Berisha: PD do ketë kandidatin e saj për President

Kryeministri Berisha komenton debatet për zgjedhjen e presidentit, duke ripërsëritur qëndrimin zyrtar se Partia Demokratike do kandidojë një nga personalitet e saj për funksionin e kreut të shtetit. Insistimit të gazetarëve, Berisha i përgjigjet me qëndrimin e shpallur se s’do kandidojë për këtë post, përsa kohë ka një program qeverisës dhe një projekt për zhvillimin dhe integrimin e vendit
Kryeministri: Pasioni im është qytetari me problemet e tij
Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot gjatë një deklarate për mediat se s’ka patur asnjë komunikim me ish kryeministrin socialist, Fatos Nano lidhur me ambicien vetëshpallur nga ky i fundit, për të kandiduar për postin e Presidentit. Duke vizituar ekspozitën e piktorit, Ibrahim Kodra, Berisha i është përgjigjur interesimit të mediave, në lidhje me deklaratën e Nanos në një emision televiziv, për kandidimin e tij si Kryetar i Shtetit. “Ish-kryeministri Nano nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua, të paktën në dijeni time. Natyrisht janë të njohura deklaratat e tij, por ish-kryeministri e ka derën të hapur në çdo rast që ai kërkon të takohet me kryeministrin” - u shpreh Berisha. I pyetur nga mediat në lidhje me emrat e propozuar nga PD-ja si kandidatë për president dhe nisur nga insistimi i gazetarëve se a mund të jetë kryeministri Berisha një kandidat, përgjigja e tij ishte e prerë, duke e përjashtuar veten nga kjo garë. “Atë që mund t’ju them është vetëm kjo se Sali Berisha nuk do të jetë sepse kam një vendim përfundimtar. Në 2009 kam dalë si Kryeministër me një program që do ta zbatojë deri ditën e fundit të mandatit 4-vjeçar dhe nuk mund ta imagjinoj veten që të shmanget qoftë edhe 1 sekondë nga fushëbeteja. Pra e kam theksuar se nuk besoj që qytetarët do të donin të konstatonin që Sali Berisha është shumë i dhënë pas karrigeve dhe shfrytëzon momentet për të kaluar nga njëra tek tjetra. Pasioni im është qytetari me problemet e tij” - tha kryeministri. Megjithë insistimin e mediave për të dhënë disa nga emrat të cilët do të jenë kandidate, kryeministri theksoi se asnjë emër nuk është konfirmuar por edhe as përjashtuar si kandidatë. “Ju garantoj që asnjë emër nuk është në mendjen time nuk ekziston asnjë i konfirmuar dhe as i përjashtuar nga emrat që qarkullojnë. Kam thënë se do të jetë një personalitet nga Partia Demokratike dhe PD-ja ka plotë personalitete. Kush do të jetë? Kjo është një çështje jo vetëm e imja por e forumeve, e aleatëve. Nuk përjashtoj nga konsultimet edhe opozitën. Procesi i zgjedhjes do të jetë një proces thellësisht kushtetues, natyrisht një proces i hapur dhe pa prapaskena. E kemi zhdërvjelltësuar Kushtetutën ne. E hoqëm tani atë nenin e krizës dhe e kemi bërë shumë të zhdërvjellët” - ka theksuar më tej Berisha. I pyetur në lidhje me tryezën e partive të vogla për reformën zgjedhore, kryeministri Berisha theksoi se PD-ja do të dërgojë përfaqësuesin e saj në këtë tryezë. “Ne do të dërgojmë përfaqësuesin tone në këtë tryezë dhe ne do të dëgjojmë shqetësimet e tyre. Ne kemi qenë një forcë politike jo-arrogante prandaj do të dëgjojmë me vëmendje aleatët tanë”- shtoi Berisha. Kryeministri Berisha i është përgjigjur edhe akuzave Partia Socialiste se mazhoranca po përpiqet të nxjerrë Gjykatën Kushtetuese jashtë funksionit. “Sa herë kjo parti rekruton për deputetë të ardhshëm ndonjë punonjës, prokuror apo gjykatë, na bën deklarata të tilla. Unë ju siguroj se Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë vlerën e normave kushtetuese në ligjin shqiptar, do zbatohen me rreptësinë më të madhe. Për sa u përket shqetësimeve, forca politike është e lirë të adaptojë, por unë mendoj se presione ndaj sistemit gjyqësor nuk duhet të bëhen”- tha ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha. Zoti Kryeministër, a keni një deklaratë në lidhje me akuzat që janë bërë një ditë më parë nga Partia Socialiste, për sa