Berisha takon Obamën dhe Klintonin
Kryeministri Berisha zhvilloi dje në Kopenhagë takime me krerët më të lartë të politikës amerikane, Presidentin Baraka Obama dhe sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton. Në një prononcim për mediat pas takimeve, Kryeministri theksoi se Presidenti Obama, tregoi një interes të gjallë për Shqipërinë. Sipas Berishës, Obama iu përgjigj me shumë kënaqësi edhe ftesës për një vizitë në Shqipëri. Po kështu, Berisha theksoi se gjatë takimit me Klinton ishin shkëmbyer jo vetëm përshëndetje, por edhe mendime të përzemërta. Berisha u shpreh se Klinton i kishte premtuar gjithashtu se do të vizitonte Shqipërinë. Në një prononcim për mediat, pas pjesëmarrjes së tij në Samitin e Ndryshimeve Klimaterike, Berisha theksoi se kishte paraqitur përpara të pranishëmve në konferencë dhe strategjinë e Shqipërisë për të qenë një vend i cili do të eksportonte energjinë e gjelbër në rajon. Sipas Berishës, paraqitja e kësaj strategjie kishte si qëllim edhe sensibilizimin e shteteve të tjera, mbi potencialin e Shqipërisë për energji të gjelbër. "Të dhënat dhe shifrat që unë paraqita patën një impakt thellësisht pozitiv, pasi nuk u mora me asnjë retorikë, por me projekte konkrete ku unë i bëra thirrje vendeve të pasura dhe institucioneve financiare të botës që të mbështesin sektorin privat të Shqipërisë për shndërrimin e saj në një superfuqi të vogël të energjisë së gjelbër‘", u shpreh Kryeministri Berisha.