Vrasja e Kryekomisar Tahirit, qeveria 5 mln lekë ndihmë familjes

Qeveria shqiptare i ka akorduar shumën prej 5 milionë lekësh, ndihmë për familjen e Komisar Adem Tahirit, i cili u vra në krye të detyrës. Vendimi është pjesë e listës së vendimeve të miratura nga Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së sotme qeveritare, ku në faqen e websaitit kryeministror bëhet me dije:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për familjen e të ndjerit, Adem Haxhi Tahiraj, ish - punonjës i Policisë së Shtetit, vrarë në krye të detyrës.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”
Shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri, u vra më 13 shator të këtij viti në vendin e quajtur Katund Sukth, ku ndodhej në krye të një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje. Tahiri u ekzekutua nga shtetasi Ilir Xhakja, i cili ndodhet në burg nën masën e sigurisë” arrest me burg”, pas një debati që ka pasur me nipin e tij Ledio Krasnaj, i cili ndodhet në gjendje të lirë, në kërkim të policisë.