E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuqezinjtë “i përulen” Danimarkës

09/06/2005  Kombëtarja e dorëzuar para kohe e dizavantazhi 3-0, në 54 minutat e para, lë vend për kënaqësinë e vogël, golin e nderit me Bogdanin.

Nga Kopenhagen, Agron Kaja

Një tjetër humbje, një tjetër zhgënjim. Ky është fundi i aventurës daneze të Kombëtares sonë, në këtë fillim qershori. Shqipëria është mundur 3-1, në shtëpinë e Danimarkës, nga skuadra e Olsen, që ka ditur të shfrytëzojë shumë mirë përgjumjen e mbrojtjes kuqezi. Trajneri Brigel kishte zbritur që në fillim një skuadër të vendosur 4-4-2, me Likën në portë, Beqirin, Osmanin, Hasin e Aliajn në mbrojtje. Para tyre, në mesfushë, Jupi, Lala, Cana e Skela, ndërsa në vijën e sulmit, Taren e Bogdanin. Danezët kundërpërgjigjeshin me 11-shen e tyre më të mirë. Dhe, siç ndodh rëndom, kuqezinjtë marrin një goditje të rëndë për moralin e tyre që në minutat e para, kur shikojnë veten në dizavantazh me golin e Laursen (6’). Vrulli i kundërshtarëve vë në dukje stonimin e kuqezinjve, të cilët vetëm presin lojën e danezëve. Reagimi i parë i shqiptarëve vjen vetëm pas minutës së 30-të, kur Skela e Aliaj, provojnë të rrezikojnë, por gjuajtjet e tyre kanë forcën e duhur. Pastaj gjithçka flet për danezët që dominojnë në çdo cep të fushës. Këto janë edhe rastet e vetme të kuqezinjve në 45 minutat e para. Edhe pjesa e dytë ishte një fotokopje e të parës. Pas vetëm 2 minutash lojë, danezët gjejnë edhe golin e dytë. Eshtë sërish Laursen, ai që i ka “ngrirë buzëqeshjen” mbrojtjes tonë, në atë goditje me kokë, të pandalshme nga Lika. Dhe 7 minuta më vonë, Jorgensen trefishon rezultatin, duke hedhur themelet e fitores së sigurt të danezëve. Për sa është parë në fushën e lojës, duhet theksuar se kishim një skuadër që ishte dorëzuar para kohe, futbollistët e saj ishin hije e vetvetes. Një mungesë e theksuar e grintës që shikohet vende-vende te Cana, (më agresivi) e ngadonjëherë te Lala e Bogdani. Pasiguria në qarkullimin e topit dhe gabimet e shumta, karakterizojnë lojën e kuqezinjve, që nuk arrijnë të organizojnë një sulm të mirëfilltë, për të vënë në vështirësi kundërshtarët. Një lojë e vakët ka pasuar golin e tretë, ndërsa falë Likës shpëtojmë nga pësimi i sigurt i golit të katërt. Portieri i Shqipërisë ka pritur penalltinë e ekzekutuar nga Tomason, që ishte fituar më parë, pas një ndërhyrjeje të gabuar të Aliajt, brenda zonës ndaj Jensen. Skuadra ka nevojë për më shumë freski, ndërsa fantazisti i saj, Skela, lë shumë për të dëshiruar. Nuk funksionon thuajse fare loja nga krahët, për të furnizuar sulmin, ndërsa mbrojtja vuan sulmet e njëpasnjëshme të danezëve. Dhe vjen momenti i Duros, për Skelën. Pas vjen dhe një farë kthese. Shqiptarët janë më aktivë, Cana rrëmben një top në mesfushë, jep një asist të mrekullueshëm për Bogdanin, i cili pasi depërton mes dy mbrojtësve, gjuan me finesë dhe asgjë nuk mund ta ndalë topin që shkon drejt rrjetës. Goli ndez lojën e tanëve, që në pak minuta kërkojnë të demonstrojnë agresivitetin e ditës së tyre më të mirë. Por nuk mjafton. Danezët shtrëngojnë morsetën, afrohen disa herë në portën tonë, për të ardhur në fërshëllimën triherëshe të gjyqtarit, për mbylljen e takimit, pikërisht pas gjuajtjes së Aliajt, që përfundon përmbi traversë. E megjithatë, goli i flamurit duket se ka ngushëlluar zërat shqiptarë, të cilët janë të detyruar ta pranojnë përuljen ndaj më të “Madhit”.

