E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët pro ndryshimit të Kushtetutës

Projektligji i PS-së për ndryshimet kushtetuese mbi sistemin zgjedhor i dorëzuar që më datë 17 mars në Kuvend, ka bashkangjitur edhe një relacion. Por propozimi nuk është firmosur nga 4 mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano, që janë ende në PS, si dhe asnjë nga deputetët që votoi Bamir Topin president në 24 korrikun e 2007-ës. Partia më e madhe opozitare argumenton se pse duhet të miratohen ndryshimet e propozuara. Në relacion thuhet se sistemi aktual është zbatuar dy herë që prej 1998-ës, kur është miratuar Kushtetuta e vendit, dhe në të dy rastet ka rezultuar me mangësi të theksuara apo i zbatuar keq nga institucionet përgjegjëse. Fenomenet më negative të hasura janë shtrembërimi i vullnetit të popullit, trafikimi i votës dhe korrupsioni elektoral. Në krahun tjetër, socialistët argumentojnë se domosdoshmërish duhet të ndryshohet sistemi, sikundër kanë rënë dakord të gjitha palët politike në vend. Sipas PS-së, sistemi mazhoritar mund të garantonte shmangien e fenomeneve negative të sistemit, që është përdorur që prej 1998-ës, por do të krijonte një realitet bipolar dhe nuk do të mund të realizonte domosdoshmërish një përfaqësim të drejtë të të gjithë formacioneve politikë, e jo më hapësira politike për përfaqësimin e shtresave të marzhinalizuara në politikë. Socialistët argumentojnë se, përveçse do të kishte një qeverisje më të qëndrueshme, do të shfaqej edhe rreziku për “super-shumica” parlamentare. Duke marrë parasysh edhe të shkuarën autokratike dhe dobësinë qeverisëse, shumica duhet të jetë e kontrollueshme, por që edhe opozita të jetë numerikisht e konsiderueshme. Duke nxjerrë në pah këto fenomene negative që mund të shoqëronin aplikimin e sistemit mazhoritar, socialistët përzgjodhën atë proporcional. Partia më e madhe opozitare duke kërkuar të gjejë zgjidhjen më të mirë nga modelet e proporcionalit propozoi atë rajonal, që zbut edhe një nga elementet më të dobët të sistemit proporcional, atë të shkëputjes nga zgjedhësi dhe krijimin e elitave të shkëputura politike. “Zgjedhja e deputetëve nga lista shumëemërore e ruan lidhjen e elektoratit me të zgjedhurit në zonën elektorale, realizon një shpërndarje më të larmishme politike ndërmjet forcave politike në të gjithë territorin e vendit, si dhe siguron një përfaqësim më të drejtë ndërmjet votës së hedhur dhe ndarjes së mandateve në Kuvend”, - argumentohet propozimi i PS-së në relacionin shoqërues. Në krahun tjetër, socialistët sqarojnë se përcaktimi i sistemit zgjedhor në Kushtetutë bëhet për arsye se ajo është vështirë për ta ndryshuar, çka shmang një problem negativ. Në krahun tjetër, për të shmangur ndryshimet e shpeshta të Kushtetutës, çka do të dëmtonte konstitucionalizmin në vend, propozimi sipas PS-së gjen një rrugë të mesme. Projektligji paraqitet vetëm si një përmbledhje parimesh, pa detajet që përkufizojnë sistemin proporcional rajonal. Sistemi në mënyrë të detajuar do të rregullohet në Kodin Zgjedhor. “Është Kodi Zgjedhor, instrumenti i duhur ligjor që i jep sistemit nuancat e duhura në raport me nevojat që ka vendi ose konsensuset politike të nevojshme, kjo edhe për shkak të shumicës së cilësuar që kërkon miratimi i ligjit zgjedhor”, - thuhet në relacion. Projektligji për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjet është firmosur nga 33 deputetë të PS-së. Përkundër linjës së politikës së re, nuk e kanë nënshkruar projektligjin 4 deputetë të PS-së, ish-kryetari Fatos Nano, Petro Koçi, Luan Memushi dhe Elmaz Sherifi. Ndërsa disa të deputetë të tjerë të njohur, si mbështetës të ish-kryetarit, kanë vendosur firmën e tyre, si Rajmonda Stefa e Flamur Hoxha. Ndërkaq, sekretari të Çështjeve Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, ka theksuar se propozimi ka edhe mbështetjen e PSD-së, që në krahun tjetër ka edhe propozimin e saj lidhur me detajet e sistemit, që do të përcaktohen në Kodin Zgjedhor. Tashmë, shqyrtimi i propozimeve ka marrë jetë dhe ndoshta votimi në seancë mund të zhvillohet që të hënën e ardhshme. Gjithçka duket se do të varet nga qëndrimi i PD-së e ndonjë aleati tjetër të djathtë, pasi tashmë votat e socialistëve dhe socialdemokratëve janë të parat që e mbështesin propozimin, që për t’u miratuar kërkon të paktën 94 vota. saqellari@korrieri.com

Nuk firmosën

Durim Hushi

Paulin Sterkaj

Taulant Dedja

Elmaz Sherifi

Durim Lamaj

Besnik Dervishi

Luan Memushi

Fatos Nano

Petro Koçi

Bukurosh Stafa

Hamit Kosta

Kushtetuta

Si bëhet

Neni 64 ndryshohet:

1- Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur mbi bazën e sistemit zgjedhor proporcional me zona zgjedhore shumëemërore.

2- Caktimi i zonave zgjedhore shumëemërore bazohet në ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë.

3- Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Pika 2 e nenit 68 ndryshohet:

Rregullat për caktimin e kandidatëve, për regjistrimin e zgjedhësve, për zhvillimin e fushatës elektorale, administrimin, shpalljen e rezultateve dhe vlefshmërinë e zgjedhjeve, si dhe rregulla të tjera të nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve përcaktohen nga ligji për zgjedhjet.

Si është

Neni 64

1- Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zona njëemërore me numër të përafërt zgjedhësish. 40 deputetë zgjidhen nga listat shumëemërore të partive dhe/ose koalicioneve të partive sipas renditjes në to.

2- Numri i përgjithshëm i deputetëve të çdo partie dhe/ose koalicioni partish përcaktohet në raport sa më të afërt me votat e vlefshme të marra prej tyre në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve.

3- Partitë që marrin më pak se 2.5 për qind dhe koalicionet e partive që marrin më pak se 4 për qind të votave të vlefshme në të gjithë vendin në raundin e parë të zgjedhjeve, nuk përfitojnë nga listat shumëemërore përkatëse.

Neni 68

2- Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›