E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Korçë, pranga "shpëtimtarit"

Policia e Korçës akuzon për bashkëpunim në vrasje 26-vjeçarin Klement Kaçolli, i cili shoqëroi për në spital emigrantin Mehdi Laho, të vrarë të dielën në një pritë në Qafën e Qarrit. Policia ka thënë se viktima Mehdi Laho është qëlluar nga afër nga persona të cilët nuk konfirmohet të kenë qenë të maskuar. Fakti që 26-vjeçari ka mbijetuar dhe për më tepër nuk ka pësuar asnjë dëmtim apo plagosje ka shtuar dyshimet ndaj 26-vjeçarit që udhëtonte në makinë me viktimën. Ngjarja e rëndë, sipas policisë, ka për autorë të paktën tre persona. Kaçolli, i cili ka qenë dëshmitari kyç i krimit, sipas policisë ka qenë në dijeni të planit të autorëve të krimit dhe madje dyshohet të ketë bashkëpunuar me ta për vrasjen e 48-vjeçarit. Sipas Policisë së Korçës, arrestimi i 26-vjeçarit Klement Kaçolli është bërë pasi ai ka penguar hetimet e mëtejshme mbi ngjarjen dhe zbulimin e autorëve të krimit. Edhe pse është i vetmi që ka parë nga afër personat që kanë qëlluar mbi 48-vjeçarin Mehdi Laho nga fshati Starje, Kaçolli nuk ka deklaruar emrat e autorëve, edhe pse këta kanë vepruar të pamaskuar. Nga hetimet ka rezultuar se kanë qenë të paktën tre persona që kanë kryer ekzekutimin. Sipas policisë, tre persona kanë qenë jashtë mjetit në pritje të Mehdi Lahos në një kthesë në kilometrin 22 të rrugës nacionale Korçë-Kolonjë në Qafën e Qarrit. Viktima është qëlluar nga afër, pasi ka ndaluar mjetin e tij dhe ka marrë plagë në këmbë dhe në pjesën e barkut, të cilat për shkak të gjakderdhjes i kanë shkaktuar më pas edhe vdekjen. Sipas policisë, viktima ka mbërritur i vdekur në spitalin civil të qytetit rreth orës 00:30. Ai është çuar në spital nga 26-vjeçari Klement Kaçolli, i cili po udhëtonte me të. Të dy shtetasit kishin qenë në Korçë për të dorëzuar një shumë parash dhe ishin nisur për në Ersekë rreth orës 23:00. Në afërsi të km 22 në Qafën e Qarrit, sipas policisë u kanë dalë përpara tre persona të armatosur, të cilët pasi u kanë marrë tre aparate telefoni celular, kanë qëlluar me armë në drejtim të shtetasit Mehdi Laho, duke i shkaktuar atij plagë në këmbë dhe në bark. Por, nga kjo ngjarje ka mbetur i gjallë dhe pa asnjë dëmtim 26-vjeçari që ndodhej në të njëjtin mjet. Sipas policisë, në rast se do të ishte një vrasje e rastësishme apo qoftë edhe e planifikuar për të ekzekutuar 48-vjeçarin, autorët nuk do të linin gjallë një dëshmitar okular. Kjo ka bërë që policia të ketë dyshime ndaj shoqëruesit të Mehdi Lahos për bashkëpunim në këtë krim ndaj bashkëfshatarit të tij. Ai mendohet se e ka futur në kurth 48-vjeçarin. Ndaj të arrestuarit nga fshati Starje, sipas policisë, janë ngritur paraprakisht dy akuza: "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", si dhe "deklarime të rreme para prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore". Për vrasjen e emigrantit, policia ka ngushtuar edhe rrezen e hetimeve. Sipas të dhënave nga ana e policisë, vrasja ka pasur si motiv pazare të drogës me origjinë nga shteti grek. Larja e hesapeve mbetet edhe pista e vetme ku po synon policia zbardhjen e së vërtetës mbi këtë krim të rëndë. Edhe pse në mjet nuk është gjetur asnjë shumë parash, mendohet se ngjarja ka ardhur pasi është bërë edhe dorëzimi i tyre në qytetin e Korçës. Më pas ka ardhur edhe ekzekutimi i 48-vjeçarit. Sipas policisë, autorët kanë qenë më këmbë kur kanë dalë në rrugë. Në vendngjarje nuk janë gjetur shenja të një mjeti tjetër. Nga hetimi është përjashtuar grabitja e mundshme ndaj emigrantit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›