E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy trafikantët e kokainës, “luftë” me policinë

09/06/2005  Të rinjtë nga Mamurrasi akuzohen edhe për vjedhje me armë të vilave loksoze në veri të Italisë

Arrestohen dy pjesëtarë të një grupi të strukturuar shqiptaro-italian, të trafikut ndërkombëtar të kokainës si dhe të grabitjes me armë dhe vjedhjeve të vilave, të kryer në mënyrë të përsëritur. Arrestimi i tyre ka ardhur pas prangosjes së afro 20 shqiptarëve e italianëve të tjerë, nga policia e Milanos dhe e Torinos. Mbi dy të prangosurit Artur Ceka, 28 vjeç, nga Mamurrasi dhe Emiljano Reçi, 35 vjeç nga Laçi, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, rëndojnë disa akuza të rënda. Gjatë arrestimit të djeshëm, ata i kanë rezistuar policisë dhe kanë hapur zjarr kundër kërkesës për vetëdorëzim. Forcave speciale u është dashur një natë e tërë që të përballonin rezistencën e të kërkuarve, derisa mëngjesin e djeshëm i kanë neutralizuar dhe i kanë vënë në pranga. Ata akuzohen për trafik të kokainës nga Holanda në Itali, vjedhje të 20 vilave në veri të Italisë dhe grabitje me armë. Gjithashtu, ata akuzohen nga prokuroria italiane edhe për vjedhje me armë me pasojë plagosje. Ka qenë një hetim pesëmujor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka lëshuar urdhër-arrestet për dy të prangosurit. Ndërkaq, policia italiane e ka niur hetimin ndaj këtij grupi prej vitesh. Javën e fundit kanë mbërritur në Tiranë edhe tre oficerë italianë, të cilët në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë shqiptare kanë kryer operacionin e mesnatës së 8 qershorit. Policitë e dy vendeve kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa kilogramë kokainë, miliona para dhe një fuoristradë tip BMV X5 me targa Durrësi.

Hetimi

Hetimi ndaj grupit të trafikimit ndërkombëtar të drogës, mësohet të ketë filluar disa muaj më parë nga policia italiane. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se kjo bandë e ushtronte aktivitetin e saj kriminal në qytetet e Milanos dhe të Torinos. Ndaj Artur Cekës dhe Emiljano Reçit, policia italiane kishte filluar hetimin që në janar, kur këta i kishin shpëtuar prangosjes në Breshia, pas grabitjes me pasojë plagosjen e një italiani. Ndërkaq, autoritetet e drejtësisë italiane i kishin përcjellë informacion Prokurorisë së Krimeve të Rënda pesë muaj më parë. Që prej asaj kohe, dy të arrestuarit e djeshëm kanë qenë nën survejim. Ndërkaq, katër ditët e fundit ata janë vënë nën përgjim intensiv, ku është regjistruar çdo bisedë telefonike që kanë kryer. Nga hetimet ka rezultuar se veç trafikut të kokainës nga Holanda në Itali, anëtarët e kësaj bande kryenin edhe vjedhje vilash dhe grabitje me armë. Burimet pohojnë se ata në bashkëpunim edhe me shtetas italianë, bënin falsifikime kartash krediti.

Operacioni dypalësh

Pas mbërritjes një javë më parë në Shqipëri, tre oficerë italianë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë hartuar planin e operacionit për arrestimin e Artur Cekës dhe Emiljano Reçit. Ndërkaq, përtej Adriatikut, policia italiane ka dositur një ditë më parë anëtarët e tjerë të bandës, ku kanë rënë në pranga rreth 20 persona të tjerë, ndër ta 13 shqiptarë. Mesnatën e së martës, forca të shumta speciale të udhëhequra nga hetues të Krimeve të Rënda dhe oficerët italianë, kanë rrethuar banesat e dy të kërkuarve ndërkombëtarë, Artur Ceka dhe Emiljano Reçi, të cilëve u kanë bërë thirrje të dorëzohen. Burime të besueshme të policisë pohuan dje për gazetën “Metropol”, se të akuzuarit i janë përgjigjur thirrjes për t’u dorëzuar me armë. Ata kanë qëlluar kundrejt policisë, me qëllim që të largoheshin. Por mëngjesin e djeshëm, pa parë ndonjë shpresë, ata janë dorëzuar pa bërë më rezistencë. Më pas të arrestuarit janë shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një BMV X5 me targa Durrësi, në pronësi të të arrestuarve. Ndërkaq, në Itali, dy ditë më parë, janë vënë në pranga edhe 20 anëtarë të tjerë të kësaj bande.

Akuzat

Mbi dy të arrestuarit e djeshëm rëndojnë një mal me akuza, të cilat dyshohet t’i kenë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë.

Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të drogës dhe krijim të grupit të organizuar kriminal. Në përbërje të këtij grupi bënin pjesë edhe afro 20 shqiptarë e italianë të tjerë. Ata akuzohen edhe për vjedhje të vilave të personaliteteve në Itali dhe disa vende të Evropës. Gjithashtu akuzohen edhe për grabitje me armë, falsifikime të kartave të kreditit, të gjitha të kryera në bashkëpunim. Burime të Prokurorisë kanë pohuar dje se për të gjitha akuzat e ngritura ndaj të pandehurve, disponojnë prova të mjaftueshme. Kështu, policia italiane ka vënë në dispozicion përgjimet telefonike, dokumentacionin e sekuestrimit të kokainës, dokumenteve të falsifikuara, gjurmëve të gishtërinjve etj.

