E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dergon ne Kuvend, ligj te posacem per mbrojtjen e bimeve mjekesore

Bime medicinale

Tiranë, 23 shkurt 13:05 NOA – Qeveria shqiptare ka vendosur të marrë masa konkrete për mbrojtjen e pasurisë kombëtare në fushën e bimëve medicinale dhe produkteve të tjera duke hartuar një projektligj i cili sot i është dërguar për miratim, Kuvendit.

Projektligji “Për mbrojtjen e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore”, ka për qëllim të mbrojë fondin e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore që rriten e zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas draftit, kjo mbrojtje do të realizohet duke zbatuar masa mbrojtëse e administruese, tërësore për fondin e të veçanta për çdo lloj, duke respektuar kërkesat teknike për vjeljen e mbledhjen e tyre, duke nxitur e përkrahur veprimtaritë për rehabilitimin e për kultivimin e tyre.

Në të njëjtën kohë, drafti parashikon të mbrojë edhe llojet e kultivuara nga njeriu, në sipërfaqet e fondit të tokave pyjore, kullosore apo bujqësore, gjatë kultivimit, mbledhjes e vjeljes së tyre, si dhe llojet e kultivuara në parcela eksperimentale, në kuadër të veprimtarive kërkimore-shkencore.

Po ashtu, synohet edhe mbrojtja e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore dhe tanifere natyrore, që rriten e zhvillohen në gjendje natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë, e që është pasuri kombëtare.

Sipas projektligjit, nuk synohet vetëm mbrojtja në terren e këtyre bimëve por edhe mbikëqyrja e periudhës së rritjes, vjeljes e mbledhjes, si dhe gjatë magazinimit e transportimit të tyre, për t’ua ruajtur vlerat, përdoruese e kurative, të tyre.

Fondi i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore përbëhet nga llojet e nënllojet e bimëve dhe popullatat e tyre, si dhe nga habitatet, tokësore e ujore, ku ato rriten e zhvillohen në gjendje natyrore, si pjesë e rëndësishme e florës së vendit.

Bimët mjekësore, janë bimët e njohura për vlerat e tyre terapeutike, kurse ato eterovajore”, janë bimë prej të cilave ekstraktohen vajra eterike dhe esenca.

Ndërkohë, bimët tanifere natyrore”, janë ato, prej të cilave ekstraktohet substanca e taninit.

Përmes draftit ligjor, synohet shmangia e dëmtimit të këtij fondi, pasuri kombëtare. Në ligjin e propozuar, dëmtim konsiderohen prishja e elementeve fizike, kimike e strukturore të ekosistemit, që ndikojnë, drejtpërdrejt, në uljen e prodhimtarisë, në pakësimin e shumëllojshmërisë së bimëve apo në cilësitë e tyre.

Mbrojtja, sikundër thuhet në draft, parashikohet të bëhet me veprimtari që parandalojnë degradimin e tokës, ruajnë llojshmërinë e mbulesës bimore, i përmirësojnë ato dhe infrastrukturën e tyre, nga ndikimet negative të faktorëve, njerëzorë e natyrorë.

Po ashtu, është parashikuar edhe një plan mbarështimi, si një dokument shtetëror për administrimin e fondit të BMET-ve, si dhe masat, që parashikohen për trajtimin e qëndrueshëm të tyre, organizimin, planifikimin e masave mbrojtëse dhe përcaktimin e kapaciteteve për mbledhjen e vjeljen e tyre.

Nga ana tjetër është menduar dhe për llojet e bimëve me popullata të pakësuara, të rralla e në rrezik zhdukjeje.

Ato do t’i nënshtrohen rehabilitimit, i cili synon përmirësimin rrënjësor të gjendjes së llojeve, duke shtuar popullatat e tyre dhe duke shmangur ose zbutur ndikimet negative të faktorëve, që i kanë rrezikuar.

Sakaq, një kapitull më vete i draftit, është i mbushu me sanksionet, si gjoba administrative, etj.

Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë: 

a. Vjelja dhe grumbullimi pa kontratë i llojeve të BMET-ve në fondin pyjor dhe kullosor publik, dënohet me gjobë nga 80 deri në 100 mijë lekë.

b. Mbledhja e BMET-ve të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje, të shpallura të tilla në listën përkatëse, të miratuar nga ministri, dënohet me gjobë nga 100 deri në 150 mijë lekë.

c. Vjelja dhe grumbullimi i llojeve të BMET, që janë përkohësisht të ndaluara, sepse janë në parcela eksperimentale, në parcela ku kryhen punime përmirësuese e që janë të degraduara, dënohen me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.

ç. Vjelja dhe grumbullimi i llojeve të BMET-së jashtë kërkesave teknike për kohën e vjeljes, dënohet me gjobë nga 50 deri në 100 mijë lekë.

d. Vjelja dhe grumbullimi i llojeve të BMET-ve me mënyra e forma, që dëmtojnë bimët, dënohen me gjobë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë.

dh. Transporti i bimëve nga qendrat e grumbullimit për në qendrat e përpunimit apo për eksport, i pashoqëruar me vërtetimin e transportit dhe faturat përkatëse, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë.

e. Dëmtimi i BMET-ve nga hedhja, braktisja e depozitimi i lëndëve e i mbetjeve radioaktive, brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve, ku ato rriten, dënohet me gjobë nga 70 deri në 100 mijë lekë dhe me detyrimin që kundërvajtësit të pastrojë sipërfaqet e ndotura.

ë. Dëmtimi i BMET-ve nga hedhja, braktisja e depozitimi i mbetjeve apo i inerteve, brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve, ku ato rriten, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë dhe me detyrimin që kundërvajtësit të pastrojë sipërfaqet e ndotura.

f. Dëmtimi i BMET-ve nga hedhja e depozitimi i lëndëve e i mbetjeve kimike, brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve, ku ato rriten, dënohet me gjobë nga 70 000 (shtatëdhjetë mijë) deri në 100 mijë lekë dhe me detyrimin që kundërvajtësi të pastrojë sipërfaqet e ndotura.

g. Dëmtimi i BMET-ve nga hedhja dhe shkarkimi i ujërave të ndotura, industriale dhe urbane, brenda sipërfaqeve pyjore, kullotave apo livadheve, ku ato rriten, dënohet me gjobë nga 30 000 (tridhjetë mijë) deri në 50 mijë lekë.

gj. Dëmtimi i BMET-ve nga përdorimi i pamiratuar i plehrave kimike dhe i pesticideve dënohet me gjobë nga 30 deri në 50 mijë lekë.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›