E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë - Elbasan/Kryeministri Berisha përuron sot nisjen e punimeve për trasenë e autostradës

23-04-2012 / Gazeta 55

Autostrada Tiranë-Elbasan po përparon me ritme të shpejta në të gjithë komponentët e saj. Teksa është tejkaluar 60% e volumit të punimeve të përgjithshme në tunelin e Kërrabës dhe mbeten për t’u hapur 700 metrat e fundit, sot nis puna për ndërtimin e trasesë së autostradës. Kryeministri Berisha do jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve të këtij segmenti të rëndësishëm të Korridorit VIII. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka përfunduar nënshkrimin e kontratave të nevojshme për ndërtimin e segmenteve të autostradës, ku nuk kishte nisur puna.
Ndërtimi i këtyre segmenteve të trasesë përbën totalin e autostradës, që së bashku me tunelin ka një gjatësi prej 27 km. Segmentet që pritet të fillojnë ndërtimin janë: segmenti i parë nga Sauku deri në hyrje të tunelit, që ka një gjatësi prej 13 kilometrash dhe një kosto rreth 84 milionë euro. Segmenti i dytë është nga dalja e tunelit deri në qytetin e Elbasanit, ka një gjatësi prej 11.7 km dhe një kosto ndërtimi prej 85 milionë dollarë.
Ndërkaq, ndërtimi i tunelit të Kërrabës po ecën me ritme mjaft të shpejta dhe kompania greke “Aktor” ka premtuar përfundimin në kohë të punimeve.
Kësisoj, autostrada Tiranë-Elbasan plotësohet në të gjithë komponentët e saj të rrugës, ndërsa prej një viti ka nisur puna për ndërtimin e tunelit i cili është me gjatësi 2.4 km.
Autostrada do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda këtij mandati qeverisës të gjithë Boshtin rrugor të Jugut. Rruga do të krijojë rajonin më të madh të tregut duke shndërruar Tiranë- Elbasan-Durrës në një treg të përbashkët dhe do të shumëfishojë potencialin turistik të të tre qyteteve. Autostrada do të shkurtojë 2/3 e distancës mes Tiranës dhe Elbasanit, e ekuivalentuar në kohë 50 minuta, duke e bërë Elbasanin qytetin më të afërt të Tiranës. Autostrada Tiranë-Elbasan mendohet të inaugurohet në vjeshtë të vitit 2013.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›