Maldini: Ndihem si një adoleshent
18/05/2005 Po përgatitet të zhvillojë finalen e shtatë në Ligën e Kampioneve me fanelën e Milanit, por Paolo Maldini ndihet i emocionuar si herën e parë: “Ndoshta dikush mendon se për mua është normale të luaj një finale në Champions, por nuk është ashtu. Ndihem i emocionuar si një adoleshent dhe fakti që e luaj këtë finale për të shtatën herë më mbush me krenari dhe më bën ta dashuroj akoma më shumë këtë sport”. Kapiteni kuqezi shpjegon edhe ndryshimet mes Ligës së Kampioneve e kampionatit: “Në Champions ke më shumë mundësi të përqendrohesh, sepse ke përpara vetëm pak ndeshje dhe mund të paraqitesh në maksimum. Ndërsa të tregosh vlerat në një kampionat si ai italiani është më e vështirë, sepse duhet të jesh konstant gjatë gjithë vitit. Jemi krenarë që jemi në një finale evropiane, ishte objektivi ynë dhe e arritëm. Liverpuli është një skuadër shumë e fortë në mbrojtje, por edhe ne nuk jemi keq dhe unë kam shumë besim te sulmuesit tanë”.