E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhyten Bursat. Wall Street e Europa ne renie

Wall Street është mbyllur në rënie e në rënie janë çelur dhe bursat europiane, me rekorde të reja humbjesh.

Në SHBA u shënua rënie e aksioneve prej më shumë se 4 %. Në Tokio të Japonisë indeksi Nikkei ka shënuar rënie prej 3,7 %. Ndërkohë që humbje serioze janë shënuar edhe në bursat e Kinës dhe Koresë së Jugut. Rënie të tilla janë shënuar më parë në krizën e madhe financiare në botë në vitin 2008.

Indeksi i Britanisë së Madhe ra me 3.2%, Dax-i gjerman me 3,5%,  ndërsa  indeksi francez  me 2.8%. Çmimet e naftës vazhduan të bien, ndërsa frika e një ngadalësimi ekonomik global godet çmimet e mallrave.

E enjtja e zezë në bursat botërore bart me vete  drojën se perëndimi I vjetër nuk është në gjendje të përballet me kirizën  e borxheve, e tani nuk janë më në rrezik thjesht Spanja e Italia, por dhe Franca.

Ekpertë të Standard & Poor thonë se  investitorët besojnë  se Europa është në gjendje të përballojë me sukses  krizën greke e madje dhe një thellim të borxhit në Irlandë e Portugali, por  problemet e vërteta sipas tyre janë ato të borxhit  në Spanjë e Itali.

Banka Qëndrore Europiane ndërhyu menjëherë duke blerë bonot e vendeve  në  rrezik, një operacion që  garanton likuiditet shtesë  për bankat por dhe një monitorim më të vëmendshëm  të rrezikut të çmimeve. Megjithatë, siç vërteton dhe  kjo ditë e fundit e javës për bursat, këto masa nuk mjaftuan.

Ekspertë të ekonomisë fajsojnë për krizën më të fundit në tregje politikën çorientuese mes vendeve anëtare në zonën euro por  dhe mungesën e perspektivës  për zgjidhjen e problemeve akute në Spanjë, Greqi, Portugali e Irlandë. Por përtej  rritjes së dobët europiane  shtojnë  ekspertët, rënia e mënjehërshme në bursa duhet ti atribuohet dhe një  marrveshjeje të pakënaqshme  për borxhin amerikan.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›