DANIMARKE - SHQIPERI 3:1

DANIMARKA: Sorensen, Poulsen, Kroldrup, Nielsen, Jensen, Helveg, Gravesen (Daniel Jensen 59’), Romedal (Silberbauer 70’), Jorgensen, Tomason (Perez 87’), Larsen

SHQIPERIA: Lika, Beqiri, Osmani, Cana, Aliaj, Jupi (Sina 90’+2), Skela (Duro 66’), Hasi, Lala, Tare (Myrtaj 81’), Bogdani

Gjyqtarë: Peter Frojdfeld, Stefan Vidberg, Keneth Peterson

Shënues: Larsen 6’, 47’, Jorgensen 55’ / Bogdani 72’

Kartona të verdhë: Duro

Trajneri i përfaqësueses e ka pranuar humbjen me danezët, të cilët ishin më superiorë në fushë

BRIGEL: DANIMARKA ISHTE ME E FORTE

Skuadra jonë përfaqësuese ka regjistruar humbjen e gjashtë në këtë fushatë eliminatoresh për kampionatin botëror, kur të mërkurën në mbrëmje, është mundur në Danimarkë, me rezultatin 3:1. Një ndeshje e dominuar nga danezët, të cilët kanë zgjidhur shumë shpejt problemin e rezultatit, me nga një gol në fillimin e secilës pjesë, të pasuar nga një i tretë, pak minuta pas golit të dytë. Skuadra daneze ka treguar se ishte më superiore se kuqezinjtë dhe një fakt të tillë e ka pranuar edhe trajneri i skuadrës sonë, Hans Peter Brigel. Për numrin një të bankinës kuqezi, skuadra daneze e ka merituar fitoren, pasi ka qenë ajo skuadra që ka luajtur më mirë. “E kisha deklaruar edhe para ndeshjes se ishim përballë njërës prej skuadrave më të forta në grupin tonë. Dhe ndeshja rezultoi me të vërtetë e tillë. Danezët e zgjidhën shpejt rezultatin dhe kjo bëri që ata të luanin më lirshëm, ndërkohë që ne u gjendëm në vështirësi në gjysmëorëshin e parë të ndeshjes”- ka deklaruar trajneri i përfaqësueses kuqezi, Hans Peter Brigel. Më tej, Brigel ka analizuar më në detaje ndeshjen, duke shpjeguar edhe arsyet pse vendos që të hedhë në fushë një skuadër me dy sulmues. Sipas tij, kjo ishte një zgjidhje prej së cilës ai kërkonte të vinte më shumë në vështirësi kundërshtarin. “Duke ditur se Danimarka ishte një skuadër mjaft e fortë, mendova të hedh në fushë dy sulmues. Arsyeja ishte e thjeshtë. Vetëm me dy sulmues mund ta vinim në vështirësi Danimarkën. Gjithsesi nuk ia arritëm”- ka nënvizuar më tej trajneri i përfaqësueses, Brigel. Ndërkohë, ai nuk ka harruar të përmendë edhe faktin e pësimit të dy golave shumë të shpejtë, një në secilën pjesë. “Më vjen keq që përsëri pësojmë gol që në filim të ndeshjes. Ishin dy gola të shpejtë, që na goditën. Por, më vjen keq që nuk mundëm të reagonim në kohë. Pas çdo goli të pësuar, ne nuk mundëm ta vinim në vështirësi kundërshtarin. Mendoj se kjo ishte një mangësi e skuadrës sonë”- ka shtuar më tej trajneri i përfaqësueses kuqezi, Brigel. Gjithsesi, Brigel në fund të intervistës së zakonshme të pasndeshjes, ka ripërsëritur faktin, se skuadra jonë është mundur nga një skuadër shumë e fortë si Danimarka. “E theksoj, më vjen keq që u mundëm, por kjo humbje nuk është se erdhi nga ndonjë skuadër e dorës së dytë. Ne u mundëm nga një skuadër shumë e fortë si Danimarka. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përpara për ndeshjet që na kanë mbetur deri në fund të këtyre eliminatoreve”- ka përfunduar deklaratën e tij, trajneri i përfaqësueses, Hans Peter Brigel.