i takon, sipas tyre, bllokimit të Gjykatës Kushtetuese me dekretet e Presidentit ? Sa herë kjo parti rekruton për deputet të ardhshëm, ndonjë prokuror apo gjykatës na bën deklarata të tilla. Unë ju siguroj ju se, Kushtetuta, prerogativat e saj, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë vlerën e normave kushtetuese në ligjin shqiptar, do të zbatohen me rreptësinë më të madhe. Për sa u përket shqetësimeve, forca politike është e lirë të adaptojë, por unë mendoj se presione ndaj sistemit gjyqësor nuk duhet të bëhen. Z. Kryeministër a keni pasur komunikim me z. Nano, i cili ka deklaruar se do të ketë takim me ju gjatë kësaj jave dhe nëse po a e keni përcaktuar se kur? Ish-kryeministri Nano, nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua, të paktën në dijeninë time. Natyrisht qëndrimet e mia për çështjen, tashmë janë të njohura, por ish-kryeministri Nano, e ka derën të hapur në çdo rast që ai kërkon të takohet me kryeministrin aktual. Po qarkullojnë në media disa emra si ai i zonjës Topalli, i zotit Beja, madje edhe emri juaj, për president. Cili është komenti? Atë që mund t’ju them me garanci të plotë është vetëm kjo, që Sali Berisha nuk do të jetë, sepse kam një vendim përfundimtar. Në vitin 2009 unë kam dalë para qytetarëve shqiptare si kryeministër me një program, të cilin do ta zbatoj deri ditën e fundit të mandatit 4-vjeçar dhe nuk mund të imagjinoj veten që të shmangem qoftë edhe për një sekondë nga fushë betejat. Së dyti e kam theksuar edhe njëherë, nuk besoj se qytetarët shqiptarë do të ishin të lumtur në qoftë se do të konstatonin se, Sali Berisha është shumë i dhënë pas karrigeve dhe shfrytëzon momente për të kaluar nga njëra tek tjetra. Pasioni im është qytetari me problemet e tij dhe për sa kohë ata do të më votojnë do të punoj me përkushtimin tim në shërbim të tyre, me një mekanizëm tërësor reformash, që po ndryshojnë çdo ditë këtë vend dhe po e çojnë drejt horizonteve të vendeve të zhvilluara. Për sa u përket emrave të tjerë, ju garantoj prapë se, në mendjen time, nuk ekziston as edhe një emër, as i konfirmuar, por as edhe i përjashtuar nga emrat që qarkullojnë. Kam theksuar se do të jetë një personalitet i Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike ka një grup personalitetesh me kontribute thelbësore në procesin e zhvillimit të vendit. Cili do të jetë prej tyre? Kjo do të jetë një çështje jo vetëm e imja, e forumeve të Partisë Demokratike e konsultimeve më të gjëra me të gjithë faktorët me aleatet, por nuk përjashtoj nga konsultimet absolutisht edhe opozitën. Unë mendoj se procesi i zgjedhjes se presidentit do të jetë një proces thellësisht kushtetues, natyrisht një proces i hapur dhe pa prapaskena. E kemi zhdërvjelltësuar Kushtetutën. Kushtetuta lejon zgjedhjen e presidentit, sepse e kemi hequr atë nenin e krizës. A do të keni ju një përfaqësues të Partisë Demokratike në tryezën e nesërme të partive të vogla për reformën zgjedhore? Sigurisht që ne do të dërgojmë përfaqësuesit tanë në tryezën e partive që kanë organizuar ketë tryezë dhe ne do të dëgjojmë me vëmendjen shqetësime e tyre. Ne kemi qene gjithnjë një forcë politike, jo prepotente, jo arrogante. Ne kemi dëgjuar dhe dëgjojmë me vëmendje aleatët tanë dhe në qoftë se ju lexoni në doktrinën e koalicioneve, ju nuk do të gjeni njeri më serioz, më të ndershëm dhe më të hapur në koalicione sesa unë. Për mua ajo përbën një linjë kryesore në karrierën time politike. Ftesa ka ardhur në emrin tuja z. Kryeministër, pse nuk do të jeni ju? Të jem i sinqertë nuk e di nëse ftesa ka ardhur në emrin tim apo jo, mund të jetë edhe kjo. Mua me telefonuan nga selia e partisë (PD) dhe më kanë njoftuar se kanë dërguar një ftesë. Kjo ka ndodhur në mos gaboj pardje. Mirë po, unë tre javë më parë, kam fiksuar ne axhendë dhe kanë ardhur në Shqipëri presidentët e kompanive që po ndërtojnë autostradën e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe tunelin dhe do të shkojmë të