E Diel, 1 Nëntor 2026

Te vegjlit Kuvendi te bazohet ne vote te barabarte

Mospërfshirja e propozimeve të partive të vogla në punën e Komisionit për reformën zgjedhore në komisionin e posaçëm ka sjellë një tjetër tryezë të këtyre të fundit. Përfaqësues të partive të vogla u ulën sërish në tryezë ku lëshuan sërish thirrjen për dy forcat kryesore në vend që të marrin parasysh propozimet e tyre. 
Në nisje të mbledhjes kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ka bërë thirrje për shqyrtimin e kërkesës së 26 partive të vogla nga komisioni i reformës zgjedhore. 
Nga ana e tij, kreu i PR-së, Fatmir Mediu i mëshoi me forcë faktit se përfaqësimi në Kuvend të bazohet në barazinë e votës. Sipas tij, ka ardhur momenti që Partia Demokratike dhe ajo Socialiste të mbajnë një qëndrim në lidhje me kërkesën e partive të vogla. 
“Kemi paraqitur 4 variante të ndryshme për këtë çështje, të cilat nuk cënojnë Kushtetutën. Këto variante janë pranë Komisionit të Reformës zgjedhore. Të konsiderohen propozimet tona” deklaroi Mediu. 
Gjithashtu, të njëjtin qëndrim mbajti dhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi i cili saktësoi se “partitë e vogla nuk kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë, por duam shpërndarjen e mandateve në mënyrë të tillë që haka të shkojë tek i zoti”. 
Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta kërkoi nga PD e PS që t’i qëndrojnë draftit që firmosën më 23 prill. 
Po kështu dhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u bëri thirrje dy forcave kryesore në vend që të tregojnë seriozitet. Sipas tij, është e rëndësishme që reforma zgjedhore të përfundojë në kohë dhe të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjitha forcat politike. 
Nga ana e tij, kreu i PDK-së Nard Ndoka akuzoi PD e PS për mungesë korrektësie.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›