Ekspertët gjermanë: Zëvendësimet në Kushtetuese, jo pa opozitën
Në prag të zgjedhjes së gjashtë anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, ekspertët konstitucionalistë gjermanë i kërkuan dje maxhorancës që të mos vendosë pa votat e opozitës. Një nga profesorët e së drejtës kushtetuese gjermane, Ian Rudol, ka shkuar më tej se të zgjedhurit do të jenë përherë të paragjykuar nëse marrin vetëm verdiktin e njërit kah politik. Por, jashtë vëmendjes se tij nuk ka mbetur as korrupsioni i lartë në radhët e pushtetit gjyqësor. Ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese e ka vënë theksin te pavarësia e institucioneve, siç është edhe Gjykata Kushtetuese që ai drejton. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, foli dje para një trupe juristësh shqiptarë dhe gjermanë për pavarësinë e gjykatave dhe integritetin e njerëzve që punojnë në të, në mënyrë që, sikurse u shpreh Kristo, të mos bëhen zëdhënës të politikës. “Gjithmonë flitet për një pavarësi të Prokurorisë së gjykatave në një plan pak abstrakt. Sikur mjafton të kemi pavarësi institucionale dhe s’duhet gjë tjetër, por se kush e bën këtë pavarësi, mua më duket jo vetëm perceptim i gabuar, por edhe i rrezikshëm. Pavarësia fillon te gjyqtari, te prokurori, fillon te individi, pavarësi te çdo individ për të mbushur detyrat e veta dhe pastaj bashkimi i gjithë këtyre individëve të çon te pavarësia institucionale. Unë e shoh të shprehur mjaft mirë në funksionimin kushtetues, kam bindje që një njeri me integritet nuk mund të bëhet bisht apo zëdhënës i politikës”, - u shpreh Kristo.
Në këtë tryezë, ku referoi edhe dr. Matias Hartvig, ish-këshilltar ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane, anëtarë të Gjykatës së Lartë kërkuan të këshillohen juridikisht se çfarë ndodh kur Gjykata Kushtetuese jep vendim për antikushtetutshmërinë e një ligji dhe përsëri ky ligj kalon në Parlament. Gjatë tryezës për pavarësinë e gjykatave kushtetuese u prezantua botimi i programit të shtetit të së drejtës për Europën Juglindore “vendime të përzgjedhura të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane”.
Zëvendësimi
Sipas Kristos, Presidenti duhet të ndërhyjë sa më shpejt për zëvendësimin e anëtareve të Gjykatës së Lartë. Ai tha se zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është një çështje që pret, pasi Kushtetuta parashikon se ata mund të qëndrojnë edhe përtej mandatit. “Ka një problem. Unë respektoj vendimmarrjen e Presidentit të Republikës. Nuk është normale. Ajo është një gjykatë që ka një ngarkesë të jashtëzakonshme pune dhe ka nevojë urgjente, të domosdoshme, të kompletohet. Kjo gjendje krijon vështirësi të mëdha në funksionimin e saj”, - tha Kristo.
Ndërsa pyetjes për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u mbaron mandati në fund të marsit, Kristo iu përgjigj: “Nuk besoj se ka ngërç kushtetues sepse Kushtetuta e ka parashikuar që mandati i gjyqtarit, pavarësisht se nga pikëpamja juridike deklarohet i përfunduar, vazhdon detyrën deri në zëvendësimin e tij nga pasardhësi. Nuk mund të krijohet ndonjë bllokim i gjykatës. Kryetari vazhdon formalisht të drejtojë mbledhjet derisa të zëvendësohet nga pasardhësi i tij”.
Këto komente, kreu i Gjykatës Kushtetuese i bëri në kushtet kur deri në fund të muajit maj do t’i përfundojë mandati i 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vetë Kristos, si kryetar, në fillim të muajit qershor.
Takimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe fondacioni gjerman “Korad Adenauer”, që punon për programin e shtetit të së drejtës për Europën Juglindore, organizuan dje tryezën e rrumbullakët me temë “Pavarësia e gjykatave kushtetuese”. Aktiviteti i përbashkët, i cili promovoi edhe librin “Vendime të përzgjedhura të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane”, vjen në momentin kur përherë e më tepër në Shqipëri po flitet për Gjykatën Kushtetuese dhe nevojën e konsolidimit të shtetit të së drejtës, si domosdoshmëri për të ardhmen tonë europiane. Pjesëmarrësit në aktivitet, përfaqësues të institucioneve të KLD-së, Avokatit të Popullit, Gjykatës së Lartë, gjykatave të shkallës dhe të apelit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe të botës akademike ndanë në tryezë të njëjtat mendime sa i përket nevojës së pavarësisë së Gjyqësorit në përgjithësi dhe drejtësisë kushtetuese në veçanti. Një element shumë i qenësishëm i pavarësisë së Gjyqësorit, theksoi në fjalën e vet Dr. Hartweig, është sidomos ai i procedurës së emërimit të gjyqtarit kushtetues, proces që duhet të gjejë patjetër konsensusin edhe të opozitës, për ta bërë atë të paparagjykuar në veprimtarinë e tij pas emërimit. Probleme të mprehta të Gjyqësorit si ai i pavarësisë financiare, si një mjet i nevojshëm për të zvogëluar presionin ndaj Gjyqësorit, profesionalizmit të lartë të gjyqtarit kushtetues për të siguruar në këtë mënyrë integritetin e tij etj., ishin pjesë e debatit në tryezën e djeshme, e cila ishte e para në bashkëpunim me këtë fondacion, por jo e fundit. Kryetarja e këtij fondacioni, Dr. Stefania Ricarda, u shpreh se Fondacioni do jetë pranë Shqipërisë, ashtu si dhe në vendet e tjera të rajonit, për të ndihmuar në shkëmbimin e përvojave, rritjen e cilësisë së vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, sidomos në respektimin të drejtave dhe lirive themelore të individit. Aktiviteti u përshëndet dhe nga zëvendësambasadori i Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, Jan Rudolph.
1 Maj 2010