Lorik Cana: Golat e shpejtë na dënuan

Fatkeqësisht e filluam ndeshjen keq dhe pësuam gol që në minutat e para të ndeshjes. Kur pëson gol që në fillim, kundër një kundërshtari të fortë si Danimarka, atëhere gjërat bëhen edhe më të vështira. U përpoqëm që të hynim në lojën tonë, por nuk kishim qartësinë e duhur. Nga ana tjetër, Danimarka është një skuadër me një nivel të lartë dhe na vështirësoi shumë me lojën e saj. Në fillim të pjesës së dytë bëmë të njëjtat gabime, si në të parën dhe kjo na ndëshkoi. Tefik Osmani: Danezët të fortë në ajër

„Ishte një ndeshje shumë e vështirë, kundër një kundërshtari shumë të fortë. Lojtarët danezë ishin shumë të fuqishëm në lojën në ajër dhe aty na ndëshkuan. Besoj se ndeshja u humb përfundimisht në fillim të pjesës së dytë, ku pësuam dy gola me kokë“. A.K

Olsen: Fitore e vështirë, por e merituar

Ka fituar mbrëmë kundër Shqipërisë 3-1, është ende në valle për kualifikimin drejt Botërorit 2006, falë humbjes së Greqisë, por kjo nuk mjafton ta kënaqë. Ky është trajneri i kombëtares daneze, Morten Olsen. Në konferencën për shtyp menjëherë pas ndeshjes, ai ka shprehur pakënaqësi për lojën e skuadrës së tij, ndërkohë që, edhe pse e ka mundur, ka pranuar se Shqipëria e ka vënë në vështirësi në 90 minutat e djeshme në stadiumin e Kopenhagenit, “Parken Stadion”. “Për sa i përket ndeshjes mund të them se ishte e vështirë, megjithëse ne e merituam fitoren - ka nisur prononcimin e tij për shtypin, trajneri Olsen. – Mund të kishim shënuar një fitore edhe më thellë, nëse do të kishim shfrytëzuar rastet që na u dhanë, sidomos 11-metërshi i humbur nga Tomason”. Por, sipas mendimit të tij, ajo që ka qenë pengesë e madhe në daljen e skuadrës në lojën e tyre, ishte pikërisht Shqipëria, e cila tregoi edhe në këtë ndeshje se nuk është një kundërshtar i lehtë. “Shpesh shqiptarët na kanë vënë në vështirësi, sidomos pas shënimit të golit të parë të tyre. Mund të kishin vënë në rrezik rezultatin”. Fitorja e djeshme dhe humbja e Greqisë, u ka shtuar shanset danezëve, të cilët tashmë presin në shtëpi disa ndeshje jo të vështira në letër. Gjithsesi trajneri Olsen nuk dëshiron të tregohet i nxituar. “Humbja e Greqisë na ndihmoi shumë në këtë rast, pasi kemi edhe një ndeshje më shumë për të luajtur, por megjithatë do të na duhet edhe shumë punë për të përmbushur objektivin tonë. Jo gjithçka do të jetë këtu e në vazhdim”, tha në mbyllje trajneri i Danimarkës.

GRUPi 2

Renditja

Klasifikimi Pikë Nd F B H G+ G-

1. Ukraina 23 9 6 2 0 15 3

2. Turqia 16 9 4 4 1 19 7

3. Greqia 15 9 4 3 2 12 7

4. Danimarka 12 8 3 3 2 9 6

5. Shqipëria 9 9 3 0 6 7 16

6. Gjeorgjia 5 7 1 2 5 10 16

7. Kazakistani 0 7 0 0 7 2 21

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›