E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-oficerë në lirim “gardianë” të qendrave të votimit

07/04/2009  Lidershipi i Partisë Socialiste strategji të re për mbrojtjen e votës. Ngrihen strukturat

“Nuk dua që ju të jeni militantë të PS, por dua të mbroni votën e qytetarëve shqiptarë”

Partia Socialiste shfaqet tashmë me një tjetër strategji elektorale, kësaj radhe për mbrojtjen e votës. Kështu, lidershipi i kësaj partie veç të tjerave në planin e saj hartuar për çështje të ndryshme të fushatës elektorale është përqendruar dhe në një nga elementet jo pak të rëndësishme në këtë proces, e pikërisht mbrojtjen e votës në ditën kur sovrani do t’u drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për në legjislativ. Kësisoj pranë kësaj partie është ngritur një strukturë e re, në funksion të procesi, e cila përfaqësohet nga ish-oficerë të policisë, që aktualisht janë në lirim. Tashmë Partia Socialiste ka ngritur dhe po punon mbi detyrat që do të marrë përsipër “truproja” e votës së 28 qershorit. Do të jenë pikërisht këta ish-oficerë në të gjithë vendin që të vendosen në çdo qendër votimi dhe do të funksionojnë si “gardianë” të votës.

Takimi

Kreu i Partisë Socialiste mblodhi dje në një takim informal në selinë rozë një përfaqësi të ish-oficerëve në lirim për të bërë me dije pikësynimin për të cilin kërkohet ngritja e strukturës së re. Në hollin e selisë rozë ishin mbledhur jo pak ish-oficerë, të cilët kanë pasur pozicione të ndryshme në Policinë e Shtetit, por tashmë janë në lirim për shkak të bindjeve të tyre politike. Paktën siç pretendojnë ata. Gjatë mbledhjes kreu socialist mësohet të ketë kërkuar prej tyre mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, mbrojtjen e atyre votave që do të sillnin në pushtet Partinë Socialiste. “Nuk dua që ju të jeni militantë të Partisë Socialiste, por dua që ju të mbroni votën e qytetarëve shqiptarë, të ardhmen tuaj dhe të familjeve tuaja”, - mësohet të jetë shprehur kryetari i PS-së Edi Rama në fjalën e tij.

Garancia

Ish-oficerët në lirim i kanë premtuar dhe garantuar kreun e Partisë Socialiste dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj partie, pjesëmarrës në këtë takim, realizimin sa më të plotë të qëllimit, Kështu, drejtuesi i kësaj strukture në shkallë vendi Pjerin Ndreu, duke folur në emër të të gjithë përfaqësuesve, ish-oficerë në lirim, të cilët tashmë janë bërë pjesë e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, garantoi se nuk do të lejojnë manipulimin e votës. Kjo për vetë faktin se të vendosur në çdo qendër votimi ish-oficerët do të vëzhgojnë në detaje çdo lëvizje në këto qendra, duke mos harruar një element të rëndësishëm: atë të identifikimit të personave me precedent penal. Në këtë mënyrë, duke qenë se deri dje kanë qenë pjesë e strukturave të policisë, njëkohësisht dhe pjesëmarrës në proceset e zgjedhore të kaluara, ata janë në dijeni të personave që PS-ja pretendon se mazhoranca e djathtë i ka përfshirë në strukturat aktuale të policisë për qëllime elektorale. Në bazë të të dhënave që ka kupola rozë, këta persona rezultojnë të jenë individë me precedent penalë për çështje që më së shumti lidhen me proceset zgjedhore. Për këtë arsye, të gjitha grupet e punës që do të vendosen në çdo qendër votimi do të kenë si detyrë që të mos lejojnë vënien në jetë të ndonjë skeme për manipulimin e votës nga këta individë.

Mbrojtja e votës

Shtrirja nga qendra në bazë

Lidershipi i Partisë Socialiste ka vendosur që strukturën e re të ngritur pranë kësaj partie në funksion të mbrojtjes së votës ta shtrijë nga qendra në bazë. Konkretisht, në çdo qendër votimi do të jetë i vendosur një grup pune i përfaqësuar nga ish-oficerë në lirim, ata që mund të cilësohen tashmë si truproja e votës së qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në këtë mënyrë, duke u nisur nga të dhënat për përfshirjen në strukturat e Policisë së Shtetit të individëve posaçërisht për t’u përdorur gjatë fushatës elektorale, të dielën e 28 qershorit, Partia Socialiste vendosi që për t’iu kundërvënë kësaj skemë të ideuar nga mazhoranca qeverisëse të ngrejë këto grupe nga ana e saj, pikërisht me ish-oficerë tashmë në lirim, duke menduar se kjo do të ishte zgjedhja më e mirë për një situatë të tillë. Kështu, gjatë takimit të djeshëm në selinë rozë ishin të pranishëm vetëm një përfaqësi e kësaj strukture, e cila u njoh me detyrat që do të ketë në ngarkim tani e tutje. Do të jetë pikërisht kjo përfaqësi ajo që do të përcjellë mesazhin tek të gjithë përfaqësuesit që kanë vendosur të jenë pjesë e kësaj strukture. Ndërkohë drejtuesi i saj për të gjithë vendin është ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Pjerrin Ndreu. Ndërsa për kryeqytetin është zgjedhur ish-shefi i forcave speciale Artan Diti. Megjithatë, duhet theksuar fakti se duke qenë një strukturë e tillë, do të jetë e shtrirë në të gjithë vendin, për çdo qark janë zgjedhur ish-oficerë të lartë, të cilët do të drejtojnë grupet e ndara në të gjithë zonën, jo vetëm gjatë ditës së votimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›