Ligji për dosjet, PD-ja lëshon pe
TIRANË - Çdo person do të mund të kërkojë që të shohë në arkivën e shtetit dosjen individuale, të përgatitur nga organet e sistemit komunist, para vitit 1991. Ky është elementi i ri që, Partia Demokratike ka përfshirë së fundi në draftin e saj ligjor “Për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë”, si një përpjekje për të gjetur konsensusin e opozitës, por edhe si një detyrim që lind nga praktikat e njohura evropiane, të cilave vendi ynë u është referuar në këtë fushë. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, i cili është ngarkuar nga Komisioni i Ligjeve dhe partia e tij për të harmonizuar qëndrimet me opozitën për këtë projektligj, duke bërë të ditur këtë dispozitë të re të përfshirë në projektligjin e paraqitur në Kuvend, ka theksuar se kjo bëhet për t’u krijuar mundësi të gjithë atyre viktimave të atij sistemi që të njohin persekutorët e tyre. “Projekt-ligji aktual në Shqipëri bën fjalë vetëm për zyrtarët e lartë, pra për deputetët, për të zgjedhurit vendor, për kryetarët e bashkive dhe komunave, sistemi gjyqësor, të gjithë personat e emëruar nga Kuvendi, presidenti i republikës, nivelet e larta të policisë së shtetit dhe përfaqësuesit diplomatik. Ne shtojmë diçka të re, që është e drejta e çdo qytetari të njihet me dosjen e tij. Pra, nëse Sigurimi i Shtetit, kishte përgatitur një dosje ndaj tij, kjo është e drejtë e çdo viktime, apo të persekutuari që të njihet me dosjen që kishte përgatitur regjimi kundër tij”, - tha Bumçi. Por, as ky hap, nuk pritet të sjellë ndonjë të re në arritjen e gjuhës së përbashkët me opozitën, pasi palët vijojnë të ndahen për një sërë pikash të tjera thelbësore të kësaj nisme. Kështu, demokratët kanë këmbëngulur përsëri dje se, pavarësisht kërkesës së të majtës për të hapur arkivat për publikun, dosjet nuk mund të bëhen publike për shoqërinë, por vetëm për individët e prekur direkt nga to. “Dosjet nuk bëhen publike për këdo. Unë mund të shkoj të kërkoj dosjen time individuale, çfarë kishte përgatitur ai sistem kundër meje gjatë atyre viteve, por s’mund të marr dosjen e dikujt tjetër”, - tha Bumçi. Ai ka konfirmuar vullnetin e demokratëve për të krijuar një komision verifikimi të pavarur dhe të baraslarguar politikisht. Një synim ky i vështirë për tu arritur, pasi, siç edhe theksoi vetë Bumçi, anëtarët e këtij komisioni, do të jenë teknikë, por të zgjedhur nga partitë politike.