E Hënë, 2 Nëntor 2026

Teatri “Skampa” sjell trofe nga Rusia

10/06/2005  Trupa e teatrit “Skampa” fiton çmimin e parë për aktorët më të mirë protagonistë në Festivalin Ndërkombëtar “Sllavi Kroun” në Moskë, pas më shumë se 50 vjetësh mungese të një trupe shqiptare në Rusi. Gjithçka lindi në një nga edicionet e festivalit teatror “Skampa”, një aktivitet i përvitshëm në shërbim të teatrit eksperimental. Një trupë ruse do të ishte e ftuar në edicionin e vitit 2003, ku veç prezantimit të suksesshëm, marrëdhëniet mes teatrove do të vazhdonin edhe më tej. Pas dy vjetësh një ftesë nga presidenti i teatrit “Perovskaja”, do të bënte të mundur që një trupë shqiptare të ishte pjesëmarrëse mes 10 teatrove sllave në këtë festival ndërkombëtar. Teatri “Skampa” u përzgjodh edhe për pjesën e suksesshme “Sfida”, me regji të regjisorit Adonis Filipi dhe me protagonistë dy aktorët e mëdhenj, Alfred Trebicka dhe Niko Kanxheri. Pikërisht interpretimi i tyre i shkëlqyer do të ishte trofeu i trupës së Elbasanit. Por gjatë kësaj vizite, ku do të merrte pjesë edhe kryetari i bashkisë, Ardian Turku, ajo që do të cënonte ndërgjegjen e të ftuarve nga Shqipëria, ishte indiferenca nga ana e ambasadorit shqiptar dhe trupit diplomatik të akredituar në këtë vend. Në një intervistë për “Metropol”, drejtori i teatrit, Kristaq Pilo, flet për këtë eksperiencë ruse të trupës së Elbasanit.

Erdhët me një çmim nga Rusia, cili është impresioni i kësaj pjesëmarrjeje?

Të marrësh pjesë në një festival që organizohet nga një kompani teatrore ruse, do të thotë që ato kanë vlerësuar teatrin që prodhon Elbasani. Përcaktimi i ftesës për teatrin “Skampa” me pjesën “Sfida”, ishte pikërisht ai vlerësim që përfaqësuesit rusë bënë me pjesëmarrjen e tyre në aktivitetin ndërkombëtar, që zhvillohet çdo vit në Elbasan, të cilët menduan për teatrin tonë. Mendoj se paraqitja dinjitoze me aktorët profesionistë Alfred Trebicka dhe Niko Kanxheri na krijuan mundësinë që të bëhemi pjesë e aktiviteteve të tilla, kaq të rëndësishme. Veç prezantimit dinjitoz, trupa jonë teatrore krijoi një lidhje të rëndësishme me teatrin rus, duke arritur që një pjesë shqiptare të marrë duartrokitje dhe të vlerësohet në maksimum me dy aktorët e saj. Pas 50 vjetësh një trupë shqiptare prezantohet përballë teatrit rus, ndaj qëlllimi ynë ishte paraqitja dinjitoze. Por kur fituam çmim, atëherë ky ishte vlerësimi më i madh për ne.

Si e vlerësoni indiferencën e ambasadorit shqiptar në Rusi?

Nuk di ç’të them, pasi rrallëherë ndodhë kur një aktivitet i tillë i vlerësuar në maksimum nga të gjitha vendet, të mos kishte edhe vlerësimin e ambasadës shqiptare. Ajo na përfaqëson dhe është në dinjitetin e saj të respektojë dhe të qëndrojë pranë një delegacioni artistësh. Çudia ishte sidomos, kur ambasadori i akredituar në Moskë, Avni Xhelili, nuk solli asnjë përfaqësues të tij në festival apo të kërkonte informacion për aktivitetin tonë aty. Injorimi që bëri ambasadori nuk i takon një përfaqësimi diplomatik, me të cilin shqiptarët duhet të krenohen. Kjo sjellje e ambasadës sonë na irritoi, pasi ndryshe nga mikpritja e rusëve, sjellja e tyre ishte mjaft indinjuese.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Përgatitja e festivalit teatror “Skampa 2005” është edhe një ndër parashikimet tona brenda këtij viti. Kanë filluar tashmë seleksionimet e trupave pjesëmarrëse në këtë festival ndërkombëtar. Kemi patur kërkesa të ndryshme nga teatro të njohura, por ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë kontureve të këtij aktivitetit teatror, duke ruajtur edhe konturin eksperimental të tij. Pritet që të marrin pjesë në këtë edicion edhe trupa nga teatro të njohura në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›