E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri “Aleksandër Moisiu” shfaq “Ana Kristin” me rastin e 57 vjetorit

Teatri “Aleksandër Moisiu” në datën 11 janar mbush 57 vjet nga dita e krijimit të tij.
Për këtë arsye, trupa e teatrit në datë 10 janar ora 19.00 shfaq dramën “Ana Kristi” fituese e çmimit Pulitzer e dramaturgut amerikan Eegene O’Neill, me regji nga Driada Dervishi. Në rolet kryesore interpretojnë: Ana Kristi – Klodjana Keco, Krisi – Hysen Bashhysa, Met Burke – Marvin Tafaj, Marta Ouen – Sanie Hoti, Xhoni – Xhelal Tafaj, Postierja – Mimoza Marjanaku. “Ana Kristi” një nga dramat më të mëdha të kohës, me një tingëllim tejet njerëzor, impresivisht të vërtetë në karakterin e saj dhe në momentet më kulminante, intensivisht dramatike. E shkruar nga dramaturgu amerikan Eugene O`Neill fitues i katër çmimeve Pulitzer dhe i një çmimi Nobel, “Ana Kristi” është një pjesë veçanërisht tërheqëse. Nëse “Një udhëtim i gjatë brenda natës” është kryevepra e Eugene O’Neillit, “Ana Kristi” vjen pas saj dhe është pjesa e tij më popullore dhe më e vëna nëpër skenat teatrore botërore, e cila vetëm me vëniet e fillimit në vitin 1922 numëron 117 shfaqje. Drama “Ana Kristi” është një studim i jetës moderne, e cila dramatizon përzierjen e komedisë dhe tragjedisë, karakteristika të përjetshme të jetës. Drama fokusohet në marrëdhënien problematike ndërmjet një marinari dhe vajzës së tij të cilën ai nuk e ka parë prej gati 20 vitesh dhe kjo marrëdhënie ndërlikohet edhe më shumë nga lidhja e saj romantike me një njeri të detit dhe për të kaluarën e saj me probleme. O’Neill prezanton një pamje realiste dhe të dhimbshme të konfliktit familjar dhe të një realiteti të ashpër të jetës femërore. Pjesa përfundon me një fund “të lumtur” dhe për këtë ka pasur kritika të ndryshme. O`Neill duket sikur i sugjeron publikut që ata ta shohin këtë “si një fund të lumtur, nëse janë aq miopë sa ta besojnë një gjë e tillë dhe aq mendjeshkurtër sa ta dëshirojnë këtë gjë”.. Ai, më në fund ka kënaqësinë e aludimit në fjalët e mbylljes, ku çdo gjë duket mjaft e gëzuar për momentin edhe pse ndoshta nuk ka fund për fatkeqësitë, apo vuajtjet e gjithkujt të fshehur në mjegullën e detit.

“Lufta në kohën e dashurisë” edhe frëngjisht

Drama “Lufta në kohën e dashurisë” (“La Guerre en temps d`amour”) e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj së shpejti do të botohet edhe në Francë nga Shtëpia Botuese Maison d'Europe et d'Orient, me seli në Paris. Përkthimin e dramës në frëngjisht e kanë bërë Bardha Rrustemi dhe Anne-Marie Bucquet. Përpos botimit, Maison d'Europe et d'Orient ka blerë edhe të drejtat e inskenimit eventual në Francë dhe vendet tjera frankofone. Në gjermanisht kjo dramë është përkthyer nga Joachim Röhm për Shtëpinë botuese gjermane S. Fischer Verlage. Maison d'Europe et d'Orient ka sjellë më herët në frëngjisht edhe dramaturgë të tjerë kosovarë, përfshi Anton Pashkun, Sabri Hamitin, Teki Dërvishin dhe Eqrem Bashën. "Lufta në kohën e dashurisë" është shkruar në vitin 2007. Në tetor të po atij viti ka pasur prezantimin e parë në Kent të Londrës, nga Teatri Nomad.

8 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›