E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thanza emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese

08/01/2009  Dekreti i Presidentit Topi

Presidenti Bamir Topi dekretoi dje emërimin e Admir Thanzës si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Thanza është emëruar në këtë detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit Gjergj Sauli, i cili është larguar për shkak të daljes në pension. Thanza është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë prej vitit 2004 dhe është diplomuar si jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 1999 deri më 2006-n Thanza ka mbajtur detyrën e kryetarit të gjykatës në rrethin e Shkodrës. Më herët, në periudhën 1992-1999, ai ka punuar si gjyqtar në gjykatën e Shkodrës dhe për katër vjet ka punuar si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Thanza ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh dhe trajnimesh në vende të ndryshme. Kështu, ai ka ndjekur kursin e kualifikimit mbi “Organizimin e pushtetit gjyqësor dhe organizimin e fakulteteve të drejtësisë” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe atë mbi “Të drejtat e njeriut dhe organizimi i Gjykatës së Hagës” në Hagë. Po kështu ai ka ndjekur edhe kurset mbi “Luftën ndaj krimit të organizuar ndërkombëtar”, Itali, si dhe atë mbi “Të drejtën tregtare” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›