E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të shohësh botën në një kokrrizë rëre



Vendi im njihet si Mali i Zi. Ku gjithçka është e vërtetë, unë jam mbretëresha në kështjellë, që e mban fare lehtë shkopin e saj magjik. Flas me erën, i buzëqesh qiellit, trupin e laj me ujërat e pyllit, këndoj një melodi me harpat e trishtuara. Dhe, kështu, shkruaj... Po kështjella ku na qenka?! Është veç një shtëpizë pa dhoma e dritare. Shtëpi ku dielli vezullues humbet, ku s’dëgjohet prej së largu melodia e harpave. S’ka as buzëqeshje qielli, as gjurmë përroi, vendi është po ai. Është Mali i Zi. E unë përsëri vazhdoj të shkruaj. Duhet të jem vetvetja, thellë Malit të Zi.

Herë-herë, mendoj me vete për ndonjë botë tjetër, për një qiell tjetër. Ndonjëherë rrezet e një dielli tjetër shkëlqejnë mbi mua. Lagem nga pikat e një tjetër shiu, flladi i një tjetër ere më përkëdhel. Është bukur t’i buzëqeshësh një tjetër qielli. Veç unë dua diellin tim, detin e vendin tim. Edhe gjuha në të cilën shkruaj, mban emrin e vendit. Gjuha vetë është si vetë vendi – e ndjej dhe nuk e ndjej, e dëgjoj e nuk e dëgjoj, e shoh e më humbet nga sytë. Jam e mallëngjyer, e humbur prej kësaj gjuhe. Ndjehem e mrekulluar kur vij rrotull prej gjuhës, e cila më çon tutje, më jep formë. Kështu krijohem, i jap kuptim mendimeve, më vërtetësisht se shkopi magjik, më fuqishëm se qielli. Mendimi im është Mali i Zi. Lotët e mi janë Mali i Zi. Poezia ime është Mali i Zi.

Tanja BAKIÆ

1.
Do t’ju rrëfej një histori për një tjetër diell, qiell, det, re, shi, mëngjes… Do t’ju rrëfej një histori për një tjetër kodër, hënë, përrua. Do t’ju rrëfej një histori për një vend, vendin ku unë jam lindur e jetoj. Do t’ju rrëfej një histori për vendin ku dëshiroj aq shumë të jem.
Por, ndoshta, nuk po ju them të vërtetën për këtë vend. Ky vend ndoshta ekziston vetëm në mendjen time. Ndoshta dielli, hëna, retë, deti e shiu i tij nuk janë të vërtetë. Megjithatë, unë ende mendoj për to.
Po, ky vend mund të ekzistojë vërtet; plot diell, njomur me vesë, vezullues, kështu do të doja të ishte. E tillë është kështjella ime magjike, që nuk do të doja ta braktisja. Atje, përfytyroj sikur jam mbretëreshë ulur në fron. Mbretëreshë me shkop magjik në dorë. Mbretëreshë me një kurorë gurësh të kuq, të çmuar. Mbretëreshë që shëtit përreth pallatit të saj magjepsës.
Por ndonjëherë aty s’ka diell që të shkëlqejë, as hënë që rri mbi det në mbrëmje. Dhe vesa, mbledhur mbi gjethet në mëngjes, s’duket gjëkundi. Madje, edhe unë nuk jam mbretëresha me kurorë plot gurë të kuq të çmuar e që shëtit rreth pallatit të saj të magjishëm. Nuk jam as mbretëresha, që mban në dorë shkopin e saj magjik për të plotësuar çdo dëshirë. Në të vërtetë, aty nuk ka asnjë dëshirë.
Kështjella nuk është më kështjellë, por një shtëpizë pa dhoma e dritare.
Vendi im njihet si Mali i Zi. Ku gjithçka është e vërtetë, unë jam mbretëresha në kështjellë, që e mban fare lehtë shkopin e saj magjik. Flas me erën, i buzëqesh qiellit, trupin e laj me ujërat e pyllit, këndoj një melodi me harpat e trishtuara.
Dhe, kështu, shkruaj.

2.
Po kështjella ku na qenka?! Është veç një shtëpizë pa dhoma e dritare. Shtëpi ku dielli vezullues humbet, ku s’dëgjohet prej së largu melodia e harpave. S’ka as buzëqeshje qielli, as gjurmë përroi, vendi është po ai.
Është Mali i Zi.
E unë përsëri vazhdoj të shkruaj. Shkruaj në vendin tim. Ka pak rëndësi - është kështjellë magjike apo shtëpizë e vogël fare. S’ka gjë nëse jehon era apo melodia e harpës. Nuk ka rëndësi nëse çmendem prej diellit apo nga pluhuri. S’ka pikë rëndësie nëse shkopi, që kam në dorë, është magjik apo thjesht shkop. Që të shkruaj, unë duhet të jem e jo të mos jem, të kem e jo të mos kem, të shoh e jo të mos shoh, të dëgjoj e jo të mos dëgjoj, të ndjej e jo të mos ndjej. Duhet të jem vetvetja, thellë Malit të Zi.
Herë-herë, mendoj me vete për ndonjë botë tjetër, për një qiell tjetër. Ndonjëherë rrezet e një dielli tjetër shkëlqejnë mbi mua. Lagem nga pikat e një tjetër shiu, flladi i një tjetër ere më përkëdhel. Është bukur të shohësh një tjetër botë, t’i buzëqeshësh një tjetër qielli. Veç unë dua diellin tim, detin tim dhe vendin tim, që për dreq quhet “male të zeza”! (Mal i Zi - Monte Negro).
Dhe gjuha në të cilën shkruaj, mban emrin e vendit. Gjuha vetë është si vetë vendi – e ndjej dhe nuk e ndjej, e dëgjoj dhe nuk e dëgjoj, e shoh e më humbet nga sytë. Jam e mallëngjyer, e humbur prej kësaj gjuhe. Ndjehem e mrekulluar kur vij rrotull prej gjuhës, e cila më çon tutje, më jep formë. Kështu krijohem, i jap kuptim mendimeve, më vërtetësisht se shkopi magjik, më fuqishëm se qielli. Mendimi im është Mali i Zi. Lotët e mi janë Mali i Zi. Poezia ime është Mali i Zi.
Pena ime më ndihmon të flas me qiellin, që më buzëqesh e përkundet tek unë, diellin, që më jep dritë e ngrohtësi, dhe me detin që hedh dallgë drejt meje. Ndaj gjuha, në të cilën shkruaj, nuk është e vogël sa ajo copë tokë që është vendi im. Ajo zmadhohet, gjëthpërfshihet. Dielli e di gjuhën time, shiu e flet gjuhën time, retë e përroi gjithashtu. E tillë është dituria që vjen prej tokës, ujit, ajrit, zjarrit, detit, kodrave, maleve, prej katër cepave të botës. Është e kuptueshme prej çdo tërfili. E di çdo yll.
Jam e lumtur që vij prej këtij vendi të vogël, të quajtur Mali i Zi.
E lumtur që shkruaj gjuhën malazeze.

