E Hënë, 2 Nëntor 2026

Le Monde 6 shekuj pas Lek Dukagjinit

10/06/2005  “Reportazh në mesjeta” ekspozita fotografike, që do të hapet sot në shkollën “Xhezmi Delli”, e realizuar nga fëmijët e rrezikuar nga gjakmarrja, vjen me sensacion nga Franca; një grup fëmijësh francezë reagojnë për bashkëmoshatarët e tyre; Artikulli që zuri faqen e parë të gazetës “Le Monde” për vështrimin fotografik të fëmijëve shqiptarë mbi hakmarrjen

Eleni Laperi

Një projekt që ka si protagonistë fotografinë dhe fëmijët e familjeve që jetojnë mbyllur në shtëpitë e tyre prej ligjeve të kanunit, i cili prej vitesh është bërë ‘kushtetutë mbi kushtetutën’, na bëri të mundur në vitin 2004 ‘udhëtimin në mesjetë’. Ishte një përpjekje që me anë të fotografisë, artit, të lidheshim me këto familje, të bënim fëmijët e tyre, që qoftë edhe një ditë apo një javë, të mendojnë pozitivisht për të ardhmen e tyre e t’u tregojnë të tjerëve ëndrrat e dëshirat e tyre me anë të fotove të bëra prej tyre.

Ekspozita e organizuar në qershor 2004, në qendrën “Lindart”, me fotot e atyre fëmijëve, që flasin më shumë se çdo artikull, nuk u vizitua nga asnjë politikan shqiptar, edhe pse u ftuan.

Gazeta Le Monde e datës 23 prill 2005, artikullin e saj të faqes së parë “Në Shqipëri, familjet e mëdha përpiqen të ‘modernizojnë’ hakmarrjen” e nis kështu: “Edhe gjashtë shekuj pas vdekjes së princit shqiptar, Lek Dukagjini, në Shqipëri vazhdojnë të vrasin në emër të tij, ose më saktë, sipas kodit të tij të lashtë zakonor, që u bëri ballë pesë shekujve të sundimit otoman dhe gati pesëdhjetë viteve të një komunizmi të thekur”. Është fjala për takimin e çuditshëm të familjeve të mëdha në 10 prill 2005, në Kushe të Shkodrës, që promovoi mungesën e shtetit ligjor te ne dhe pretendoi se i vuri fre kanunit të shtrembëruar. Sepse ende sot, qindra familje, ashtu si Preka prej Shoshit e gjithë familja e tij prej pesëmbëdhjetë vetësh: nëna, vëllezërit, motrat, fëmijët e tyre, janë të detyruar të rrijnë fshehur, sepse familja e viktimës kërkon gjakun, ndonëse vëllai që bëri vrasjen tani vuan dënimin në burg. Gra që robtohen gjithë ditën brenda e jashtë shtëpisë, që të mbajnë familjen, shpesh janë viktima të dhunës së burrave, të cilët nuk mund të dalin prej dhomës dhe shfrehin gjithë vrerin e tyre mbi to.

Pasi ndahesh nga këto familje, nga portretet e trishtuara të fëmijëve, nga një gjendje aq absurde për shekullin, të lind papritmas dëshira të bësh hara-kiri para Kryeministrisë e zyrave të Kuvendit shqiptar. Por vrasjet e vetëvrasjet, që çdo ditë mbushin faqet e para të shtypit të shkruar e elektronik, e kanë çvlerësuar impaktin emocional të një gjesti të tillë mbi shoqërinë. Nuk ka rëndësi kush u vra, si, pse, nga kush… Rëndësi ka që edhe sot u vra një tjetër, jo ti, duke të dhënë kështu një ndjenjë lehtësimi, duke nxjerrë mbijetesën në plan të parë, e duke hequr vëmendjen nga probleme të tilla si: punësimi, strehimi, edukimi, problemet gjinore, të drejtat e njeriut… Politika, e pafuqishme të plotësojë ato që premton në kohë fushatash elektorale, në këtë mënyrë fsheh paaftësinë e saj me ndihmën e pushtetit të katërt: masmediave. Krimi në formën e gjakmarrjes/hakmarrjes/larjes së hesapeve, është një pjesë e kësaj strategjie të tregut politik-mediatik për të thithur konsumatorët e lajmit. Lajmi ndjek lajmin: një kokë gruaje e prerë e gjetur nga qeni i një ushtari; një burrë i varrosur nën kasollen e derrit; u vra-s’u vra në traget gruaja bjonde; dy vetë vriten për vijën e ujërave të zeza; një baba vret vajzën se e gjeti me të dashurin…

Një trysni e pafund vrasjesh ‘plot fantazi’, që e bëjnë fare të zbehtë problemin e ca dhjetëra apo qindra fëmijëve të pafajshëm, me të drejta të dhunuara, që kalojnë muaj e vite të mbyllur në shtëpitë e tyre të varfëra, pa libra, pa argëtim, pa të ardhme; dhe policia e drejtësia që nuk janë në anën e tyre.

