Pranga dy piratëve italianë, vodhën 15 milionë lekë
Dy 25-vjeçarët gjenovezë kishin arritur që nëpërmjet thyerjes së kodeve të kryenin 750 transaksione bankare
Dy piratë italianë të kompjuterëve, duke pasur frikë të ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal në Itali, e kishin shtrirë në Shqipëri, duke grabitur llogari bankare nëpërmjet klonimit të kartave dhe thyerjes së kodeve nga serverët. Por, falë ndihmës së pajisjeve të dhuruara të policisë shqiptare, ata janë prangosur pas një hetimi disamujor, pavarësisht se kanë mundur të shkaktojnë një dëm prej 15 milionë lekësh të reja. Nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, u finalizua operacioni policor i koduar “Paterica”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Luca Maria Calvi, 25 vjeç dhe Gabriele Pasqualino, 25 vjeç, të dy me banim në Gjenova të Italisë. Arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se ata, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e Bankës “Intesa SanPaolo” në Shqipëri, duke përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Si rezultat i punës gjurmuese policore, këta persona u kapën në flagrancë rreth orës 01.00 në një nga ATM-të e kësaj banke. Nga kontrolli i personave dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin akomoduar, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale shumë mjete të sofistikuara pune. Policia tha se sekuestroi një “lap top”, me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader” që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare, nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23 000 eurosh, një shumë prej 200 000 lekësh të tërhequra nga ATM në Tiranë, një autoveturë e tipit “Chrysler”, me targë TR 7726 R, me ngjyrë të zezë dhe një dosje për kamuflimin e kartave plastike. Nga hetimet paraprake, deri tani rezulton se ky grup, këtë aktivitet kriminal e kryente për herë të dytë në Shqipëri. Deri tani është konfirmuar se në degët e Bankës “Intesa SanPaolo” kanë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Janë përdorur mbi 250 karta. Shuma e parave të tërhequra llogaritet mbi 15 milionë lekë. Strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet për zbulimin edhe të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas në bankat e vendeve fqinje.
#