E Diel, 1 Nëntor 2026

Tak-Tak… Onufri, 27 artistë sot në garë

SHKRUAN: Aida Tuci 23-12-2010 11:59

Piktura, fotografi, skulpturë, dhe instalacion nga 27 artistë shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës u përzgjodhën për ekspozim në bazë të konceptit kuratorial me titull “Unë jam ARTI-st” në ekspozitën “Onufri 2010” që do të çelet sot në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Përzgjedhja e veprave pasqyron zhvillimin e artit bashkëkohor nga artistët shqiptarë dhe u krye në bazë të njohjes dhe vlerësimit të krijimtarisë së artistëve. “Në këtë ekspozitë do të njihemi me vepra që transmetojnë veprimtari të koshiencës dhe subkoshiencës së artistit gjatë procesit të formimit dhe të ekzekutimit të veprës. Punët e “Onufri 2010” transmetojnë në figura çështje që ceken në konceptin kuratorial dhe disa prej tipareve të fizionomisë së artit dhe të jetës problematike shqiptare. Gjithashtu, do të dallojmë kahun e identitetit të zhvillimit të artistit të ri shqiptar. Ai tenton, si prodhues i veprës së artit, të tregojë se vetë është një produkt njerëzor që nis tek edukimi akademik, brumoset gjatë përshkuarjes së rrugës konceptuale dhe është tentues për të lënë shenja gjatë eksperiencave krijuese bashkëkohore.”- tha në prag të çeljes së ekspozitës më të rëndësishme ndërkombëtare kuratorja Suzana Varvarica Kuka. Në prolog të konkursit “Onufri” pati shumë debate për shkak se Galeria Kombëtare e Kosovës (konkretisht drejtori i saj) hodhi dyshime mbi lënien jashtë të artistëve kosovarë. Por duket se reagimi i tij ishte i parakohshëm në momentin që kuratorja Kuka ende nuk kishte përcaktuar listën e pjesëmarrëse. Në listën e 27 të përzgjedhurve janë përfshirë edhe tre artistë kosovarë. E ndërkohë edhe pas kësaj vjen sërish një tjetër reagim i drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, i cili në një intervistë për një të përditshme kosovare deklaron vetëm një ditë para çeljes së ekspozitës se janë përzgjedhur 3 artistë kosovarë, që, sipas tij, janë të panjohur për hapësirat e Kosovës. “Veprimi që organizatorët e ‘Onufrit’ kanë bërë me futjen e tre artistëve kosovarë në këtë konkurs, në shikim të parë të panjohur për hapësirat e Kosovës dhe gjithsesi edhe për Shqipërinë, është hileqar. Këtë veprim e marr si një tendencë për t’u ‘mbyllur gojën’ atyre që ngritën problemin e ‘Onufrit’. Duket se është bërë vetëm për të na e larë ‘borxhin’”- deklaroi Spahija. Madje, ai shkon më tej duke deklaruar se ka refuzuar ftesën për të qenë pjesë e jurisë së konkursit “Onufri”. “Më është bërë ftesa nga ana e nëndrejtorit të GKA-së, Buron Kaceli, natyrisht që këtë ftesë nuk e kam marrë si të sinqertë, ndoshta gabohem, pasi kam paragjykuar, dhe paragjykimet janë gjithmonë të dëmshme. Por të gjitha gjërat që kanë ndodhur para asaj ftese më çonin në drejtimin e një ‘hileje’. Ata u përpoqën që, duke më bërë anëtar të jurisë së ‘Onufrit’ të heshtin të gjithë problemin, por ky problem duhet të eliminohet dhe jo të heshtet, me komunikimin e dy galerive, emrat nuk kanë rëndësi, por institucionet”, deklaron Spahija për të përditshmen kosovare. E pavarësisht debateve që u hapën sërish vetëm një ditë para hapjes së ekspozitës, sonte në Galerinë Kombëtare të Arteve 27 artistë nga Shqipëria dhe Kosova do të konkurrojnë për çmimin më të rëndësishëm të arteve pamore. Artistët pjesëmarrës, Gazmend Leka, Andi Hila, Edmond Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjergji Shoshi, Ledia Konstandini, Heldi Pema, Endri Dani, Gentian Gjikopulli, Matilda Odobashi, Genti Korini, Alketa Ramaj, Oriana Kamberi, Artan Draçini, Sidi Kanani, Nikolin Bujari, Rrezart Galica-Giqi, Sabile Tmava-Billi, Driton Selmani, Sara Çapaliku, Anon, Një Njeri, Violana Murataj, Enkelejd Zonja, Greta Dhaskali Lami, Ilirjan Shima dhe Entela Kasemi deri më 3 shkurt të 2011 (kur dhe do të shpallet fituesi i konkursit) do të tregojnë me veprat e tyre se mbi të gjitha “Ata janë artistë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›