“Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit, rrit sigurinë dhe stabilitetin”
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton
Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton ka deklaruar se integrimi i plotë i Ballkanit perëndimor në BE sjell stabilitet për rajonin. Ashton bëri këtë deklaratë
gjatë një vizite në Athinë, pas një takimi me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu. “Ballkani perëndimor mbetet një prioritet për Bashkimin Evropian”, ka pohuar shefja e diplomacisë evropiane. Ashton dhe Papandreu kanë diskutuar edhe për axhendën greke “Evropa 2014”, që parashikon anëtarësimin e plotë të Ballkanit në BE në vitin 2014.
Zyrtarja e lartë e Brukselit, ka shtuar se BE duhet të fokusohet qartësisht te efekti i zgjerimit të Unionit, për t’i bërë ballë kështë sfidave të reja në të ardhmen. Lidhur me krizën ekonomike botërore, Ashton ka deklaruar se blloku 27 anëtarësh duhet të zbatojë politikën e efiçencës dhe sigurimin e shpenzimeve të brendshme, për të rikuperuar në kohë dëmet. Duke u ndalur te efektet e krizës ekonomike botërore, Ashton tha se një politikë më unifikuese e Evropës, do të zbehë shumë shpejt deficitet buxhetore të vendeve në krizë.