E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, rëndohet situata në pediatri

23/02/2009  Shtohet masivisht numri i të prekurve, mungojnë vendet e shtrimit për komplikacionet

Mjekët pohojnë se kategoria më e rriskuar nga ky virus mbeten moshat e vogla

Urgjencat spitalore gjatë këtyre ditëve po përballen me një fluks të lartë pacientësh që po manifestojnë simptomat e vrisnit të gripit, veçanërisht te moshat e vogla. Pediatria gjatë këtyre ditëve ka shënuar një fluks rekord të komplikacioneve për shkak të këtij virusi. Çdo ditë pranë urgjencës së pediatrisë paraqiten për ndihmën e shpejtë më shumë se 350 pacientë të vegjël. Ndërkohë një pjesë dërrmuese e tyre e marrin ndihmën pranë poliklinikave, çka tregon se shifra e të prekurve mund të jetë edhe më e lartë. Java që sapo lamë pas, sipas mjekëve duket se ka shënuar fluksin më të lartë të pacientëve të prekur me grip, numri i të cilëve mendohet të ketë tejkaluar shifrën 15 000.

Përhapja

Fatkeqësisht, numri i pacientëve të sëmurë me komplikacione të gripit ka ardhur në rritje, ndërsa kapacitet për trajtimin e tyre mbeten të kufizuara. Te shumë fëmijë virusi i gripit është shoqëruar me komplikacione për shkak të mostrajtimit të tij në kohë. Këta të fundit kanë nevojë për shtrim të menjëhershëm në pavijonin e infektivit. Por ky i fundit është tejmbushur, kapacitet e tij të kufizuara nuk lejojnë pritjen e pacientëve të tjerë të shumtë në numër, që duan ndihmën mjekësore. Gjatë ditës së djeshme mjekët kanë pohuar se në pavijonin e infektivit në pediatri nuk ka shtretër për fëmijët të cilëve gripi u ka shkaktuar komplikacione. Ndërkohë që numri i vizitave shtohet nga dita në ditë, ambientet për trajtimin e tyre mbeten të kufizuara. Kategoria më e rriskuar mbeten moshat e vogla dhe veçanërisht ato nga 2 deri në 8 vjeç, ku simptomat shoqërohen me temperaturë të lartë, e cila mbart pasoja të rënda në shëndetin e fëmijës.

Trajtimi

Pjesa dërrmuese e fëmijëve që mbartin këtë virus manifestojnë temperaturë të lartë, e cila, nëse nuk merr trajtim dhe kujdes të specializuar në kohë, shoqërohet me komplikacione të shumta te fëmija. Kundrejt kësaj situate mjekët këshillojnë që menjëherë sapo të shfaqen simptomat e para të kërkohet ndihma e mjekut, si dhe të hiqet dorë nga trajtimi në kushtet e shtëpisë, sepse në këtë formë gjendja e fëmijës rendohet edhe më shumë. Kujdes i veçantë këshillohet për moshat parashkollore dhe ato të arsimit bazë, ku qëndrimi në ambiente kolektive mund të bëhet shkak për marrjen e këtij virusi. Rastet kur fëmija manifeston temperaturë të lartë, dhimbje të forta kockash dhe kollë e bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, atëherë duhet kërkuar ndihma e specializuar e mjekut, sepse në këtë rast bëhet fjalë për grip.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›