E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalvari i një atdhetari të shquar*

Kam një detyrim të lartë moral ndaj figurës së luftëtarit e patriotit Hysni Toska, si pasardhës i trungut të tij familjar. Ideologjia dhe propaganda komuniste i kanë deformuar dhunshëm ngjarjet historike në Shqipëri, duke i dhënë përmasat e tyre sipas interesave të partisë që i drejtonte. Historia nuk e formon dot njeriun. Është njeriu ai që me veprën e tij formon historinë. Por kjo është e vlefshme kur shprehet me realizëm, pa ndikimet partiake. Detyrimi im është që nëpërmjet dokumenteve zyrtare të plotësoj këtë skedë për figurën madhore të Hysni Toskës.

Ka lindur në Luar të Mallakastrës, në mars të vitit 1877. Sipas dokumentit të AQSH-së në fondin 103, dosjen 117, fletën 47, vitin 1873 të Kazasë së Beratit në gjuhën turke, rezulton se gjyshi i Hysniut ishte Mersini i parë që la tre djem: Shuaipin, babanë e Hysniut, Asllanin, babanë e Arshinit, Fuatit e Mersinit të dytë, si dhe Myslymin, babanë e Samiut. Asllani ka qenë një pjesëmarrës i lëvizjes kundër Tanzimatit në Shqipëri. Ai kundërshtonte politikën turke dhe atë të pashait vrionas të Beratit. Ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Sinjës së Beratit.

Në moshën 19-vjeçare Hysniun e marrin ushtar, shërbim që e kryen në Janinë, Kërçovë dhe Follorinë. Gjatë kësaj kohe kishte rënë në kontakt me Komitetin e Fshehtë që punonte për pavarësinë e Shqipërisë. Në vitin 1911 përfshihet në lëvizjen e çetave të lirisë. Ja çfarë shkruan Lef Nosi lidhur me këtë:

“Kur erdhi Namik Delvina në Cakran tek Bektashi, për të bërë një mbledhje për lëvizjen, Hysniu dërgoi xhaxhanë e tij, Asllan Toskën. Ismail Haki Libohova, bimbash i Turqisë, me një fuqi të madhe erdhi në Cakran. Asllani u kthye në shtëpi dhe tregoi si nisi lufta. Hysniu mblodhi një fuqi prej 40 pushkësh, shkoi në Cakran dhe u ra nga ana e malit, duke i hapur rrugën Bektashit me shokë për të ikur nga fusha” (L. Nosi, “Jeta e Hysni Toskës”, Arkivi Qendror Shtetëror, fondi 32, dosja 50, fleta 9-15).

Në vitin 1912, në krye të forcave të tij bashkohet me Qani bej Dishnicën, Pandeli Calën, Izet Zavalanin, Qemal Vrionin e të tjerë dhe lufton kundër forcave turke të komanduara nga Ruzhdi bej Orizi, i cili u fut në Luar dhe i bastisi shtëpinë. Në muajin korrik futet në Fier, duke çliruar qytetin. Atje u riorganizuan duke zgjedhur si komandant Zija bej Mullanë nga Berati.

Merr pjesë aktive në aktin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Në bazë të një telegrami të dërguar nga Ismail Qemali, shkon në Tepelenë ku mbledh popullin dhe ngre flamurin kombëtar të pavarësisë. Pas kësaj kthehet në Vlorë ku ngarkohet për të sulmuar forcat greke që kishin arritur deri në Dukat. Mbledh një forcë prej 100 burrash nga të zonës dhe në të gdhirë të ditës sulmon forcat greke në Llogora, të cilat shpejt detyrohen të marrin arratinë.

Në Llogora qëndroi për 6 muaj, pastaj zëvendësohet, me urdhër të Ismail Qemalit, nga Alem Tragjasi në krye të 300 labëve. Hysniu emërohet në detyrën e ruajtjes së rendit në Prefekturën e Beratit. Shquhet në luftën për kapjen e hajdutëve të zonës. Ja si shkruan Lef Nosi në shkrimin e cituar më sipër lidhur me këtë:

“Në Fier, ngrihet një Muhamet beu, që, kur dëgjoi burinë e Hysni Toskës pyeti: - ǒështë kjo buri more djema? – Ata i thanë se ishte e Hysni Toskës. – Po çfarë është ky qerrata Hysni Toska?, – pyeti ai. – Mos e shaj se të vret, - i thanë ata – Hëm... Mos i thoni tani se mos zemërohet”.

Hysni Toska mori pjesë aktive edhe në përkrahje të Aqif pashë Elbasanit, i cili qëndronte i rrethuar nga forca të shumta të komanduara nga Dervish Biçoku. Ja si shkruan Sejfi Vllamasi lidhur me këtë:

“Kundra Dervish Biçokut dërgohet një forcë nën komandën e Hysni Toskës, i cili, bashkë me fuqitë e Aqif pashës në Godolesh e shpartalloi Dervishin sa e detyroi të lërë në fushën e betejës kalin, dylbitë dhe Kuranin”.

(S. Vllamasi, “Ballafaqime politike në Shqipëri”, faqe 75).

