Pranohen faljet e Etos
18/05/2005 Skuadra e Real Madridit ka pranuar faljen e kërkuar nga sulmuesi i Barcelonës, Samuel Eto. Gjatë festës së skuadrës së Frank Rajkard në “Camp Nou”, lojtari i Kombëtares kamerunase thotë: “Madrid cabron, saluta el campeon (Madrid bastard ndero kampionët)”. “Pranojmë faljen që ai na ka kërkuar”- ka deklaruar zëvendëspresidenti i Real Madridit, Emilio Butragenjo, nga adresa zyrtare e klubit në internet. “Veprimi i tij është për t’u vlerësuar”- ka shtuar më pas Butragenjo. Nga ana tjetër, edhe kapiteni i Real Madridit, Raul, ka duartrokitur vendimin e Samuel Etos, për të tërhequr fjalët e thëna në mikrofon, përpara 100 mijë të pranishmëve. “Është e qartë që ai ka gabuar, por jam i kënaqur me faktin se ai u mundua të rregullonte gjithçka. Do të ishte më mirë nëse nuk diskutohej më, në lidhje me këtë çështje”- deklaroi Raul gjatë një konference për shtyp. “Unë nuk mund të gjykoj asnjeri. Të gjithë mund të gabojnë, por ai dha shembullin e mirë duke kërkuar falje”. Ka qenë pikërisht skuadra e Realit, që kishte 50% të kartonit të Etos, por gjatë verës së kaluar vendosi t’ia jepte atë Barcelonës.