E Diel, 1 Nëntor 2026

Të prodhosh vrasës hipotetikë

Megjithëse vapa iku me gushtin dhe njerëzit duket se ndihen mirë me klimën e freskët, në Parlament dhe në mjediset e tjera ku bëhet politikë, temperaturat e larta më duket se janë rritur. Të gjithë duket se janë tej mase të preokupuar të mbrojnë pavarësinë e organeve gjyqësore; të gjithë duket se janë të shqetësuar për pavarësinë e organit të akuzës; të gjithë ngrejnë tonet që prokuroria të jetë e lirë dhe e pavarur në zbardhjen e krimeve. Deri këtu. gjithçka në rregull. Por sapo ndodh diçka që prodhon lëndë politike destruktive, opozita menjëherë nxiton të bëjë prokurorin, akuzuesin, gjykatësin, ekspertin kriminalist, mjekun ligjor etj.

Të gjithë këta ekspertë janë politikanë të opozitës ose disa analistë në krahë të tyre. Me sa duket, tipa të tillë vazhdojnë të jenë ithtarë të mendësive ‘gjoja të reja’ duke u hequr specialistë për gjithçka. Kjo gjë po ndodh edhe këto ditë pas humbjes së jetës, në rrethana ende të paqarta të një qytetari.

Spekulimi politik me këtë aksident, siç është cilësuar deri tani nga organet kompetente të caktuara me ligj, është jo vetëm antinjerëzor, por edhe provokativ. Është provokativ sepse ky spekulim i zhurmshëm nuk synon të zbardhë të vërtetën e as të mbrojë sigurinë e jetës, siç pretendohet, por për të bindur shqiptarët se edhe ata që humbin jetën në aksidente i ka vrarë qeveria, i ka vrarë SHIK-u, i ka vrarë Kryeministri. Ky qëndrim është i paskrupull, shumëfish i pavërtetë dhe i dëmshëm për çdo shqiptar. Kështu, nga dëshmitë e rastit s’mund të prodhosh vrasës hipotetikë të përcaktuar me emër. Kjo zhurmë politike me pseudoargumente juridike në zbardhjen e ngjarjes e të rrethanave, pengon organin e akuzës dhe policinë të vërtetojnë shkencërisht faktet reale. E gjithë kjo tymnajë mbi të ashtuquajturin krim shtetëror me Kryeministrin si autor, siç pretendohet, krijon një klimë destabilizuese, frike e pasigurie që rrezikojnë rendin publik dhe qetësinë publike.

I gjithë ky pasion zhurmues, jo vetëm largon vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale të shoqërisë, por zhvendos edhe vëmendjen e Parlamentit, qeverisë e të gjitha institucioneve të shtetit nga detyrimi e angazhimi për vazhdimësinë e reformave të nisura. Është paradoksale që opozita, gjoja e interesuar për reformat në drejtësi dhe reformën zgjedhore, largohet nga këto angazhime kryesore dhe merr rolin e policisë dhe të prokurorisë së shtetit. Ndonëse ulërasin për politikën e re dhe heqjen dorë nga politika e vjetër, opozitarët e sotëm në fakt kanë intensifikuar e po vazhdojnë politikën e vjetër të gërr-vërreve dhe akuzave për vjedhje, krim shtetëror, vrasje me dashje etj. Prej kohësh kjo opozitë qëllimisht nuk do që ta kuptojë se një kryeministër i zgjedhur në mënyrë demokratike nga shumica dërmuese e votuesve shqiptarë është kryeministër i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht votës pro apo kundër. Është vërtet për t’u çuditur që disa deputetë të opozitës në foltoret publike apo në Parlament përdorin për Kryeministrin: “Kryeministri juaj”. Pasi deklarojnë se ky Kryeministër nuk është yni, d.m.th i opozitës, ata ngrenë silogjizmin se meqenëse nuk është i të gjithëve, pra nuk është yni, është juaji, ai është një vrasës. Unë jam i qartë se këtyre akuzave e shpifjeve denigruese, edhe ata vetë nuk u besojnë, por e përdorin këtë alibi përpara tifozëve të tyre, për t’u kthyer në pushtet me çdo kusht edhe duke u çjerrë e akuzuar si në mitingun e sherrit të së premtes. Mirëpo kjo është një lojë sa cinike, aq dhe e rrezikshme. Nuk e di se në ç’qafë të nxjerr t’u thuash qindra mijëra shqiptarëve, ndjekës të opozitës që ky Kryeministër, nuk është juaji, ai është vrasës, ai është kërcënim për jetët tuaja. Janë deklarata jo të guximshme, por të marra, që shprehen nga njerëzit me defiçenca mendore dhe që të kujtojnë kohë të shkuara fatkeqe. Le ta lëmë prokurorinë të punojë, le t’i lëmë faktet të zbardhen, le të presim që akuzat të ngrihen ligjërisht, në bazë të fakteve, le t’i lëmë gjykatat të japin dënime, le të mos paragjykojmë askënd. Pra, le ta lëmë Parlamentin të merret me detyrën e tij, të bëjë ligje e jo llogje e shpifje. Është shprehje qytetarie të mbrosh cilindo, edhe Kryeministrin reformatorin largpamës e këmbëngulës, i cili që në fillim të mandatit shpartalloi në të gjithë vendin bandat e krimit të organizuar. Pra, duke mbrojtur atë nga akuza të rreme e të pabaza, ne mbrojmë shtetin e së drejtës dhe progresin e reformave.

*Deputet i PD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›