Ligji i njëjtë për të gjithë
Fjalët e thëna në këtë deklaratë e sublimojnë atë që është mendimi i një numri të madh të qytetarëve të këtij vendi. Brenda një periudhe shumë të gjatë që matet jo me vite, por edhe me dekada, shumë veprimtarë fetarë kanë qenë propagandues të luftës dhe kanë qenë nxitës aktivë të keqësimit të raporteve ndërfetare. Besoj që secili person normal ia ka shtruar vetes pyetjen se si është e mundur që dikush të jetë i mbrojtur nga ndjekja ligjore vetëm për shkak se është zyrtar fetar. Për anën morale nuk do të flasim. A shkojnë bashkë propagandimi i vlerave të larta humane, mbi të cilat bazohen të gjitha religjionet monoteiste dhe nxitja e urrejtjes në anën tjetër? Nuk shkojnë, për këtë konstatim nuk duhet ndonjë inteligjencë e veçantë. Por se shpeshherë, teoria e një religjioni, cilido qoftë ai, dhe zbatimi i tij në praktikë, nuk shkojnë bashkë, ajo është gjë e ditur. Është vërtetuar shumë herë gjatë historisë, vërtetohet edhe sot. Madje, fitohet përshtypja se sa më shumë që të thirrësh në parime fetare, aq më pak i zbaton ato.
Filozofi i madh, Nikola Makiaveli, ka pasur rast të shohë prej së afërti se si funksionon një pushtet i zhveshur, pasi që i ka kaluar disa muaj si zyrtar në pushtetin më të lartë në Firence të Italisë. Ai e ka cekur faktin se shumë ligjvënës të mençur kanë qenë të detyruar që të thirren në Hyun, sepse, ndryshe, populli nuk do t’u bindej ligjeve. Ai konsideron se roli i fesë për zhvillimin e karakterit njerëzor dhe mënyrës së veprimit, është i madh për shkak se mundësitë e ligjeve janë të kufizuara. Vet Makiaveli ka qenë i distancuar në mënyrë të prerë nga feja.
Për një vend të vogël, siç është Mali i Zi, i cili, përveç asaj, është edhe vend i diversiteteve etnike, fetare dhe kulturore, që është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian, në të cilën përgatitet të hyjë edhe Mali i Zi, pra, për shtet të tillë, është gjë vetëvrasëse që të lejohet që cilido sistem religjioz (ose organizatë religjioze) të sillet sikur të ishte e privilegjuar në shoqëri (në këtë rast KOS-i). Ilustrimi më i mirë i kësaj ishte ajo që ka ndodhur në Rumi disa vjet më parë dhe se askush nga pushteti laik nuk ka mundur ta këpusë këtë Nyje të Gordit. Pse? Nga shkaku i thjeshtë se Kisha Ortodokse Serbe e ka zënë pozicionin e tillë në skemën e një sistemi shoqëror, saqë ia ka arritur të sillet si shteti mbi shtetin. Ose, disi në të njëjtën kohë, fjalimet e mitropolitit të KOS-it, plot urrejtje, mbi rrezikun e personifikuar në fytyrën e "mbretit djallëzor Duklanas". Kush ishte ky? Ishte ky Diokli, biri i një fshatari të varfër ilir nga Stridoni i Dalmacisë, të cilin, kur u bë perandor romak e njohën si Dioklecian. Emër i njohur apo jo? Ky Diokli, kur e ka ngritur pallatin në Salonë (Spliti i sotëm në Kroaci), si tentim që emri i tij t’i mbijetojë kohës, as që ka ëndërruar se 17 shekuj më vonë emrin e tij dikush do ta përdorë në funksionin e shtrigës me të cilën trembën fëmijët para gjumit. Por, kjo duhet të shërbejë për të induktuar atë që është më shumë se frikë para gjumit.
Po ashtu, një shtet bashkëkohor evropian nuk mund t’ia lejojë vetes luksin që pushteti fetar të përzihet në punët që i përkasin pushtetit laik. Kur është fjala për KOS-in, ajo ka vepruar ashtu si thashë më lartë, si shtet mbi shtetin ose si shtet brenda shtetit. Procesi i ardhshëm në të cilin do të duhej të aprovohen kriteret e Bashkimit Evropian, pra, të një shoqërie me vlera të larta civile, do të bëjë që të mos ketë individë të mbrojtur nga përgjegjësia për veprat e bëra dhe fjalët e shprehura.