“Të zhbllokohet KQZ-ja për ndarjen e zonave zgjedhore”

Zëvendëskryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar lidhur me bllokimin që po ndodh me ngritjen e ZAZ-ve në KQZ. Nëpërmjet nënkryetarit të saj Petrit Vasili, LSI u bën thirrje partive politike të mos përsërisin gabimet dhe situatat që janë bërë me zgjedhjet e mëparshme, pasi sipas tij administrimi zgjedhor nuk ka nevojë për protagonizëm politik. “Jemi këtu për të përcjellë një shqetësim, i cili po bëhet evident ditë pas dite, lidhur me bllokimet dhe obstruksionizmin reciprok që po ndodh në mënyrë të veçantë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku në mënyrë të dukshme një nga elementet kyç të administrimit të zgjedhjeve siç është ai i ngritjes së Zonave të Administrimit Zgjedhor, është bllokuar më së fundi dje duke e shndërruar këtë diskutim thjesht dhe vetëm në një debat politik shterpë. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje argumentet kryesorë dhe ku administrimi i shpejtë dhe efektiv i zgjedhjeve në njërën anë dhe nxjerrja e rezultatit të tyre me cilësinë e duhur dhe në kohën më të shpejtë të mundshme nga ana tjetër janë pikërisht prerogativat të cilat duhet të ndërtojnë pikërisht arsyetimin dhe veprimin përkatës politik”, deklaroi nënkryetar i LSI, Vasili.
Sipas tij, kjo situatë absolutisht duhet të zhbllokohet në mënyrën më të shpejtë të mundshme sepse koha në dispozicion është mjaft e pakët.
“Eksperienca e mjaft zgjedhjeve të mëparshme ka treguar se marrja e vendimeve me shumë kohë vonesë ka influencuar drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve të realizuara sepse koha e mundësuar për të trajnuar të gjithë ata administratorë të procesit zgjedhor ka qenë e pakët, e pamjaftueshme ose në momente të caktuara aq inekzistente saqë edhe trajnimi i tyre është kthyer në një trajnim fiktiv. Ndaj të gjitha këto ngjarje të cilat kanë rrjedhur në zgjedhje të njëpasnjëshme dhe që kanë qenë në tërësinë e tyre mjaft negative nuk duhet në asnjë mënyrë të përsëriten. Situata që po përvijohet me këtë bllokim reciprok të njëpasnjëshëm ditë pas ditë por e rendon këtë situatë në mënyrë të pajustifikueshme”, theksoi Petrit Vasili.
Ndërkohë zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Vasili vuri në dukje se, “administrimi zgjedhor dhe realizimi i standardeve të zgjedhjeve nuk kanë nevojë për protagonizëm politik nga cilido krah që ai të vijë. Ka nevojë për për rikthimin në memorie të atyre zgjedhjeve me probleme të cilat e kanë penalizuar Shqipërinë dhe integrimin e vendit dhe besoj se nuk ka nevojë më për asnjë nevojë për një shpjegim të mëtejshëm për të treguar rëndësinë e tyre dhe për realizimin e tyre me cilësi. Kështu që përfundimisht kjo situatë duhet të zhbllokohet në mënyrë të menjëhershme. Nuk duhet humbur më asnjë orë e vlefshme për të miratuar këtë element kyç të infrastrukturës së administrimit të zgjedhjeve e që lidhet drejtpërdrejtë me nxjerrjen e rezultatit të tyre”.
Ndër të tjera, nënkryetari i LSI apeloi Partitë politike të cilat kanë sigurisht përfaqësim politik në në mënyrë të veçantë KQZ, si institucioni qendror për administrimin e zgjedhjeve, të kontribuojnë me konstruktivitet për ecjen përpara të situatës dhe absolutisht në asnjë rast të mos përdoren pakicat bllokuese për këtë apo për atë qëllim. “Në të gjitha ato momente kur kompromisi politik do të jetë i domosdoshëm të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme në mënyrë që e gjitha infrastruktura zgjedhore të jetë e gatshme shumë kohë më para për t’i lënë mundësinë trajnimit dhe realizimit të zgjedhjeve me cilësi. Këto zgjedhje, siç dihet, kanë për të qenë dhe do të jenë një element shumë i rëndësishëm në vlerësimin politik të Shqipërisë edhe nga Europa lidhur me çështjen e integrimit europian”, vijoi ai.
Në fund të deklaratës së tij, Vasili nënvizoi edhe një herë se sa e rëndësishme është integrimi që përbën dhe kryeobjektivin politik të politikës shqiptare në tërësi por edhe të popullit shqiptar në tërësinë e tij.
“Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana e saj do të vihet në dispozicion plotësisht dhe nuk do të luajë në asnjë rast rolin e bllokuesit apo të pozicionit destruktiv. Do të vazhdojë të jetë një kontribuuese konstruktive në Parlament por edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dhe ftojmë edhe të gjitha forcat e tjera politike, përfaqësuese në këtë komision, të mbajnë të njëjtin pozicion konstruktiv për të zhbllokuar sa më parë situatën”, nënvizoi Vasili.