Ashtu gjysmë të harruar, në qendër të vëmendjes të atyre që quhen ‘misionarë, ndërmjetës, doras’, etj., e që nxjerrin ‘bukën e gojës’ me fatkeqësinë e tyre, një numër gjithnjë në rritje shqiptarësh tërheqin pa u ndjerë shoqërinë tonë prapa, në mesjetë, duke na bërë të përdorim, pa e kuptuar, një fjalor të lashtë, të dalë kohe, klanor, si: gjakësi, ngujimi, besa, dorasi, çmimi i gjakur, vlera e gjakut të gruas sa gjysma e vlerës së gjakut të burrit…

Po ekspozita ngjalli interesin e shoqatës “Albania” në Francë, që realizoi edhe një katalog e në 23 shkurt 2005 i ekspozoi fotot në galerinë “Calligraphis”, në Paris. Zoti Pascal Hamon, nga Drejtoria e Muzeve të Francës dhe Shoqata “Albania”, e cila ka si anëtarë të saj qytetarë francezë, intelektualë që kanë punuar në Shqipëri, apo që e duan Shqipërinë, vijon organizimin e kësaj ekspozite në qytete të ndryshme, me qëllim që të sensibilizojë opinionin publik për këtë plagë, që, ndonëse implikon vetëm një numër të përcaktuar njerëzish, na bën ne shqiptarëve para Evropës simbol të prapambetjes e intolerancës.

Ndoshta ka edhe një farë të vërtete në gjithë këtë histori, sepse as edhe grupimet e të rinjve, si Mjaft dhe Këshilli Rinor Shqiptar, nuk kanë ndërmarrë aksione deri tani për këtë problem, që po bën viktima ndër të rinjtë shqiptarë, po kanë rënë në pozitat e politikës ‘së vjetër’ shqiptare, duke u grindur me njëri-tjetrin e duke gjeneruar konflikte midis tyre për “zona influence”.

*** Në Tiranë kanë filluar ethet e fushatës elektorale. Çdo ditë ekranet përshkënditen nga figura burrash e grash të veshur me kostume të shtrenjta, shpeshherë ekstravagante, me flokët e mbajtura mirë e gishtat plot unaza, që përpiqen të duken sa më të mençur e t’u mbushin mendjen shqiptarëve se janë zëri i tyre, se me ta e ardhmja është ndryshe, është e mbrojtur, është e sigurtë, s’është ajo që ishte… Kur i dëgjon, të duket sikur e ardhmja do jetë si një lokal luksoz te blloku. Po deri tani s’është dëgjuar ndonjë të jetë zëri i atyre fëmijëve pa të ardhme, të përmendet në platformat e partive si do shpëtojmë nga pasojat e gjakmarrjes/hakmarrjes/larjes së hesapeve. Asnjë nuk përmend ata që nuk kanë mbështetje: fëmijët, gratë e burrat e lënë në mëshirën e ‘kanunit të redaktuar’ e ‘hijenave’ të tij dhe të gjithë ne shqiptarët e tjerë me damkën e Mesjetës në ballë.

A do mundemi ne: artistë, qytetarë, fëmijë të kthejmë vëmendjen ndaj tyre, ndaj të ardhmes së kërcënuar të ne të gjithëve? Se në Evropë nuk shkohet me kanunin si kushtetutë.

Eleni Laperi

Sensibilizëm në Marsejë

Ndërkohë në Francë, 25 nxënës të kolegjit “Henri Bosco“, në Vitrol pranë Marsejës bënë një fushatë sensibilizimi për këta fëmijë, me foto, me letra, madje duke nisur edhe korrespondencë me vetë fëmijët shqiptarë, që t’u japin zemër e kurajo për të mos e vazhduar këtë ’reality show’ me ‘gjakmarrje’ e ‘kanun’, po të ndërtojnë me guxim një të ardhme ndryshe për veten e tyre. Kristofer, Mederik, Lea, Damian, Sharlota, Zhoel, Solen, Ana, Leticia, Romeni, Kristof, Matilda, Xhefri, Nikola, Polina, Sebastien, Gledis, Meloe, Sebastien, Rezhis, Estel, Kamil, Aleksandra, Natael, Anisa, Joana kanë krijuar albumin: “Së bashku për fëmijët e Shqipërisë“.

Më 9 maj 2005, gazeta më e madhe e Jugut të Francëz “La Provence“ shkruan për iniciativën e këtyre fëmijëve 14-15- vjeçarë, pasi vizituan ekspozitën me fotografitë e bëra prej fëmijëve shqiptarë të familjeve të ngujuara nga rrethi i Shkodrës, e hapur në qendrën kulturore “George Sand“ me mbështetjen e MRAP (Lëvizja kundër racizmit dhe për miqësinë midis popujve). Iniciativa e këtyre fëmijëve, të prekur thellë nga realiteti i fëmijëve të moshës së tyre, që nuk mund të shkojnë në shkollë e që përditë janë të kërcënuar nga vdekja, ishte të sensibilizonin anëtarët e rrjeteve të tyre në internet, duke u dërguar fotografi, që njerëzit të ndërgjegjësohen për gjendjen e fëmijëve në Shqipëri, që njerëzit të përpiqen për të drejtat dhe liritë e njeriut, të shkelura nga intoleranca.

Për të nxitur edhe fëmijët shqiptarë të ndjekin iniciativën e fëmijëve francezë, të edukohen si qytetarë, të vëmendshëm ndaj problemeve shoqërore, të ndërgjegjshëm për veprime në dobi të paqes e tolerancës, të premten më 10 qershor ekspozita në fjalë do të hapet në shkollën ‘Xhezmi Delli’, me mbështetjen e drejtoreshës së shkollës, Valbona Nathanaili dhe të Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Fëmijët dhe vizitorët e tjerë do të ftohen të bëhen pjesë e një lëvizjeje për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, që kërcënohen nga ‘kanuni’ dhe indiferenca e shtetit dhe qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›