot, ne kemi qenë një organizëm i studiuar brenda akuariumit të mbrojtur të FMN, BB apo ushqyer me thërrmijat e rreme të qeverive që japin vetëm optika elektorale të ekonomisë sonë. Gjuha politike e këtyre institucioneve ndërkombëtare është e mirë me Qeverinë dhe inkurajuese me opozitën, ndaj ka shërbyer si një akuarium mbrojtës nga realiteti global. Nesër ekonomia jonë do dalë në detin e hapur të kapitalit ndërkombëtar dhe do të ndeshet me rreziqet dhe sfidat që mbart në koncept një udhëtim i tillë.
Problemet kryesore që na japin notën fundore, sipas kompanisë ‘S&P’ janë: borxhi ynë i lartë, shkalla e ulët e prosperitetit tonë ekonomik dhe stabiliteti politik në vend. Investitorët financiarë janë të shqetësuar me faktin që në nivelin që është, borxhi ynë publik paraqet 220% të të ardhurave buxhetore të vendit tonë, një nga nivelet më të larta në botë. Shkak për këtë normë kaq të lartë dhe për aftësinë e ulët të Qeverisë në administrimin e financave publike janë ekonomia gri dhe baza e ulët që taksohet nga ekonomia formale. Kjo normë tepër e lartë borxhi publik / të ardhura publike është shqetësuese, sepse është indikator se sa i besueshëm është shteti ynë për të larë këtë borxh; apo sa i aftë është ai për ta larë atë në një kohë sa më të shkurtër.
Të vetmet terma pozitive në këtë raport dhe analizë janë për ekonominë shqiptare - pa ndikimin e shtetit. Shkak për këtë janë efekti i ‘kapjes’ me shtetet më të pasura evropiane që na rrethojnë dhe vitaliteti i kapitalizmit shqiptar.
Pak a shumë, analiza shpalos të vërtetën e hidhur mbi ekonominë tonë: një organizëm me një zemër të fuqishme biznesi, të përfaqësuar nga kapitali shqiptar - dhe një tru të atrofizuar, të përfaqësuar nga Qeveria shqiptare. Biznesi shqiptar doli nga diktatura si një foshnje në një tokë të djegur – në një tokë me rregulla xhungle. Kjo mënyrë lindje dhe natyra e egër e bënë atë të mbijetojë dhe fuqizohet kundër çdo vështirësie dhe pengese; sepse asnjëherë nuk e ka kërkuar ndihmën te Qeveria – por të vetja. Dhe nëse sot do të ishte një kompani shqiptare e suksesshme, me nismën për të dalë në tregjet kapitale globale, ajo do të merrte një notë shumë më të mirë se vetë shteti i saj.
Kjo është historia e ekonomisë sonë: biznesi vendës, si një organizëm i lodhur nga paraziti që mbart mbi kurriz – shteti – i cili ushqehet me gjakun e kapitalit tonë, ndërsa shkakton vetëm plagë dhe infekton me jargët që lë. Ekonomia jonë është e detyruar të jetojë nën simbiozën e biznesit me zemër të fortë dhe të shtetit parazit. Dhe është kjo ekonomi që nesër do të dalë në det të hapur me gjithë mundësitë dhe rreziqet që mbart ky lundrim: nën qiellin e madh, me erën, me yjet por dhe me peshkaqenët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›