E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë e PD-së japin dorëheqje kolektive, i bashkohen FRD-së: Berisha është një pensionist

frdNjë grup të rinjsh të Forumit Rinor të Partisë Demokratike për Tiranën kanë dhënë dorëheqje kolektive dhe i janë bashkuar Frymës së Re Demokratike.

Edhe pse kanë vite në forumin e të rinjve demokratë, ata thonë se nuk duan të qëndrojnë në një parti që drejtohet nga një politikan në pension.

Sot kryeministri përfaqëson një politikan në pension, që ka drejtuar vendin më shumë se gjysmën e tranzicionit dhe që sot, për shumë arsye, është bërë pengesë për të djathtën, demokracinë, vendin dhe të ardhmen e tij. Në respekt të bindjeve tona politike, të aspiratave tona për demokraci funksionale dhe të mbështetësve tanë bashkëmoshatarë, ne sot deklarojmë publikisht dorëheqjen kolektive nga anëtarësia në PD dhe njëherësh, anëtarësimin kolektiv në shtëpinë e vërtetë të rinisë dhe të djathtës moderatore shqiptare, Fryma e Re Demokratike. Ne nuk po zgjedhim heshtjen në shkëmbim të privilegjeve të pushtetit, por po zgjedhim dinjitetin dhe respektin për veten, po bëjmë zgjidhje morale me bindje të plotë se ky veprim do të ketë mirëkuptim të gjerë dhe do të shërbejë si një pikë nisjeje për akte të tilla qytetare nga kolegë të shumtë demokratësh të zhgënjyer, thuhet në deklaratën e të rinjve.

Për ne është e papranueshme mungesa e demokracisë së brendshme në parti, mungesa e hapësirës për konkurrim, mungesa e mandateve legjitime për të gjithë drejtuesit kryesorë në parti, forumin e gruas dhe atë rinor; braktisja e programit elektoral me të cilin erdhëm në pushtet si dhe klima konfliktuale dhe refuzuese që PD ka krijuar me SHBA, BE dhe shtetet mike perëndimore. Për ne është e papranueshme çmimi i lartë i bashkëqeverisjes korruptive me LSI dhe forca të tjera tradicionale të së majtës; është e papranueshme ikja nga përgjegjësitë e saj të keqqeverisjes, refuzimi i analizës 4 vjeçare, mbyllja e hapësirës për debatin mbi të ardhmen e PD-së dhe kalimi i saj nga parti vlerash europiane në parti klani, karteli dhe praktikash antiligjore. Mbi të gjitha për ne është e papranueshme që partia politike e krijuar dhe e mbështetur nga intelektualët dhe rinia studentore të shndërrohet sot në parti rurale, e mbyllur, refuzuese ndaj ideve të reja, pa projekte reale për rininë dhe pa vullnet pozitiv për të mbajtur as minimumin e projekteve dhe standardeve të premtuara, vijon deklarata e tyre./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›