Xhafaj: “Emërimet në gjykata të bëhen mbi kritere morale dhe profesionale”
Sekretari për Çështjet Ligjore dhe njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka kërkuar që përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të bëhet në bazë të integritetit moral dhe aftësisë personale. Deputeti socialist deklaroi se Partia Socialiste do të kthehet në kuvend për të votuar emrat e rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese nëse ata do të miratohen me shumicë të cilësuar. Sekretari për çështjet ligjore në PS, duke e cilësuar mjaft të rëndësishëm këtë proces, kërkon të jetë transparent dhe konform të gjitha standardeve dhe kërkesave që parashikon ligji në mënyrë që emrat e përzgjedhur të jenë sa më profesionistë dhe të pandikuar politikisht. “Përsa i përket vendimmarrjes, është e vërtetë që ne kemi artikuluar votimin me shumicë të cilësuar që do ta bënte edhe opozitën më efektive në këtë proces. Por ky nuk ka qënë një propozim i joni, ka qenë një propozim i partnerëve, të cilët e kanë artikuluar këtë dhe publikisht. Nëse do të jetë një proces që ka këtë besueshmëri dhe këtë qëllim të mirë absolutisht pse jo, sepse është përcaktuese jo për sot por për të nesërmen e demokracisë kushtetuese”, - theksoi Xhafaj. Sipas tij, të përzgjedhurit duhet të përmbushin kriteret bazë. “Ajo që është e rëndësishme si bazë është integriteti moral dhe së dyti, që shkon në të njëjtën rëndësi është aftësia profesionale e gjyqtarit. A ka mundësi për ta bërë këtë, absolutisht po nëse realizohet një proces sa më i mirë dhe transparent përzgjedhjeje”, - u shpreh Xhafaj, duke shtuar “Partia Socialiste shpreson se Presidenti i Republikës do të kryejë në mënyrën e duhur misionin e tij kushtetues, se do të realizojë përgjegjësitë e tij institucionale dhe kushtetuese si pjesë të një projekti afatgjatë e vullnetmirë për zgjedhjet e duhura në këto dy institucione, në këtë moment thelbësor për të sotmen dhe të nesërmen joafatshkurtër të Drejtësisë në Shqipëri”. Deputeti socialist hedh kritika edhe mbi punën e bërë nga KLD dhe kërkon të rishikohet ligji për mënyrën se si zgjidhen gjyqtarët e këtij këshilli.
Alibeaj: “Opozita po e keqlexon Kushtetutën”
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, e sheh si një guxim të tepruar ose keqlexim të Kushtetutës propozimin e socialistëve për të shtuar votat për miratimin e anëtareve të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese. “Më duket thjesht dhe vetëm se kanë lexuar gabim Kushtetutën. Më duket guxim i tepruar. Për mua është thjesht dhe vetëm nxjerrja e një argumenti tjetër për të tërhequr vëmendjen politike dhe për të fshehur atë çfarë është e vërteta. Mungesa e opozitës dhe mosdëshira e tyre për të mos marrë pjesë në këtë proces”, - tha Alibeaj. “Opozita, destruktive, siç ka qenë me sjelljen e saj, do që të bëjë pis, pikërisht në këtë destruktivitet të saj, edhe procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo çfarë e bën të moralshëm, të shëndetshëm, politikisht, juridikisht, profesionalisht, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese është një përzgjedhje e matur, e pjekur, oferta që do të sillet nga Presidenti, procedura e hapur, transparente që do të bëhet nga Parlamenti, nga Komisioni i Ligjeve”, - tha Alibeaj.
1 Maj 2010