E Diel, 1 Nëntor 2026

Të sëmurët me zemër e diabet, në kërkim të mikut për një shtrat në QSUT

Infermieret: Prej një jave pavijonet plot, pacientët duhet të presin radhën


Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ditët e fundit duket sikur është zaptuar nga pacientët që enden duke kërkuar një shtrat për tu mjekuar rregullisht në spital.Një pjesë e madhe e pavijoneve kanë një mbipopullim të njerëzve të ardhur nga pothuajse të gjitha zonat e vendit. Por më të spikaturit duket se janë pavijonet e sëmundjes së diabetit

dhe asaj të zemrës tek të cilët për tu shtruar duhet të gjesh një mik të fortë mjek apo duhet të marrësh ndonjë rekomandim të veçantë nga ndonjë prej specialistët në drejtorinë e QSUT-së për të arritur të mjekohesh qoftë edhe për pak ditë në spital. Vetë infermieret e disa pavijoneve në QSUT deklaruan dje për gazetën SOT se që prej një jave është tepër e vështirë gjendja e shtrimit të pacientëve pasi janë zënë pothuajse të gjithë shtretërit. Kemi përditë kërkesa për shtrime të reja, vetë pacientët vijnë e na kërkojnë që ti ndihmojmë, por janë zënë pothuajse të gjithë shtretërit të sëmurët e rretheve janë ata që ankohen më shumë tha dje për gazetën një prej infermiereve të pavijonit të kardiologjisë. Po rata që e vijnë vërtet mungesën e një shtrati në pavijon janë të sëmurët e rretheve që udhëtojnë për ditë të tëra me rekomandimin e mjekut të familjes dhe kthehen mbrapsht në qytetet e tyre me pretekstin që nuk ka vende në spital. Në lidhje me këtë disa prej të afërmeve të këtyre pacientëve thanë dje për gazetën se kishin udhëtuar rreth 7 orë më makinë nga Saranda në kryeqytet bashkë me të sëmurin i cili vuante nga zemra dhe ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore pasi kishte kriza nga zemra më në fund pas dy ditë qëndrimi në një nga hotelet e spitalit e kishin shtruar në spital. Jemi torturuar për dy javë rresht, kam ardhur katër herë në spital për tu takuar me mjekun e për ti thënë se i afërmi im nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe si pasojë nuk mund të priste gjatë pa mjekim të kontrolluar, i kisha të gjitha dokumentet e shtrimit në rregull më kanë zvarritur kot dy javë rresht me ndihmën e një njeriut tim më në fund arrita të gjeja një shtrat bosh tha dje një qytetar nga Saranda i cili kishte të shtruar të afërmin e tij në një nga pavijonet e QSUT-së. Sipas këtij qytetari nëse ndokush nuk mund të gjej dot dikë për ta ndihmuar është shumë e vështirë të bëhet shtrimi për arsye se pavijonet janë mbushur plot e duhet të presësh radhën për disa ditë. Këtu po gjete një mik dhe po spate një njeri të afërt që të ndihmojë mund të mbetesh pa ndjenja edhe në korridor, dhe kjo nuk i bën përshtypje askujt tha dje për gazetën një prej pacientëve që kishte pësuar para një jave një atak kardiak dhe vetëm me ndihmën e të afërmit të tij mjek kishte mundur të shtrohej në spital. Por një gjendje problematike përsa i përket problemit të vonesave të gjata në shtrimin e të sëmurëve në spital paraqitet edhe në pavijonin e reanimacionit ku pacientët të cilët janë të sapooperuar ose në gjendje të vështirë për jetën nuk mund të shoqërohen nga asnjë i afërm i tyre. Kjo sipas infermiereve rëndon ajrin dhe situatën e pacientit pasi krevatet janë plot dhe qëndrimi i shumë personave në një dhomë të vogël është problematik për të sëmurët  rëndë. Lidhur me këtë fakt korridori i katit të dytë të  reanimacionit përditë është i mbipopulluar nga të afërmit e të sëmurëve. Duke pritur me orë të gjata mbrapa derës kryesore në korridor të afërmit e të sëmurëve nuk kursejnë as shakatë me rojën policore i cili  herë pas here acarohet me protestat e njerëzve për hyrjen brenda në pavijon.


Kushtet
Numri i mjekëve  në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza shkon rreth 382, në total ndërsa shtretër janë 1400 në të gjithë spitalin, plus 139 pedagog dhe sipas përllogaritjeve i bie që rreth 100 mjekë janë tepër organikës së spitalit, pasi një mjek, sipas rregullores, duhet të ketë rreth 5 shtretër. Por vihet re qartë që në të gjitha pavijonet shtretërit janë pothuajse dyfish me tepër sesa numri i lejuar. Madje ka raste që vetë pacientët ankohen se shtretërit janë shumë ngjitur me njëri tjetrin dhe në dhomat e shtrimit ka shumë pak hapësira qoftë edhe për të lëvizur.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Marte, 30 Mars 2010 19:24

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›