SHËNIME NGA PROVINCA
Nga Sokrat Habilaj
-9-
Natyrisht tani do të ishte momenti për të folur për atë akt madhor të rivarrosjes së prijësit, por meqenëse kjo është një ngjarje që nuk ndodh shpesh, është e arsyeshme të flasim më vonë për të, pasi shumë gjëra të jenë sistemuar nga distanca e kohës. Pas kësaj ne mund të shohim më qartë, nëse këta banorë vërtet janë kaq tragjik, kaq të respektuar kur rivarrosin një prijës, apo thjesht ata po bëjnë sërish një trill të tyre të zakonshëm, atë që ata dinë ta bëjnë kaq bukur, pra nëse ata thjesht edhe në këto çaste janë duke ringjallur talljen e tyre që nuk zhduket kurrë. E pra kjo gjë nuk mund të thuhet kaq lehtë, nuk mund të mbyllet thjesht duke përshkruar ngjarjet ashtu si ndodhin, si i thonë fjalës me një frymë, por duhet të presim. Dhe ne po presim, ndërsa hedhim sytë tej nëpër tavolinat e lëndinës sonë të mbushura plotë.
Nuk e di nëse kemi thënë se në provincën tonë rrallë mund të gjesh dy banorë në një mendje. Këtu nuk është fjala se gjithë kjo provincë nuk ka vërtet dy banorë që mendojnë njëlloj, por fjala është se dy të tillë kurrë nuk gjenden asnjëherë në të njëjtën tavolinë. Nëse pyet i çuditur dikë, pse kjo provincë ka vetëm njerëz që mendojnë ndryshe, ai të thotë se ishte edhe dikush që mendonte si unë, por ai sapo iku dhe tani nuk dihet ku është pllajave të provincës, ose edhe mund të mos ketë qenë, por do të vijë pas pak. E keqja është se kur të vijë ai, unë nuk do të jem këtu dhe në vendin tim do të jetë dikush që do të mendojë ndryshe nga unë, e pra ndryshe edhe nga ai tjetri e kështu sherri do të rinisë, ndërsa unë do të jem larg. Vriteni mendjen sa të doni, thërrisni në ndihmë edhe filozofët që i keni përbri pak tavolina më tej, thërrisni dijetarët, apo poetët, asgjë nuk keni për të mësuar. Sherret vazhdojnë ritmin e tyre, ritualin e tyre, si risi e një vesi që ka lindur bashkë me banorët e provincës sonë.
Madje thonë se ka raste kur krejt pa dashje, tej psikologjisë së këtyre banorëve, edhe kur ndodhë rrallë që dy vet të kenë të njëjtin mendim, ata alarmohen. Si ka mundësi që ne të dy të kemi mendim një njëjtë!? Pas kësaj lebetie, pak nga pak gjithçka kthjellohet dhe ata kthehen në brazdën e tyre të zakonshme, pra kthehen në kundërshtarë dhe rinisin sherrin të lumtur.
Kur i shikon ashtu, me fytyra të humbura në tymin e duhanit, apo avujt e alkoolit, të duket sikur secili prej tyre ka prijësin e vet, sikur secili prej tyre ka edhe provincës e vet. Kur i shikon ashtu të menduar, të duken paqësorë me përjashtim të ndonjë rasti krejt sporadik dhe të pa menduar mirë, kur dikush pëshpëritë nën zë, se po lodhemi si shumë me dashurinë ndaj këtij prijësi dhe mbase është mirë që ai të iki. Dhe kjo ndodhë sepse edhe për dashuritë e madhe, vjen një kohë që ato ngopen. Pas kësaj, njerëzit që mbartin dashuri të tilla, zhyten në trishtim dhe të shikojnë me ca sy të habitur, si të duan të thonë, na mbyte prijës me dashurinë tënde, na mbyte, kaq shumë të deshëm!
Natyrisht kjo ndodhë rrallë, ose nuk ndodhë fare, sepse nuk ka shanse që prijësi i radhës të iki ndryshe, veçse direkt nga sarajet me tabut, kur ta caktojë vet Zoti. Pra meqenëse kjo gjë nuk mund të bëhet, duhet vepruar ndryshe. Për të zbutur inatet tona, për të lumturuar shpirtin tonë rebel, për të krijuar imazhin se ne nuk jemi kaq të urtë edhe para prijësit, duhet gjetur një trill, sikur gjoja ne edhe mund të mendojmë se mund ta rrëzojmë prijësin nga froni.
