Mungojnë librat e shqiptarëve
Një lloj zhgënjimi krijohet, kur viziton faqen më të njohur elektronike të librit “amazon.com” dhe aty nuk arrin të gjesh shumë nga librat, për të cilët shqiptarët sot kanë më shumë nevojë. Për shembull, aty nuk ndodhet në shitje asnje libër mbi historinë e Skënderbeut, përfshi veprat e mirëfilltat të Barletit e Nolit, pa përmendur ato të autorëve të tjerë, vendas e të huaj, që nuk janë pak. Një gjendje e ngjashme vihet re edhe në qendra të tjera globale të shitjes së librit në internet.
Astrit LULUSHI (SHBA)
Atdhetarizmi është dashuri e përkushtim i një populli apo individi për vendin dhe vlerat e tij. Dhe këto ndjenja mund të tregohen me fjalë ose veprime. Por kur mungojnë kushtetet që ato të mbruhen e të shprehën nga të gjithë njësoj, atdhetarizmi i ngjan një gare të padrejtë dhe ai që del i pari vetëshpallet më atdhetar se tjetri.
Kjo garë, jo sportive, me një çmim kaq të lartë, shpesh i bën njerëzit të harrojnë qëllimin përse vrapojnë. Në raste të tilla, mes tyre lind smira, inati e xhelozia, dashuria vritet e, bashkë me të, edhe vetë ata që përpiqen të dashurojnë. Pista e garës për atdhetarizëm bëhet kurth, dhe vrapuesit u ngjajnë atyre që bien në moçal, nga ku sa më shumë përpiqen të dalin prej tij, aq më thellë zhyten, derisa humbasin.
Në raste të tilla shprehja “atdhetar”, për nga forca e pasionit, i ngjan vetëm asaj të urrejtjes që ndez përdorimi i fjalës “tradhtar”. Të dyja këto ndjenja të kundërta ndeshen sot thuajse në të gjitha bisedat a debatet politike, shoqërore, fetare e kulturore mes shqiptarëve, në botën reale a virtuale.
Librat historikë, biografikë apo ato me kujtime gjithmonë kanë luajtur rol sqarues e zbutës në këtë drejtim, pasi duke përhapur njohjuri, libra të tillë nxisin krijimin e kushteve që të gjithë njerëzit të jenë në gjendje ta duan njësoj, me fjalë a vepra, atdheun e tyre. Por këto kushte bëhen të barabarta për të gjithë vetëm kur libra të tillë, me vlera njohëse e edukative, gjenden kudo e në çdo kohë, kur shtypja e tirazhit të mjaftueshëm dhe shpërndarja e tyre sponsorizohen a nxiten nga shteti, i cili ndodhet aty që të administrojë edhe përkujdesjet për përhapjen e vlerave të kombit mes gjithë shtetasve të vet
Por një lloj zhgënjimi krijohet, kur viziton faqen më të njohur elektronike të librit “amazon.com” dhe aty nuk arrin të gjesh shumë nga librat, për të cilët shqiptarët sot kanë më shumë nevojë. Për shembull, aty nuk ndodhet në shitje asnje libër mbi historinë e Skënderbeut, përfshi veprat e mirëfilltat të Barletit e Nolit, pa përmendur ato të autorëve të tjerë, vendas e të huaj, që nuk janë pak. Një gjendje e ngjashme vihet re edhe në qendra të tjera globale të shitjes së librit në internet.
Në “amazon.com”, që u shërben çdo ditë qindra mijëra në mos miliona njerëzve në mbarë botën, mungojnë libra studimorë rreth figurave të Rilindjes kombëtare, si të vëllezërve Frashëri, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Prishtinës e shumë të tjerëve, megjithëse ato ekzistojnë. Gjithashtu, nuk mund të gjesh asnjë libër prej studiuesve të njohur të gjuhës e të kulturës shqipe, si Çabej, Koliqi, Camaj e shumë të tjerëve. Po në librarinë elektronike më të madhë në botë, “amazon.com”, nuk gjendet në shitje qoftë edhe një kopje e Historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërkohë që mendohet se më shumë se 1/3 e kombit jeton larg atdheut, në megrim, ku një brez fëmijësh, të rinj a te reja, pritet të ruajnë traditat e të parëve, por që më parë duhet t'i mësojnë.
Mes librave rreth shqiptarëve, “Memoirs of Ismail Kemal Bey” (London 1920), është sot një ndër librat më të kërkuar në botë. Një kopje, që ndodhej para pak kohe në një dyqan antikuarësh në Londër, mbante çmimin prej rreth një mijë dollarësh.
Për herë të parë, “Memoirs of Ismail Kemal Bey” u ribotua në anglisht, i plotësuar me shënime e kapituj shtesë nga Renzo Falaschi, në vitin 1997 në Romë. Por ky libër, të dyja botimet në anglisht e një botim më 1978 i përkthyer në italisht, ka kohë që është zhdukur nga qarkullimi. Për herë të parë libri “Kujtimet e Ismail bej Qemalit” u botua në shqip, falë Sh.B. Toena, vetëm në vitin 1997, botim që, rastësisht a jo, përkoi me trazirat shkatërruese si pasojë e rënies së skemave piramidale. Si pyetja tronditëse “Quo Vadis?”, ashtu edhe libri i Ismail Qemalit, për nga përmbajtja, duket se u bë atë vit një thirrje për kujtesë drejtuar shtetit nga vetë themeluesi i tij.
Thuhet se librat, si “Kujtimet e Ismail bej Qemalit”, të shkruar në kohë të vështira, vlejnë më shumë në kohë paqeje. Ato përmbajnë përvojë, mësime, urtësi, por që bëhen të vlefshme vetëm kur përhapen. Megjithatë, aq të paarritshëm janë sot këto libra për lexuesin e gjerë, sa që e shtyjnë tjetrin të mendojë se libra të tillë trajtohen si pronë e një rrethi të veçantë, ose si mallra të shitjes me pakicë, ashtu si aparatet televizive në kohën e diktaturës, që ishin të pakët, të shtrenjtë dhe me autorizime ndaheshin vetëm për njerëz të caktuar.
Gjithashtu, mosbotimi herë-pas-here i librave me kaq shumë vlerë, derisa çdo familje shqiptare t’i ketë në bibliotekën e vet, ashtu siç mban Kuranin a Biblën, duket se nxitet edhe nga ndonjë mendësi e tkurrur, që e bën njërin të thotë se është më shqiptar se tjetri.
1 Shtator 2008