E Diel, 1 Nëntor 2026

Te plagosur ne protestat ne Spanje

"Të zemëruarit" spanjollë kërkojnë të  pushtojnë sheshin simbol të protestës së tyre, por policia  shprehet e vendosur për të mos lejuar ngritjen e një tjetër kampi "të indinjuarish" në Puerta del Sol.

Për pasojë përleshje të ashpra janë   shënuar mes  protesuesve dhe forcave të  rendit. Në incidentet më të rënda,  në valën e protestave  që  kanë vazhduar gjatë gjithë verës në Spanjë, kanë mbetur të plagosur  20 persona.

Gazeta "El País" njofton se punonjës të policisë kanë ndërhyrë në momentin kur demonstruesit donin të futeshin në Ministrinë e Brendshme.

Demonstruesit kësaj here ishin të zemëruar për shkak të ndalimit të  tubimit, ndërsa protestat organizohen për shkak të krizës ekonomike. Sipas tyre ndalimi i tubimit në Puerta del Sol, bëhet për shkak të vizitës së Atit të Shenjtë,  më  18 gusht, me rastin e ditës së Rinisë Katolike.

Dhjetëra  forgonë policie e  mbi 200 forca rendi, të armatosura, blinduan sheshin, e sipas videove amatore  përplasjet me protestuesit kanë qenë tejet të ashpra.

Tre muaj më parë, në të njëjtin  shesh, lindi lëvizja që sot mbështet nga 2/3-tat e spanjollëve, e  që është kthyer në kult në kontinentin e vjetër.

Në këtë kohë të vitit, sheshi është i mbushur nga turistë, por sivjet qëndron bosh, ndërsa dhe forcat e rendit pranojnë se nuk do të mund të evitojnë  rikthimin e tendave të të indinjuarve për një kohë të gjatë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›