E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të vegjlit”, sot në tryezë për reformën zgjedhore - kërkojnë korrektimin e votës rajonale

23-04-2012 / Gazeta 55

Partitë e vogla, të majta dhe të djathta pritet të paraqesin sot një paketë propozimesh, për shqyrtim në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Partitë e mëdha do të jenë të pranishme në tryezë, por duket irreale përmbushja e dëshirës për korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor rajonal

Partitë politike parlamentare dhe ato që gjenden jashtë përfaqësimit në Kuvend, do të mblidhen nesër në një tryezë të posaçme për të diskutuar mbi problematikën që shoqëron reformën zgjedhore. Në tryezën e thirru nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, do të paraqitet një paketë propozimesh, të cilat do t’i kalojë për shqyrtim në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Pika kryesore, e cilat do të diskutohet dhe gjen mbështetjen e krerëve të partive të vogla politike do të jetë korrektimi kombëtar i sistemit aktual zgjedhor. Sipas propozimit, përmes korrektimit kombëtar, synohet që vota e çdo zgjedhësi të shkojë në destinacionin inicial e jo të tjetërsohet, si pasojë e sistemit zgjedhor. Po ashtu, në draftin që do u paraqitet për tu nënshkruar nga këto subjekte politike, rëndësi i është kushtuar edhe çështjes së pragut elektoral. Propozohet që për partitë pragu kombëtar të jetë 2%, ndërkohë që për koalicionet të jetë 4%.
Në këtë tryezë janë thirrur për të marrë pjesë edhe krerët e dy partive kryesore. Ndërkohë që kreu i PS-së ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen, lideri demokrat, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e kësaj tryeze për shkak të angazhimeve, të parashikuara prej kohësh, por do të jetë një tjetër përfaqësues i kësaj partie në tryezë.
Partitë e vogla politike, vlerësojnë si tepër të rëndësishme që komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore të marrë në konsideratë kërkesat e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›