E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit, padi për Barkën dhe ministrin Duro

Shoqata e të verbërve do të padisë në prokurori ish-ministrin e Punës, Kosta Barka, si dhe drejtuesin aktual të këtij institucioni, Anastas Duron. Shkak për këtë, sipas drejtuesve të shoqatës së të verbërve, është bërë neglizhenca totale kundrejt kësaj kategorie në nevojë në Shqipëri, si dhe shkeljes së të drejtave të tyre legjitime.

Edhe pse qindra të verbër protestuan përpara Ministrisë së Punës dhe selisë së Kryeministrisë për kërkesat e tyre ekonomike, ata ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare, nëse këto kërkesa do të marrin një zgjidhje. Kryetari i shoqatës së të verbërve, Sinan Tafaj, u shpreh dje se do t‘i lenë afat qeverisë për të reaguar deri në datën 30 prill, ndërkohë që për ish-ministrin e Punës, Kosta Barka, si dhe për atë aktual, Anastas Duro, të verbrit do të bëjnë kallëzim penal në prokurori, me motivacion "shkelje e detyrës dhe të drejtave të shtetasve".

"Detyrimet kanë filluar të mos përmbushen që nga viti 2005. Pra, nuk është bërë indeksimi i pagesës së verbërisë pas vendimit përkatës për të verbrit në vitin 2005. Kjo pagesë është bërë në mënyrë të gabuar në vitin 2006 dhe ka vazhduar të mos bëhet në vitin 2008", shprehet Tafaj. Ai thekson se një situatë e tillë vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke mos zbatuar ligjin për detyrimin që shteti ka ndaj këtyre njerëzve. Sipas kreut të shoqatës së të verbërve, Tafaj, personat përgjegjës për këtë situatë janë ish-ministri Kosta Barka dhe ministri aktual i Punës, Anastas Duro. Ai ka vijuar më tej duke thënë se "do të bëjmë kallëzim penal në organin e prokurorisë".

Nëse deri në datën 30 prill qeveria nuk do të reagojë, të verbrit kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime si bllokim të akseve rrugore, protesta, por dhe masa të tjera, të cilat do të bëhen publike në ditët në vijim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›