E Diel, 1 Nëntor 2026

Të strehuarit në banesat e ish-pronarëve, kredi me interes 0

16/09/2009  Përfitojnë 37 familje, shumë prej tyre ankohen: Nuk kemi mundësi të paguajmë

BERAT- Janë 37 familje me statusin e të pastrehëve në qytetin e Beratit, të cilët aktualisht strehohen në pronat e ish-pronarëve, por tashmë këto familje do të përfitojnë kredi me interes 0 për 30 vjet. Ky vendim për përfitimin e kësaj kredie nga Banka Kombëtare Tregtare është miratuar edhe në Këshillin Bashkiak. Por jo të gjithë të pastrehët e kanë pritur mirë këtë vendim. Një pjesë që janë të punësuar e kanë pranuar si zgjidhje megjithëse për vite me radhë kanë shpresuar se do të përfitonin banesa falas. Ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve që përfitojnë nga kjo kredi e kanë quajtur një mashtrim që iu bëhet atyre për t’i nxjerrë nga banesa ku ata kanë më shumë se 50 vjet që strehohen.

Të pastrehët

Të afërm dhe familjarë që banojnë në pronat e ish-pronarëve në lagjen “28 Nëntori” dhe “Muzakaj” u shprehën se jetojnë në këto banesa para viteve ‘90 dhe ndryshimin e ligjeve për të përfituar pronari e shohin si tallje që bëhet në kurriz të tyre për t’u marrë shtëpitë. Banorja e lagjes “Muzakaj” në qytetin e Beratit Fatime Sulejmani është një nga personat që do të përfitojë nga marrja e kredisë me interes zero, por duke qenë se Sulejmani jeton vetëm me burrin e saj të moshuar dhe të dy janë në pension e sheh të pamundur që të marrë një kredi që nuk do të mundet ta shlyej dot. “Unë jam e moshuar, marr një pension që mesi siguroj bukën, nuk kam unë mundësi të marrë një kredi pasi s’besoj të jetoj 30 vjet sa duhet të shlyej këtë kredi”, pohon 69-vjeçarja. Sulejmani tregon se burri i saj e përfitoi banesën në godinën dykatëshe, pasi ka punuar vullnetar për ndërtimin e saj. Ndërsa pas ’90-s kësaj godine i ka dalë pronari, i cili shumë herë ka ardhur natën dhe me dhunë i ka nxjerrë jashtë të pastrehët, të cilët kanë kërkuar ndihmën e policisë për t’u futur në banesat e tyre ku jetojnë prej më shumë se 30 vjetësh.

Kredia

Ndërsa në lidhje me këtë vendim të miratuar drejtuesja e njësisë të zbatimit të projektit banesa me qëllim social, pranë bashkisë Meleqe Spahiu sqaroi se duke qenë një nga grupet më emergjente për të liruar banesat e ish-pronarëve, 37 familjet do të përfitojnë kredi me interes 0 për 30 vjet, sipas marrëveshjes së bërë ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Ministrisë së Financave dhe BKT-së. Sipas informacioneve të bashkisë, për dhomë dhe kuzhinë kredia arrin rreth 1.9 milionë lekë, ndërsa për 2 dhoma dhe kuzhinë kredia është rreth 2.5 milionë lekë. Ndërkohë sipas drejtueses të projektit Meleqe Spahiu bëhet e ditur se një pjesë e familjeve të pastreha janë duke u trajtuar me kredi të zbutur që do të thotë se paguajnë 3 për qind të interesit në vit, ndërsa pjesën tjetër e paguan qeveria. Ndërsa pritet që gjatë këtij vitit të ndahen dhe hyrjet në dy pallatet që janë në ndërtim e sipër në lagjen “Celepias” të qytetit të Beratit. Sipas Spahiut, bëhet e ditur se këto hyrje do të lëshohen me qira nga bashkia për 48 familje në nevojë. Përfituesit në këtë grup do të jenë gratë e divorcuara, jetimët, paraplegjikët, tetraplegjikë, të verbët dhe grupe të tjera. Këto dy pallate që do të zgjidhin problemin e strehimit vetëm për 48 familje, nga rreth 500 të pastrehë që ka qyteti i Beratit, pritet të përfundojnë në muajin mars të vitit tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›