Pas kësaj, Hysniu hidhet në luftë kundër rebelëve të Haxhi Qamilit. Lufton në zonën e Skraparit, Përmetit, Mallakastrës dhe Fierit. Shquhet beteja në Manastirin e Ardenicës ku iu vranë Riza dhe Godo Hekali, vëllezërit e vjehrrit të tij, Hajredin Hekalit. Pastaj me urdhër të prefektit shkon për të mbrojtur qytetin e Beratit nga rebelët. Hysniu, i hipur në minare të xhamisë, qëllonte rebelët dhe nuk i linte të afroheshin. Rezistoi për pesë ditë me radhë. Kjo betejë u përjetësua në këngën popullore që thoshte:

“Ah, sa shumë o lum Berati,/ Besa ty të ka prirë fati,/ Të drejton e ke nishan,/ Komandant Hysni Aganë”.

Pushtimin e parë të Shqipërisë e priti me indinjatë, duke iu kundërvënë atij. Për këto arsye internohet nga italianët në periudhën 1916-1918. Në Kongresin e Lushnjes është në krye të forcave civile që mbronin punimet e këtij kongresi. Mori pjesë aktive edhe në Luftën e Vlorës, si komandant i forcave mallakastriote.

“Kamber Belishova u shkarkua nga detyra e komandantit dhe vendin e tij e zuri Hysni Toska, një burrë me trupin dhe fytyrën e një luani të zbutur përgjysmë. Ky kishte rënë shumë herë në përpjekje armësh dhe kishte dalë gjithmonë me nder”.

Kështu shkruan për të Ago Agaj në librin “Lufta e Vlorës”, në faqen 192.

Në vitin 1925 zgjidhet asambleist dhe më vonë deputet i Beratit, detyrë që e ruajti për vite me radhë.

Edhe pushtimin e dytë të Shqipërisë, më 7 prill 1939, e priti si një patriot i vërtetë. Arrestohet në Therepel të Beratit. Ja si shkruhet në urdhrin e arrestit:

“Nënkolonel Hysni Toska, i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, me parime nacionaliste”. Ndërsa më poshtë: “Të arrestohen edhe Arshin, Fuat dhe Mersin Toska”.

Internohet në Konispol ku qëndron deri në fund të vitit 1942. Kthehet në Luar, ku vështron me sytë e tij betejën e forcave partizane me kriminelin Isa Kojdheli (që në mënyrë të qëllimshme mbante mbiemrin Toska për të tërhequr vëmendjen). Kur pa se Isai shpëtoi i gjallë, u largua për në Berat familjarisht. Isai në bashkëpunim me ushtrinë italiane i dogji shtëpinë. Më 12 mars 1942 i dërgon qeverisë shqiptare një telegram ku kërkonte arrestimin e “kriminelit të bujshëm Isa Toska”, i cili sikurse shkruhet në letër, “ishte një bishë e egër me fytyrë njeriu që s’ka lënë turp dhe njollë pa e ngarkuar në shpinën e vet”.

Në Berat, në shtëpinë e marrë me qera në Mal Çelepie, ku jetonte së bashku me bashkëshorten, vajzat dhe djalin 17ëvjeçar, Skënderin, më 25 shtator 1943, rrethohet pabesisht nga forcat partizane të komanduara nga Gjin Marku dhe i kërkohet të dorëzohet. Por a mund të dorëzohej një burrë i tillë? Lufton trimërisht deri në fishekun e fundit derisa mbeti i vrarë. I biri mundi të shpëtonte, por kapet pas pesë ditësh dhe pushkatohet më 30 shtator 1943.

“Ekspluatat e tij si luftëtar janë shumë, pse është ndodhur gati në të tëra lëvizjet nacionaliste qysh prej vitit 1912 e tëhu, por ngushtica e vendit nuk na premton t’i kalojmë me radhë shërbimet e tij, të cilat lypnin që t’i jepej një detyrë më e përshtatshme se vazhdimi në një dhomë babilonasish”, - shkruante gazeta “Minerva”, numër 25, datë 13 nëntor 1934.

Rrëgjimi komunist hakmarrjen kundër fisit Toskaj e vazhdoi në mënyrën më barbare, sidomos pas marrjes së pushtetit. Vriten si ballistë dy kushërinjtë e tij, Fuat Asllan Toska dhe Sami Myslym Toska në vitin 1944. Në vitin 1945 vritet pabesisht Arshin Asllan Toska, ku me aktin numër 25, datë 7.11.1946 e quanin të vrarin viktimë dhe lironin fajtorin. Në vitin 1946 dënohet kushëriri tjetër, Mersin Toska i dytë, si armik populli dhe pas disa vjetësh me vendimin numër 466, datë 13.12.1952, gjykata e Beratit e ridënon përsëri, kësaj here me vdekje me pushkatim. Në vitin 1946 dënohet gjithashtu me burgim të gjatë edhe Myslym Toska, i cili lirohet pas 15 vjetësh.

Persekutimi vazhdoi edhe në brezin tjetër të këtij fisi. Shpallen kulakë dhe internohen fëmijët e tyre të mitur: Qerimi, Shyqyriu, Sabriu, Fatbardhi. Në Krujë internohet familja e Mersinit, në Lushnje ajo e Hysniut, në Sukth ajo e Arshinit. 14 nipërit dhe stërnipërit e Hysniut e kryen ushtrinë në repartet e punës të Bistricës, Qaf-Gjarprit dhe bonifikimeve të ndryshme, që nuk u linin gjë mangut atyre të kampeve të punës së detyruar.

Një gjendje e tillë vazhdoi deri në vitet ‘90 kur në Shqipëri u vendos shteti demokratik.

*Me rastin e 65-vjetorit të vrasjes

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›