E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si ishin vitet e fundit të 36-vjeçares me SIDA

03/09/2009  Flasin banorët që e njihnin, ëndrra e saj ishte të kishte një fëmijë

Ishte e paralizuar dhe e braktisur. I çonin për të ngrënë fqinjët

BERAT- Para dy ditësh nga banorët e lagjes “Mangalem”, në qytetin e Beratit, në njërën nga banesat ku qëndronte e vetme u gjetur trupi i pajetë i 36-vjeçares Thëllëza. Z. Nga konstatimet 36-vjeçarja ka pasur një vdekje natyrale. Sipas mjekëve, bëhet e ditur se 36-vjeçarja e braktisur vuante nga SIDA. Policia ka marrë në pyetje si dëshmitarë komshinjtë e 36-vjeçares, të cilët kanë pohuar se Thëllëza ishte e braktisur nga të afërmit, ndërsa pas kthimit nga Greqia prej dy jetësh qëndronte e vetme në shtëpinë e prindërve të saj. Personat që e kanë njohur nga afër Thëllëzën bëjnë të ditur se ajo kishte dy vjet që nuk dilte nga shtëpia, pasi ishte e paralizuar, ndërsa gjatë gjithë kohës qëndronte e vetme dhe nuk i vinte asnjë i afërm pasi ata e kishin braktisur. Në lidhje me sëmundjen e saj nga e cila dhe vuante, komshinjtë thonë se dinin që ajo vuante nga një sëmundje e keqe, por nuk e dinin nga se, pasi ajo nuk u tregonte. Ata thonë se shërbimet shumë herë ia kryenin për mëshirë disa gra të lagjes, të cilat i çonin dhe ushqim në banesë. Jetimja 36-vjeçare sipas komshinjve ka qenë e martuar dy herë dhe nuk ka pasur asnjë fëmijë nga martesat e saj. E penduar për jetën që ka barë, komshinjtë thonë se ëndrra e saj ishte të kishte një fëmijë. Për shkak të shumë problemeve me bashkëshortët ajo ishte e ndarë, ndërsa ka jetuar për shumë vite në Greqi pasi u largua pas viteve ‘90 nga qyteti i Beratit. Komshinjtë dyshojnë se ajo ka bërë një jetë të mundimshme dhe sapo ajo ka mësuar për sëmundjen është kthyer për të gjetur qetësi në vendin ku lindi dhe u rrit. Shumë herë ajo rrinte e vetmuar dhe priste nga personat që iu vinte keq për të t’i sillnin diçka për të ngrënë, pasi ajo nuk mund të lëvizte, ndërsa kohët e fundit nuk lëvizte as nga shtrati. “Gjendja e saj shëndetësore sa vinte dhe rëndohej duke u bërë më keq deri ditën kur ajo dha shpirt”, thonë banorë të lagjes “Mangalem”. Sipas tyre, një komshi që shkonte i çonte për të ngrënë ka shkuar me një pjatë gjellë dhe kur është futur brenda ka parë që Thëllëza kishte mbyllur sytë dhe kishte ndërruar jetë. Sipas burimeve pranë policisë, bëhet e ditur se për shkak të kushteve të rënda në të cilat jetonte 36-vjeçarja dhe gjendjes së saj të rënduar të shëndetit, banesa ku qëndronte vinte erë e rëndë dhe e padurueshme, ndërsa janë vënë re dhe insekte infektuese të mbledhura mbi rroba dhe trupin e saj që qëndronte dy ditë i pajetë. Menjëherë për këtë është lajmëruar drejtoria e shëndetit parësor, e cila ka shkuar dhe me solucione të forta ka dezinfektuar komplet shtëpinë. Ndërsa për varrimin e jetimes 36-vjeçare nga qyteti i Beratit dhe e braktisur nga të afërmit, Drejtoria e Policisë së Beratit i ka kërkuar ndihmë bashkisë së qytetit për të marrë përsipër kryerjen e shërbimit të fundit për vajzën dhe përcjelljen drejt banesës së fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›