E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të publikohen emrat e bizneseve që s’duhet të financojnë partitë”

23/02/2009  “Transparency Interantional” u kërkon institucioneve shqiptare të ngarkojnë ILDKP-në

Kodi përcakton rastet kur ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik

“Transparency Interantional Albanian”, në kuadër të luftës kundër korrupsionit gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe në respektim të Kodit Zgjedhor, u ka kërkuar institucioneve shtetërore të hartojnë listën e të gjitha bizneseve që duhet të përjashtohen nga financimet e partive. Kjo organizatë ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të autorizojë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të hetojë financat e subjekteve politike. “Personat juridikë dhe aksionarët e tyre që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në dy vjetët e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, u ndalohet me ligj kontributi financiar ndaj partive politike. Sipas Kodit Zgjedhor, ndalohet që të financojnë fushatat elektorale subjektet politike që kanë detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit apo ndaj çdo institucioni publik” - tha gjatë një konference për shtyp përfaqësuesi i TIA-së Kliton Zguri. Të njëjtën kërkesë ai ua drejtoi edhe subjekteve politike, të cilat sipas tij duhet të respektojnë ligjin e zgjedhjeve. “TIA u kërkon të gjitha partive të bëjnë publike listën e të gjithë personave juridikë dhe aksionerëve të tyre, të cilëve sipas Kodit të ri Zgjedhor iu ndalohet financimi i subjekteve politike gjatë fushatës elektorale. Gjithashtu çdo parti politike, por edhe KQZ-ja të publikojnë pas zgjedhjeve të qershorit në 5 gazetat me tirazh më të lartë, në televizion dhe internet listën me shpenzime për aktivitetet përkatëse, dhuratat, reklamat si dhe çdo të ardhur nga subjektet private. Gjithashtu duhet të publikohen edhe rezultatet e auditimit me qëllim informimin e publikut”, -vijoi ai. Për sa i takon kalimit të auditit të partive nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, Zguri e përfundoi deklaratën e tij, duke i kërkuar Kuvendit që me ligj ti besojë ILDKP-së realizimin e kontrollit dhe transparencën e shpenzimeve të partive politike, si një mekanizëm i pavarur dhe jo politik në këtë proces. Sipas nenit 88 të Kodit Zgjedhor, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit apo pronësia. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me “përdorim të burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore. Edhe marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë, me përjashtim të rasteve të motivuara, konsiderohen veprimtari të institucionit publik.

Kodi Zgjedhor

Ligji për zgjedhjet në nenin 89 të tij ndalon dhënien e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij, nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme: ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë; ushtron aktivitet në fushën e medies; ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme, ose ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit dhe ndaj çdo institucioni publik.

Listat e deputetëve

“Transparency International Albania” u kërkoi dy javë më parë partive politike që përkrah hartimit të listave të deputetëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të bëjnë publik jetëshkrimin e tyre. TIA-ja vlerësoi se kjo ka si qëllim që mandatet e deputetëve të mos jenë peng i presionit financiar apo çfarëdo presioni tjetër, por vetëm shprehje e vullnetit të votuesve, që do të votojnë bazuar mbi një informacion të plotë për kandidatët për deputetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›