Shuhet pas një sëmundjeje të pashërueshme ish-kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede
Tiranë – Shuhet ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar. Bashkim Gazidede ka humbur betejën për jetën dje, pas një lufte të gjatë me sëmundjen e pashërueshme. Ish - kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), sot Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), ndërroi jetë dje pasdite, pas një sëmundjeje të gjatë të cilën e kuroi pa sukses. Gazidede u financua dy herë nga qeveria aktuale për të ndihmuar në kurimin e tij. Më 27 nëntor 2006 Ministria e Shёndetësisё, me vendim qeverie, i dha Gazidedes katёr milionë lekë për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për kurimin e tij nё Itali. Kurse më 17 shtator 2008 me një tjetër vendim qeverie, u akorduan edhe një milion e pesëqind mijë lekë për kurimin e Gazidedes në Itali. Gazidede, në vitet 1992-1996 ishte shef i SHIK-ut, institucioni më i përfolur për krime ndaj qytetarëve përmes keqtrajtimit, deri në zhdukje dhe eliminim fizik njerëzish. Në vitin 1997 Gazidede u largua nga Shqipëria kur ajo ishte në momentet më kritike të saj, kaos total dhe prag lufte civile, pasi shteti hapi burgjet dhe lejoi armatimin e popullatës.
Në vitin 2006 Gazidede u rikthye në Shqipëri pasi fitoi qeverisjen Partia Demokratike. Në një të vetme intervistë që ai dha më 26 tetor 2006, pak muaj pasi kishte mbërritur në Shqipëri, tregoi se kishte qëndruar larg vendlindjes për shkak se shtetin e mori për ta drejtuar opozita socialiste. Pikërisht ajo opozitë, që aq shumë e kritikoi Gazideden dhe SHIK-un për persekutim “të pashoq” të politikanëve opozitarë. Por SHIK-u, i drejtuar nga Gazidede, është gjendur si përgjegjës në mars 1997 dhe për djegien e redaksisë së një të përditshmeje. Për pak kohë Gazidede punoi si zëvendësdrejtor i Zyrës së Hipotekës së Republikës. Kohët e fundit ai vuante nga një sëmundje që me gjithë përpjekjet për kurim në Itali, i mori jetën.
26 Tetor 2008