E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Të hapen kutitë, janë peng mandatet e PS

 

Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa e saj për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, duke e kushtëzuar me pjesëmarrjen në Parlament. Sekretarja për Marrëdhëniet me jashtë e socialistëve, Arta Dade deklaroi se “dëshiroj të ripërsëris qëndrimin e vendosur të Partisë Socialiste, për kushtet që diktojnë marrëdhënien me Kuvendin e dalë nga deformimi i vullnetit të votuesit, përmes vjedhjes së votave dhe mandateve të mbetura peng në kutitë që duhen rinumëruar dhe materialet zgjedhore që duhen rishqyrtuar”. “Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq”, tha Dade. Sipas saj, “Sali Berisha duhet t’u shpjegojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive, e për të bërë transparencën e materialeve zgjedhore në ato zona që ne kemi kërkuar rinumërim”. Transparenca e këtyre zgjedhjeve, sipas Dades, është primare për një vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian. “Vjedhja e votës, korrupsioni elektoral dhe mungesa e transparencës rreth procesit zgjedhor në Shqipëri, duhet të marrë fund dhe kjo do të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive që mbajnë peng mandatet e vërteta të të zgjedhurve nga populli”, përfundoi Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›