Ja shikoni atë burrë të shkurtër rrondokop që rri në heshtje, vetëm pak tavolina më tej nesh që të bindeni. E pra ai, me atë shikim oksidental, me atë veshje, po kaq oksidentale, që edhe fjalëve të provincë sonë u jep një theks po kaq oksidental, deri dje nuk lodhej duke shkelur skutave të provincës sonë për tu mbushur mendjen, më sakët për tua lajthitur mendjen banorëve të thjeshtë, se duhet ta largojmë atë që kemi prijës atje në saraje. Kur fliste ne e shikonim si tuhafë, sepse shpesh herë nxirrte një aparat të ardhur andej nga vinte edhe mendja e tij, pra nga Oksidenti, dhe nuk dihet se çfarë i thoshte ai aparat i çuditshëm, por në fund ai shtonte se sipas llogaritjeve që më thotë kjo vegla, rezulton se po të marrim katër të qindtat e një ledhi, një të mijtat e një cope përroi, tre të dhjetëmijtat e një lëndine, njëzeteshtatë të njëqindmijtat e një udhe, apo shtatë të qindtat e një lëmi ku do të mbajmë fjalimet tona, ne do ta mundim prijësin dhe në vend të tij do të vendosim një prijës të ardhur nga radhët tona. Ai na thoshte se duhej një prijës nga soji ynë. Për këtë vrapoi pa u lodhur pas prijësit që kishte në mendje, prijësit që do të vinte në vend të atij që kemi. Ulej para prijësit që mendonte se do të vinte në pushtet, i tregonte atë veglën e ardhur nga Oksidenti dhe pastaj thoshte se kishte bërë edhe një kalkulim të ri. Nëse do të merrnim edhe nëntë të mijtat e një pllaje, apo një të miliontën e atij malit përballë, ai do të bëhej prijës padyshim.
Edhe tani ai po bënë sherr të madh vetëm pak metra më tej. Ne ndjekim me kërshëri këtë burrë të shkurtër, rrondokop që gjatë gjithë kohës nuk kuptohet nëse qeshë, apo rri serioz, pasi në buzë mbanë të stampuar një pamje misterioze. Por ndoshta duhet të jetë vetëm serioz, sepse këtë ja kërkon kalkulimi i atyre mijëra shifrave dhe varianteve dhe ajo vegla që mban në dorë, ardhur prej Oksidentit nga ku nxjerrë të dhënat e tij.
Herë e ngre zërin, herë duket i trishtuar, herë duket i inatosur, herë është mosbesues me ne, por gjithmonë ka bindjen e plotë se prijësi që kemi e ka mbushur kupën për të ikur nga sarajet dhe atje duhet të vejë prijësi i fisit të tij. Herë hutohet dhe gati do që të bërtasë kur shikon hutimin tonë, herë zemër gjerë psherëtinë, si të dojë të thotë se nuk kam çfarë të bëjë juve, por jam i detyruar të punojë me ju për ta rrëzuar prijësin.
Sot rrëzimi bëhet ndryshe, shton ai. Bëhet vetëm me kalkulimet që dalin nga kjo vegla. Pastaj ikën me vrap pas shefit të fisit të tij, për të cilin pretë me padurim sa të vijë në pushtet, por thonë se ka raste që ikën edhe andej nga sarajet dhe gojët e liga flasin edhe ca thashetheme për të. Të gjitha natyrisht janë vetëm fjalë dhe asgjë më shumë. Ai ka të drejtën e tij të ligjshme që të shkojë kudo, madje edhe brenda në saraje, sepse asnjë betejë nuk mundet të fitohet nëse nuk e njeh armikun sa duhet. Vrapon, vrapon si ai, e sa kthehet andej nga sarajet, nën zë thotë se fitorja po vjen, sepse edhe një kleçkë që unë kisha merak, tani është në favorin tonë. Ngre kokën lart, shikon një nga një fytyrat tona hutaqe, shton se nuk do të ishte keq nëse do të kishim për vete edhe tre të katërtat e dy të tretave të pjesës së majtë të lumit, a përroit tonë, e cila ndodhet vetëm pak hapa nga e djathta e sarajeve të prijësit.
Ai është i gjithi mendje, i gjithi ide dhe lum ai prijës, apo kandidatë për prijës që e ka në çetën e tij. Ka shumë inat me ata që janë brenda në saraje, ka mllef ndaj tyre, ndërsa ka merak për ne. Në trurin, a në atë veglën tij, ai krijon formacione kundër njeri-tjetrit, të denja për luftë. Por çudia qëndron në faktin se ndërsa ne jemi të ndarë në grupe që luftojnë kundër njeri tjetrin, në dy fise që e urrejmë njeri-tjetrin, ndërsa jemi si tabor lufte, ndërsa ne që rrimë çdo ditë aty rreth tavolinave dhe ata të fisit tjetër që janë brenda në saraje jemi kaq të ndryshëm nga njeri-tjetri, askush nuk e ka inat atë burrë të shkurtër dhe rrondokop. Askush nuk shpreh asnjë fjalë të keqe kundër tij. Madje e shikojnë me admirim të madh. E duan të gjithë atë burrë të shkurtër dhe rrondokop, e duan si ata për të cilët ai po lufton me mish e me shpirt për ti çuar në saraje, por po kaq e duan edhe ata për të cilët ai po mundohet pa u lodhur për ti përzënë nga sarajet. Ndodhin gjëra të çuditshme në provincën tonë. Një nga këto çudi është edhe ky burrë kalkulues, cili nuk i do të gjithë, po