Rexhepi Do te vendosim kudo kontroll
Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë asnjë marrëveshje me Qeverinë e Serbisë për çështjet e brendshme të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha për Albanian Screen se institucionet e Kosovës nuk do të tërhiqen për asnjë moment nga vendimi për të vendosur kontrollin në çdo pjesë të Kosovës dhe për të zbatuar masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme deklaron: “Në përgjithësi gjendja është nën kontroll, mirëpo barrikadat ende ekzistojnë, ne kemi informata që 80-90% e qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës nuk janë të interesuar për të qëndruar në barrikada, por ata janë aty për shkak të presionit të Beogradit, të liderëve të ndryshëm nga Beogradi, presionit të strukturave paralele dhe komunave paralele. Këto struktura i kanë detyruar të qëndrojnë aty dhe i kanë kërcënuar me humbjen e vendeve të punës nëse nuk shkojnë në barrikada. Është një situatë pak e tensionuar, por po mundohemi të gjejmë një zgjedhje praktike që ato barrikada të largohen sa me shpejt sepse janë pengesë për jetën normale të qytetarëve të Kosovës”.Rexhepi thotë se KFOR-i është dashur të vendosë masat e zonës së kufizuar ushtarake në këtë pjesë për shkaqe sigurie. Ushtarët e KFOR-it tani kontrollojnë çdo person për armëmbajtje, ndërsa nuk lejojnë asnjë kamion nga Serbia të futet në Kosovës.
“Kthim prapa nuk do të ketë .Ka qenë një propozim nga ana e tyre (serbëve), dhe janë sqaruar disa moskuptime. Kryeministri e ka pasur sot një takim të gjatë me Komandantin e KFOR-it në të cilin janë sqaruar të gjitha gjërat. Kthim prapa natyrisht se nuk ka, ndërsa çështjet praktike të lëvizjes së lirë dhe çështje tjera që lidhen me largimin e barrikadave janë çështje që do të jeni të informuar, por nuk ka kurrfarë marrëveshje,” thotë Rexhepi.
Sipas tij zgjidhja për mallrat serbe mund të arrihet vetëm në kuadër të CEFTA-s dhe atë nëse Serbia pranon vulat dhe mallrat nga Kosova. Për asnjë çështje tjetër sa i përket Veriut, sipas tij, nuk do të diskutohet me Qeverinë e Serbisë.
Sala Mustafa