E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telekongresi i partisë së Dules

Sot, në një sallë restoranti të hotel "Tiranës" zhvillohet një Telekongres ose Kongres telefonik Partie. E gjithë pjesëmarrja në të është siguruar me telefon ose sms. Nuk do të ketë ftesa për anëtarët e organeve drejtuese nga qendra dhe baza dhe as delegatë të zgjedhur, ashtu si zakonisht zhvillohen Kongreset. Ai do të bëhet thjesht në unanimitet të plotë, për të rikonfirmuar mbështetjen ndaj kryetarit Dule, si një akt i fundit i tragjedisë ku ai, autori Vangjel Dule, varros njëherë e përgjithmonë imazhin e vërtetë të PBDNJ-së. Në këtë ceremoni do të mungojnë edhe njerëzit më të afërm dhe më të dashur të saj, të cilët me dhimbje të thellë do ta përcjellin atë nga ekrani i televizionit. Të mashtruarit e Vangjel Dules, ata që presin edhe një herë ofiqet e humbura, nuk mund të mbushin dot gjithë sallën, kështu që janë marrë të gjitha masat për të sjellë njerëz nga rrethinat e Tiranës për të duartrokitur oratorinë e kryetarit dhe për të krijuar entuziazmin artificial për këtë teleshow. Tre kanë qenë shtyllat kryesore që veçonin PBDNJ nga partitë e tjera dhe e bënin atë të sigurt politikisht e të dashur në elektoratin e saj. Forca e garantuar elektorale, dinjiteti politik dhe fisnikëria e përfaqësimit. Asnjë nga këto shtylla nuk ekziston më. Forca e garantuar elektorale e saj ndodhej te minoriteti etnik grek, i cili siç rezultoi edhe nga zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk e voton më, sepse kjo parti ka kohë që ka braktisur interesat e tij politike. Ky proces ka filluar atëherë kur kryetari në detyrë Dule filloi t‘i etiketonte minoritarët në "patriotë" dhe "tradhtarë", ku patriotë ishin ata që ishin pro tij, e tradhtarë ata që mendonin ndryshe nga ai. Kjo ishte përçarja e parë e madhe që i bëri mbështetësit e partisë të largohen në kahe të ndryshme të politikës për të mos u nëpërkëmbur. Braktisja e interesave të minoritetit etnik grek kulmoi me votimin në Parlament nga ana e zotit Dule kundër hapjes së dosjeve, duke marrë kështu në mbrojtje ata që persekutuan minoritetin etnik grek ashtu si popullin shqiptar. Dinjiteti i PBDNJ-së që qëndronte në indipendencën elektorale humbi qysh kur zoti Dule e privatizoi partinë dhe e shndërroi atë në një Appendis të PS-së, megjithëse partia bënte pjesë në një koalicion qeverisës të suksesshëm, ai bënte marrëveshje të fshehta dhe personale me PS-në pa përfillur organet drejtuese të partisë për të dalë për herë të parë në historinë e PBDNJ-së me një koalicion paraelektoral imponues dhe me pasoja. Fisnikëria e përfaqësimit të partisë që qëndronte te mbrojtja e lirive e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve nuk ekziston më. Për liritë dhe të drejtat e njeriut nuk ka realizuar ndonjë objektiv të qenësishëm dhe sa u përket minoriteteve ato kanë hequr me kohë besueshmërinë te PBDNJ-ja. Në këtë parti, vetëm liritë, dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut nuk mbroheshin më. Qëllimisht dhe tinëzisht zoti Dule në emër të të drejtave të njeriut e duke i shkelur me zell ato, përgatiti skenarin e zi për denigrimin e figurave brenda PBDNJ-së, duke mbytur brenda partisë mendimin ndryshe, alternativën, në shkelje flagrante të statutit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›