3.
Nëse një mëngjes, verbues prej gjelbërimit, vihesh në kërkim të një kënge zogu, dhe të qëllon të rrëzohesh, në vendin e vogël, të quajtur Mali i Zi, sigurohu të lësh gjurmë të thella në shtigjet e gurta të tij. Ndjeje peizazhin malazez, që ju pret me zemër. Të bie shansi ty, apo ndokujt tjetër, të jesh në kështjellën magjike, mban shkopin magjik apo s’mban gjë në dorë, do ta dëgjosh këngën e detit, do ta shohësh buzëqeshjen e erës, do t’i prekësh rrezet e shndritshme të diellit. Do t’i kuptosh të gjitha, dhe do të jesh i lumtur për këtë. Do të kuptosh edhe se gjuha malazeze s’është aq e vogël, por e madhe, që mbush çdo zemër të vetmuar, çdo shkëmb të fortë, që gërryen veten.
Ndoshta vendos të mos largohesh më nga Mali i Zi, sapo të besosh se në atë copë të vogël toke mund të kesh gjetur atë që po kërkoje. Një tërfil, një shkëmb a një melodi të largët, që hyn vjedhurazi te ti, do të jenë zënë rob nga sytë e tu. I gjithë vendi është kështu – kaq i madh e i vogël. Ai mund ta gjejë lehtësisht rrugën nën shpërfilljen e hijes së mendimit, në shenjtërinë e vargut, te një kokrrizë rëre:

Të shohësh botën në një kokrrizë rërë
E parajsën në një lule fushe
Gjithë pafundësinë në pëllëmbën e dorës
E përjetësinë në një çast.

(William Blake, Auguries of Innocence)

Nëse ia del, si William Blake - poeti, të shohësh botë në kokrrizën e rërës, do t’ia dalësh të dëgjosh edhe zogjtë duke kënduar, të gjesh një grimcë të fshehur për shumë kohë në ndjesitë e tua, të pastrohesh dhe nga ujërat e kristalta që rrjedhin egër në brendësi. Do t’ia dalësh t’i bësh të gjitha këto, nëse e ke të hapur zemrën në këtë vend të quajtur Mali i Zi (njëlloj siç bëri edhe zonja Moore në ‘Foster’s A passage to India’).

4.
Të jesh shkrimtar në Mal të Zi, do të thotë të ecësh në të dyja shtigjet njëherësh. Njëri të çon drejt kështjellës, tjetri të mban larg prej saj. Është një rrugë, që të jep gjithçka e nuk kërkon prej teje asgjë si shkëmbim. Është një rrugë që të bën me flatra, që herë-herë të bën të fluturosh nga një botë në tjetrën, por të kthehesh sërisht atje, ku po ajo kokrrizë pret ta gjesh botën tek ajo. Dhe bota kurrë nuk ka qenë aq e qartë në sytë e tu.
Blake mëton ende se mund ta kapësh Përjetësinë në një çast. Edhe unë ashtu e ndjej. Më pas, ti mund ta fshish forcërisht atë grimcë të vërtetë, duke i lejuar vetes të kuptosh lagështirën e saj të brendshme - mendimet t’i kesh të ndrydhura nga vetëtima e bubullima shumë të vjetra. Nuhatja jote mund të jetë frymëzuar prej gjetheve ngjyrëgështenjë të vjeshtës dhe fushat e largëta bojëmanushaqe. Sytë e tu të jenë pushtuar prej pulëbardhave që fluturojnë atje lart, ku deti takon qiellin. Shija jote mund të jetë e kënaqur me fiqtë dhe rrushin e mrekullueshëm prej vreshtave të hershme. Trupi yt mund të çohet rrëmbimthi prej mendimeve të mia e të rendë drejt tij.
Kështu është Mali i Zi. Dhe, ja ç’do të thotë të jesh shkrimtar në Mal të Zi. Shkrimtar që zbret me këmbë në tokë, pasi ka përmbushur ëndrrën. Një shkrimtar që shkruan në një gjuhë jo të madhe, por unike, që pushton çdo zemër të vetmuar, çdo shkëmb të fortë, çdo pulëbardhë, çdo fik, çdo hardhi, çdo mëngjes, çdo sy, çdo gjëmim, çdo vetëtimë, çdo gjethe vjeshte, çdo det dhe çdo pikëz loti.

Përktheu Silvana Leka

1 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›