Të shtypur e të asfiksuar, tmerri i të rinjve të tragjedisë në klub

Palestra përballë klubit ku ndodhi tragjedia në Brazil, e kthyer përkohësisht në morg
Prindër të mjerë në dhjetëra familje në Santa Maria, Brazil, kanë humbur të gjithë fëmijët në ngjarjen tragjike në diskotekën “Kiss”, ku mes të rinjve studentë kishte pasur edhe shumë motra e vëllezër. Zjarri që nisi në orën 02:30 të mëngjesit të së dielës në diskotekë, ka shkaktuar 234 të vdekur dhe 106 të plagosur, mes të cilëve 80 mbeten në gjendje të rëndë për shkak të thithjes së tymit toksik, pas djegies së materialeve të diskotekës. Hetuesit besojnë se flakët kanë nisur kur një grup muzikor, gjatë spektaklit me numra piroteknike përdori material ndezës, i cili kishte arritur deri në tavanin e diskotekës, duke nxjerrë një tym të dendur që shkaktoi vdekjen e studentëve të universiteteve, si dhe adoleshentëve që ishin në klub. Brazili ka shpallur tri ditë zie kombëtare, duke nisur nga e hëna. Ndërkohë, Policia braziliane ka arrestuar tre persona. Ndërsa një pjesë e mediave ka njoftuar se emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publikë, “Daily Mail” shkruan se ata janë një nga pronarët e klubit “Kiss”, drejtuesi i grupit muzikor dhe truproja i tyre. “Policia braziliane ka arrestuar një prej pronarëve të klubit, Elissandro Spohr, si dhe liderin e grupit muzikor Gurizada Fandangueira i cili po luante muzikë në kohën që nisën flakët dhe truprojën e grupit muzikor”, shkruan “Daily Mail” duke shtuar se “një mandat arresti është lëshuar për bashkëpronarin tjetër të klubit “Kiss”, Mauro Hofman, i cili është shpallur në kërkim. Vokalisti i grupit, Marcelo Santos, u mor nga policia dje në mëngjes, ndërsa po priste të përmendej shoku i tij i grupit, i cili vdiq nga flakët, Danilo Jacques”. Dje u raportua se pjesa më e madhe e viktimave kishin humbur jetën në tualetet e klubit. Mes dëshpërimit, ata kishin ngatërruar shenjat e daljes emergjente me shenjat e treguesit të tualetit. Sipas shefit të Policisë së Santa marias, Edi Garcia, 180 trupa janë gjetur brenda zonës së tualeteve. “Skena ishte e tmerrshme, shumë trishtueshme për t’u parë. Kishte kaq shumë të rinj dhe hapësira ishte shumë e vogël”, tha ai. Pjesa më e madhe e viktimave ishin mbytur nga tymi. Një nga pronarët e klubit duket e ka konfirmuar se ata ishin në procesin e heqjes së licencës dhe se certifikata e sigurisë ndaj zjarreve kishte skaduar vitin e kaluar, në gusht. Ai tha se kishte marrë kërcënime në internet, e po ashtu edhe anëtarët e grupit “Gurizada Fandangueira”. Në vendin ku deri të shtunën qëndronte klubi “Kiss”, dje janë vendosur buqeta me lule në kujtim të viktimave dhe flamujt në pallatin presidencial të Brazilit ishin ulur në gjysmë shtizë.
Mesazhi për ndihmë, shoqja e injoroi
Rreth orës 3:20 të mëngjesit të së shtunës, 50 minuta pasi u raportua nisja e flakëve, një studente 20-vjeçare, Mikela Kardoso, e cila ishte në klub bashkë me të motrën dhe të fejuarin e saj, kishte postuar një mesazh në “Facebook” duke përdorur telefonin: “Zjarr në KISS, ndihmë”. Asnjë prej tyre nuk mbijetoi. Pasi ajo u shpall e vdekur, një prej shoqeve të saj kishte shkruar se “Nuk e imagjinova që gjendja ishte kaq e rëndë, kur pashë mesazhin. Vetëm kur u zgjova në mëngjes, më tha ime më se çfarë kishte ndodhur”.
Funeralet
Rreth 100 viktima u varrosën dje. Që nga ora 7:30 e mëngjesit, në varrezat e qytetit Santa Maria çdo gjysmë ore ka pasur nga një funeral. Ushtria ishte përfshirë në hapjen e gropave në tokën e varrezave, ndërsa të afërmit përcillnin të rinjtë e tragjedisë. Numri i viktimave shkoi në 234 pas vdekjeve të tjera në spital