Lidhjet e bandës

Nga hetimet dypalëshe të drejtësisë italiane dhe asaj shqiptare, është zbardhur gjithë aktiviteti dhe lidhjet e bandës së goditur dje. Sipas burimeve të policisë, pjesa më e madhe e të akuzuarve kishin lidhje miqësore dhe shoqërore të ngushta mes tyre. Madje, pjesa më e madhe e tyre ishin banorë të një krahine ose me prejardhje nga e njëjta zonë, theksojnë burimet. Ky fakt, sipas policisë, e ka bërë mjaft kompakte bandën, e cila dyshohet që aktivitetin e saj kriminal ta ketë më të gjerë në kohë e hapësirë se ajo që është dokumentuar me prova materiale.

Aktiviteti

Banda italo-shqiptare me 20 anëtarë në përbërje të saj, kryente trafik të kokainës nga Holanda drej Italisë. Droga shitej kryesisht në tregjet e Milanos dhe të Torinos, ku edhe ishin bazat e të arrestuarve. Veç këtij trafiku, të arrestuarit kryenin edhe vjedhje të vilave, ku 20 raste janë dokumentuar nga policia italiane. Në disa raste, ata akuzohen se kanë përdorur edhe armë ndaj pronarëve të vilave luksoze, duke tentuar t’i vrasin ata. Por veç 20 vilave të vjedhura në Itali, ata dyshohen të kenë kryer të tjera grabitje edhe në Spanjë, Francë e Holandë. Ndërkaq dyshohet që ata të kenë patur një kohë të gjatë që ushtronin aktivitetin kriminal prej disa vitesh, përfundojnë burimet e policisë. Re.Kro.

Banda me aktivitet kriminal në disa vende të Evropës

Dy të shpallurit në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar dje, akuzohen si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që e ushtronte aktivitetin e tij në disa vende të Evropës. Sipas burimeve të Prokurorisë, banda italo-shqiptare i kishte bazat e saj në Milano dhe Torino, ku edhe kishte përqëndruar aktivitetin kriminal. Ata akuzohen se grabisnin me armë banesat luksoze të personaliteteve dhe biznesmenëve italianë, të cilët i piketonin më parë. Gjithashtu, ata akuzohen se merreshin me trafik kokaine dhe falsifikim të kartave të kreditit. Nga hetimet dypalëshe ka rezultuar se shqiptarët gjithçka e kryenin në bashkëpunim me shtetas italianë. Ndërkaq, nga mediat italiane është bërë e ditur se banda italo-shqiptare e siguronte kokainën në Holandë dhe më pas e tregtonte kryesisht në Milano e Torino dhe qytetet e tjera veriore të Italisë. Gjithashtu, ata dyshohen të kenë kryer vjedhje të vilave luksoze në disa vende të Evropës si në Spanjë, Francë e Holandë.

Ceka dhe Reçi tentuan të vrisnin pronarët e një vile në Breshia më 27 janar

Mediat italiane kanë publikuar lajmin e dy të arrestuarve të djeshëm, Artur Ceka dhe Emiljano Reçi. Ato pohonin se dy shqiptarët ishin autorë të vjedhjes së një vile në lagjen “Pian di Camuso” në Breshia të Italisë. Ata akuzohen se më 27 janar të këtij viti, kanë tentuar të vrasin familjarët Sonetti, ndërsa kishin hyrë për të vjedhur. Sipas mediave italiane, ata kanë qëlluar me armë drejt pronarëve të vilës, posa janë diktuar nga këta të fundit. Gjithashtu, në mediat italiane është bërë e ditur se dy të arrestuarit ishin pjesë e një klani mafioz me baza në Milano e Torino. Ata akuzohen nga policia italiane për trafik ndërkombëtar të kokainës, vjedhje dhe grabitje me dhunë.

Familja Sonetti, paraqitje për njohje me fotot e të arrestuarve

Pjesëtarët e familjes Sonetti kanë pretenduar para policisë italiane se janë në gjendje që t’i identifikojnë agresorët. Kështu, dy fotografitë e të arrestuave do të sekuestrohen nga Prokuroria italiane, e cila do të kryej paraqitjen për njohje. Të gjithë anëtarët që janë përballur me armët e Cekës dhe Reçit, natën e 27 shkurtit të këtij viti, do të pohojnë nëse janë apo jo të arrestuarit e djeshëm autorët e grabitjes. Nëse të dëmtuarit do të pohojnë se fotot u përkasin grabitësve të asaj nate, atëherë mbi të prangosurit do të rëndojnë dy akuza për këtë ngjarje. Sipas burimeve të Prokurorisë, ata do të akuzohen për grabitje me armë dhe vrasje të mbetur në tentativë.

Artur Ceka u plagos një natë me Ledio Ruçin në pub “Kahlua”

Në fillim të shkurtit të vitit të kaluar, jashtë pub “Kahlua”, mbetën të plagosur, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, Ledio Ruçi dhe i riu nga Mamurrasi, Artur Ceka. Fillimisht u dyshua për një grindje banale mes Ledio Ruçit dhe disa të rinjve nga Mamurrasi, ku një ndër ta ishte Artur Ceka. Në sherr e sipër mbetën të plagosur lehtë Ledio Ruçi dhe Artur Ceka. Për plagosjen e këtij të fundit, Prokuroria e Tiranës akuzoi Ledio Ruçin. Por vetë Ceka pohoi para gjykatës se nuk e kishte parë se kush e kishte qëlluar. Për këtë shkak, disa javë më parë gjykata vendosi të shpallë të pafajshëm Ledio Ruçin për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe plagosjes së lehtë për mungesë provash. Vendim i cili u vlerësua edhe nga prokuroria si i rregullt, e cila nuk e apeloi në Shkallën e Dytë.

Sekuestrimet

·Një autoveturë tip BMV X5 me targa Durrësi

·Disa kilogramë kokainë

·Mijëra euro

·Karta krediti të falsifikuara

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›