inaugurojmë rrugën Tiranë-Elbasan, pasi tunelin e kemi inauguruar. Një rrugë transformuese për të gjithë Shqipërinë jug-lindore, për të gjithë lidhjet mes Tiranës dhe Shkupit. Unë e kam të fiksuar në axhendë shumë kohë përpara këtë eveniment, se ndryshe do të kisha shkuar patjetër. Përsa i përket kërkesës për korrektim kombëtar të sistemit, a e mbështesni? Tani, unë kam një grup ekspertësh dhe unë bëj çfarë më thonë ata dhe jo ata çfarë ju them unë. Ata janë specialistë të shkëlqyer të doktrinës elektorale, ata janë bashkëpunëtorë të mi, janë deputetë që kanë tagrin të më sugjerojnë qëndrimet që do të mbahen. Z. Kryeministër, a keni komunikuar me z .Meta për të kërkuar mbështetjen e një emri që do të propozohet nga ana juaj pasi pas takimit me z. Nano ai nuk përjashtoi mundësinë edhe të mbështetjes së kandidaturës së z. Nano? Nuk kam kontaktuar as me z. Meta, as me z. Patozi, as me znj. Topalli, as me z. Mediu dhe me asnjë njeri lidhur me zgjedhjen e presidentit. Pavarësisht se faktikisht ai ka dorëzuar veten, le ta lëmë zotin Topi këto ditë që i kanë mbetur në detyrë dhe të mos ndërhyjmë. Së dyti, procesi kur hapet është një proces transparent, sepse ju e dini që unë nuk jam njeri i prapaskenave dhe pas perdeve, ai proces do të hapet në datën e caktuar dhe do të nisin konsultimet si me forumet e Partisë Demokratike, të cilat janë vendimmarrëse në këtë drejtim, ashtu edhe me aleatët edhe me faktorët e tjerë. Aktualisht faza e presidentit është në fazën e “Zonës së Çanit”, në mund ta quajmë kështu. Ai merret çdo javë, por jo vetëm ai, edhe gazetat dhe kjo është normale mendoj unë. Z. Ruçi në Parlament tha se opozita nuk do të lejojë zgjedhjen e presidentit dhe nuk do të japë votat nëse nuk garantohet siguria e votimit të fshehtë? Kurioz shumë. I patë ju ata, vota me buton me dorë që futet për të gjetur butoni. Për Vishën ishte e vjedhur, e njëjta votë për Koço Brokën ishte top secret, e njëjta votë ishte e paqortueshme. D.m.th kur votohet për socialistët me buton ajo është e rregullt, po nuk ju dolën votat më buton ajo bëhet e parregullt. Këto janë qëndrime jo serioze. Unë e ftoj Partinë Socialiste të çlirohet nga alergjia që ka nga vota e lirë, megjithatë për presidentin kanë paraqitur një kërkesë në Komisionin e Rregullores, në të cilën kërkojnë të votohet me zarf dhe kanë deklaruar se, ky është një model i marrë nga Parlamenti Evropian. Në rast se kjo është e vërtetë, ne do e pranojmë pa asnjë koment, sepse ka një zotim solemn në marrëveshje që do të bëhen të gjitha ndryshimet që nuk janë në përputhje me rregulloren e Parlamentit Evropian, sapo të sjellin dokumentet dhe procedurën që ekziston në Parlamentin Evropian, ne nuk kemi asnjë kundërshtim. Vota më sekrete në mënyrë absolute është vota e butonit, ato, atë e kanë me mëdyshje. Kanë një lloj dystimi shumë interesant. Një koment për vizitën tuaj në SHBA dhe një qëndrim ndoshta për reagimin bullgar për vizitën e Presidentit Topi në Maqedoni? Të gjitha njoftimet unë do t’i bëj në kohën e duhur. Sigurisht që unë shkoj dhe shkoj me shumë kënaqësi, në një ngjarje shumë të rëndësishme dhe kam takime shumë të mira, por njoftimi do të bëhet në kohën e duhur. Problemi është se Ballkani është shumë kompleks, dhe gjëja më e mirë që mund të bënim ne, këta heronj dhe heroina, t’i projektonim drejt të ardhmes sonë europiane dhe jo t’i bëjmë molla sherri, nuk shërben për asgjë. Imagjinoni tani sikur të dalë Sali Berisha ose Edi Rama dhe të vrapojnë pas hallës Olimbi, që ishte nëna e Aleksandrit. Nuk i konsideroj këto të arsyeshme që ne të merremi me to. E citova kryetarin e opozitës se këto kohë ka një reflektim të vërtetë. Ka një përpjekje për rikthim në patriotizëm dhe merr këshilltarë për patriotizmin atë që mund të ishte vetëm këshilltar për kozmopolitizmin, merr një mik timin që unë sa herë e takoj, e takoj për idera të kozmopolitizmit, ky e shpall atë këshilltar të patriotizmit... por këto janë zgjidhjet e tij
...